Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ripërsëriti qëndrimin e të Ngarkuarës me Punë, Anu Prattipati, duke theksuar nevojën që Kosova të bëhet pjesë e projekteve rajonale për gazin natyror të lëngshëm (LNG), të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, traansmeton Gazeta Metro.
Në një editorial të saj të publikuar së fundmi dhe të shpërndarë edhe nga ambasada në rrjetet sociale, diplomatja amerikane vlerëson se përfshirja e Kosovës në iniciativat energjetike të SHBA-së në rajonin e Ballkanit do të forconte më tej bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.
Ajo theksoi se energjia është një element kyç i sigurisë kombëtare dhe se zgjerimi i burimeve përmes gazit natyror është i domosdoshëm për stabilitet afatgjatë. Në këtë kontekst, ajo theksoi rëndësinë e veprimit të shpejtë, duke marrë parasysh edhe kohën e nevojshme për zhvillimin e infrastrukturës përkatëse.
Në editorial gjithashtu është theksuar se Kosova ndodhet përballë një vendimi strategjik, ndërsa është përmendur edhe orientimi i administratës amerikane drejt uljes së varësisë së Evropës nga burimet energjetike ruse.
“Në botën e sotme, siguria energjetike është siguri kombëtare dhe diversifikimi i energjisë përmes gazit natyror është thelbësor për të arritur një të ardhme të sigurt…”. Ne e nxisim Kosovën të hyjë në partneritet afatgjatë energjetik me Amerikën përmes GNL-së për të siguruar të ardhmen e saj energjetike. Së bashku, ne mund të forcojmë sigurinë energjetike dhe t’i rrisim ekonomitë tona krah për krahu”, është një ndër pjesët e shkëputura nga editoriali.
Në fund, Prattipati bëri thirrje për një partneritet afatgjatë energjetik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së përmes LNG-së, duke theksuar se një bashkëpunim i tillë do të ndikonte në forcimin e sigurisë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të të dy vendeve./gazetametro.net