“Fisniku i baletit” për artistin shembull
“Fisniku i baletit” për artistin shembull 09.05.2023 | 12:00
Në të gjallë e si udhëheqës, Ahmet Brahimaj i çmonte fort ata që e ndihmonin dhe e përkrahnin baletin e artin në përgjithësi. Emri i tij lidhet me ekzistencën e Baletit Kombëtar të Kosovës. Të hënën, në Bibliotekën Kombëtare u përurua monografia “Fisniku i baletit”, e cila zbërthen rrugëtimin e tij jetësor e profesional.
 
Kur Kosova nisi t’i hedhë hapat për t’u bërë me trupë baleti, ai qe pjesë e gjeneratës së parë. Pas edukimit në Shkup, u bë pjesë e Trupës. E pasluftës u bë nismëtari e prijësi i procesit që Trupa e Baletit të rithemelohet e më pas të shndërrohet në institucion qendror të kulturës, në Baletin Kombëtar të Kosovës. Këto pjesë të rrëfimit të tij jetësor bashkë me shumë të tjera, tashmë janë përmbledhur në monografinë “Fisniku i baletit”, kushtuar balerinit drejtuesit të institucionit, Ahmet Brahimaj.
 
Monografia e përuruar të hënën mbrëma shpërfaq përpjekjen e Brahimajt për BKK-në. E përtej kësaj, sipas të pranishmëve, dokumenton se ai jetonte për baletin. Libri me autor gazetarin e KOHËS, Shaban Maxharraj, është promovuar në orën 20:00, pikërisht në orarin kur edhe BKK-ja i jep shfaqjet.
Familjarë, miq, shokë e bashkëpunëtorë të Brahimajt në trevjetorin e vdekjes së tij janë mbledhur në BKK për ta kujtuar kontributin e tij në artin e baletit. Është kujtuar trashëgimia që ka lënë ai pas, e që tash është përjetësuar edhe në monografi. Ka qenë pikërisht një pikë baleti e luajtur nga Luljeta Ademi dhe Fisnik Smani, nën vargjet e poezisë “Këngë e turpshme” të Azem Shkrelit, ajo që e ka hapur mbrëmjen.
 
Monografia “Fisniku i baletit” është e ndarë në nëntë kapituj. Nis me “Prologun”, ku shpjegohet personaliteti i Brahimajt dhe preken disa pika të kontributit të tij, për të vazhduar kronologjikisht me jetën dhe veprimtarinë deri në vdekje.
 
Autori Maxharraj ka thënë se monografia është një lloj kujtimi modest krahas veprës madhore të Brahimajt.
 
“Është vepra e Ahmet Brahimajt që na ka mbledhur sërish këtu, siç na mblidhte dikur në premiera baleti. Larg klisheve, është e pashmangshme të ripërsëritet se artisti është i pavdekshëm për aq sa rron vepra e tij. Ahmet Brahimaj ka ikur vetëm fizikisht. Janë kujtimi për të, trashëgimia e vepra që ka lënë pas, ato që e bëjnë të pavdekshme figurën e tij. Dhe monografia është një lloj kujtimi. E qartë, një lloj kujtimi modest përballë veprës madhore të tij. Ose më saktë, një dëshmi për rrugëtimin e tij, misionin mbi të gjitha”, ka thënë Maxharraj.
 
Autori ka thënë se nuk është e lehtë të shkruhet për Ahmet Brahimajn. Ka thënë se tek ai njohu mbi të gjitha njeriun dhe shembullin e një punëtori të artit.
 
“E njoha fillimisht si zyrtar baleti, pastaj shpejt e kuptova se nuk është thjesht njëri prej atyre me kostum postesh udhëheqëse. Tek ai njoha mbi të gjitha njeriun, artistin jo vetëm në skenë, shembullin e një punëtori të artit. Më pas mikun. Ahmet Brahimaj kishte shumë miq. Ishte mik i të gjithëve, edhe si puna ime vite e vite më i ri se ai. Mbi të gjitha njoha fisnikun e baletit. I tillë edhe në jetë”, ka thënë ai.
 
Për titullin “Fisniku i baletit” ka thënë se ka qenë i determinuar dhe se nuk do të ishte gabim edhe nëse libri do të titullohej thjesht “Ahmet Brahimaj”.
 
“Kjo sepse edhe kështu do të fliste mjaftueshëm. Sepse ai ishte krejt unik, në jetë dhe në vepër”, ka thënë Maxharraj.
 
Në përurimin e monografisë, bashkëshortja e Ahmet Brahimajt, Zogza Mulaku, ka falënderuar secilin, duke thënë se monografia do të jetë aset në shtëpinë e tyre.
 
“E përshëndes entuziazmin, punën dhe angazhimin e autorit për të ndriçuar personalitetin kompleks të Ahmetit që nga fëmijëria, shkollimi, si balerin, si drejtor baleti, si themelues institucioni dhe nëpër të gjitha këto faza ka spikatur karakterin e tij prej patrioti, të një njeriu modest, me qëndrim të çeliktë e të një njeriu me butësi të mëndafshtë e tejet emocional. Tashmë i kemi të përmbledhura e të shkruara në mënyrë të shkëlqyeshme nga z. Shaban Maxharraj. Këtë monografi do ta keni të gjithë, ndërsa për familjen do të jetë aseti më me vlerë në shtëpinë tonë”, ka thënë Mulaku.
 
Libri erdhi pas mbështetjes së Ministrisë së Kulturës me kërkesën e Baletit Kombëtar. Edhe për këtë Mulaku ka thënë se është falënderuese.
 
“Kam nderin që në emër të familjes dhe në emrin tim t’ju falënderoj për ardhjen tuaj, për kohën që ia kushtuat promovimit të librit për Fisnikun e Baletit, të çmuarit tonë, Ahmet Brahimajt. E falënderoj përzemërsisht autorin e kësaj monografie zotëri Shaban Maxharrajn dhe bashkëpunëtorët e tjerë e patjetër një falënderim për Ministrinë e Kulturës që e aprovoi dhe e mbështeti financiarisht botimin e këtij libri pas kërkesës së Baletit Kombëtar të Kosovës”, ka thënë ajo.
 
Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, ka thënë se tash e tre vjet, prej kur Ahmet Brahimaj u nda nga jeta, ditët e para të majit sjellin ndjenja të përziera dhimbjeje e krenarie për secilin që e ka njohur atë. Profesorin e prijësin e ka cilësuar njërin nga më të mirët e familjes së baletit.
 
“Ndjenja e dhimbjes është e justifikuar, kur kemi parasysh faktin se të gjithë ne, pa dallim, do të kishim dëshirë ta kishim profesorin tonë të dashur, ulur diku mes nesh. Edhe më të arsyetueshme e kemi ndjenjën e krenarisë, kur me të përfunduar kjo ceremoni prezantimi, të gjithë ju do ta keni në dorë monografinë kushtuar jetës dhe veprës së profesorit tonë, tashmë të ndjerë”.
 
Mbrëmja përfundoi me performancën e fuqishme të këngës “Agimet Shqiptare” nga sopranoja e njohur Besa Llugiqi, shoqëruar në piano nga Valton Beqiri./Koha.net
 
Video 
List of videos
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave