Spektakël shqiptar: Eurogoli i Manajt lë pa frymë Serbinë
Spektakël shqiptar: Eurogoli i Manajt lë pa frymë Serbinë 13.10.2025 | 03:46
Nga: Arif Ejupi 
 
Në stadiumin e Duboçicës, Kombëtarja shqiptare në futboll zhvilloi një ndeshje të jashtëzakonshme kundër Serbisë, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026, që do të mbahet në Kanada, Meksikë dhe SHBA.
 
Në këtë përballje historike, Shqipëria arriti një fitore madhështore falë golit spektakolar të Rey Manajt, të shënuar në minutën e 46-të, që la pa frymë miliona tifozë serbë dhe ndezi atmosferën kuqezi në çdo cep të globit.
 
Skuadër me shpirt dhe disiplinë
 
Futbollistët kuqezinj iu përmbajtën me përpikëri udhëzimeve të përzgjedhësit brazilian Sylvinho Mendes Campos Junior, duke treguar disiplinë, përkushtim dhe besim të plotë në filozofinë e tij të lojës.
 
Në portë, Thomas Strakosha u tregua i qetë dhe i palëkundur, duke lexuar me saktësi çdo përpjekje të kundërshtarëve për të shënuar. Ndërhyrjet e tij të sakta, sidomos në topat ajrorë, u shoqëruan me gjakftohtësi dhe elegancë profesionale.
 
Në mbrojtje, Arlind Ajeti dhe Mario Mitaj ishin mur i pathyeshëm, ndërsa Elseid Hysaj dhe Berat Gjimshiti, trupgjatë dhe me përvojë, mbuluan çdo hapësirë të fushës.
 
Me organizim të përsosur, të gjithë lojtarët e kombëtares mbyllën çdo korridor sulmues të serbëve, duke i bërë të pafuqishëm përpara portës shqiptare.
 
Kujtim i artë nga e kaluara
 
Veçanërisht Arlind Ajeti, me lojën e tij të përkryer, na kujtoi bashkëvendësin e tij Favzi Rama, i cili plot 43 vjet më parë, po në këtë fushë, me fanellën e Prishtinës, kishte gjunjëzuar Duboçicën e Leskovcit me rezultatin 0–3. Historia, siç duket, u përsërit në mënyrën më të bukur të mundshme.
 
Rast i artë për golin e dytë
 
Në minutat e fundit, Nedim Bajrami mund të kishte vulosur fitoren me një gol të dytë, pas një solo-aksioni mahnitës që tronditi mbrojtjen serbe. Por në çastin vendimtar, tentimi i tij për të kaluar edhe portierin Petroviq dështoi për pak. Megjithatë, loja e tij mbeti ndër më të mirat e mbrëmjes.
 
Për t’u vlerësuar ishte edhe ndarja e drejtësisë nga treshja e gjyqtarëve rumunë: Istevan Kovacs, Mihai Mariça dhe Ferencz Tunyogi, të cilët administruan ndeshjen me drejtësi, qetësi dhe profesionalizëm të lartë.
 
Në këtë përballje, Shqipëria nuk fitoi vetëm tri pikë të arta, por dha edhe një leksion loje, karakteri dhe dinjiteti, duke dëshmuar se futbolli kuqezi është tashmë pjesë e elitës evropiane.
 
Kjo fitore historike kundër Serbisë do të mbetet gjatë në kujtesën e çdo shqiptari si dëshmi se krenaria kuqezi nuk njeh kufij./Bota Sot
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave