Qeveria e Danimarkës njoftoi se po përgatit ndryshime ligjore për të ndaluar mbajtjen e burkës dhe nikabit edhe në shkolla dhe universitete, si pjesë e politikave që synojnë forcimin e integrimit dhe luftimin e asaj që autoritetet e quajnë “shoqëri paralele”, transmeton Gazeta Metro.
Sipas mediave daneze, propozimi është pjesë e një pakete më të gjerë ligjore që pritet të prezantohet nga kabineti i kryeministres Mette Frederiksen.
Qeveria argumenton se masat synojnë të kufizojnë izolimin social dhe të nxisin integrimin e komuniteteve me prejardhje të huaj, veçanërisht në zonat ku një pjesë e madhe e banorëve janë emigrantë ose pasardhës të tyre.
Në Danimarkë, ndalimi i mbulesave që fshehin plotësisht fytyrën në hapësirat publike është në fuqi që nga viti 2018. Personat që shkelin vazhdimisht këtë ligj mund të përballen me gjoba që arrijnë deri në 10 mijë korona daneze. Me ndryshimet e reja, qeveria synon që ky kufizim të zbatohet edhe në institucionet arsimore.
Megjithatë, nisma ka ngjallur reagime të ndryshme. Kritikët theksojnë se janë shumë të pakta rastet e nxënësve apo studentëve që mbajnë burkë në shkolla dhe universitete, duke argumentuar se propozimi ka më shumë karakter politik sesa një ndikim praktik, raporton The Telegraph.
Danimarka njihet për politikat e saj të ashpra ndaj migracionit dhe azilkërkuesve. Vendi ka miratuar ndër vite një sërë masash për integrimin e migrantëve, ndërsa së fundmi qeveria ka paralajmëruar edhe iniciativa të tjera, përfshirë kufizime ndaj thirrjeve publike për namaz./gazetametro.net