Në Paris, parlamenti miratoi përfundimisht, të mërkurën në mbrëmje, më 15 korrik, projektligjin, që krijon të drejtën për vdekje të asistuar. Kisha Katolike i është kundërvënë fuqimisht këtij teksti gjatë katër viteve të fundit të debatit, duke argumentuar se njeriu, nëse e konsideron veten vëlla, nuk mund t'i marrë jetën një tjetri
Të mërkurën në mbrëmje, menjëherë pas miratimit përfundimtar të ligjit mbi të drejtën për vdekje të asistuar, Kisha Katolike në Francë shprehu keqardhjen e saj për një vendim, që cënon rëndë traditën e gjatë të përkujdesjes për të sëmurët, e cila synon t’ia lehtësojë vuajtjet dhe ta shoqërojë çdo njeri deri në fundin natyror të jetës së tij. Ipeshkvijtë vunë në dukje pjesëmarrjen e tyre në debatin e katër viteve të fundit, duke theksuar përvojën shekullore të Kishës në shoqërimin e të sëmurëve dhe të familjeve të tyre. Ata besojnë se pasojat e një legjislacioni të tillë do të ndryshojnë qëndrimet ndaj pleqërisë, aftësisë së kufizuar dhe sëmundjes. Por, nuk dorëzohen, duke marrë parasysh një numër të konsiderueshëm rrugësh ligjore për t’u përshkuar. Në një intervistë me ipeshkvin e Nanterre, imzot Mathieu Rougé, zëdhënës i ipeshkvijve francezë për çështjet e fundit të jetës, e pyetëm si zbatohet në institucionet katolike, klauzola ligjore që u lejon punonjësve të shëndetësisë të mos marrin pjesë në procesin e eutanazisë, për hir të ndërgjegjes. Ja si iu përgjigj ai mediave të Vatikanit…
Ligji, siç është miratuar, përfshin një klauzolë ndërgjegjeje për mjekët. Megjithatë, është për të ardhur keq, që nuk përfshin një klauzolë ndërgjegjeje për farmacistët të cilët, në rastet e vetëvrasjes së asistuar në shtëpi, do të detyrohen të shërbejnë si depo për substancën vdekjeprurëse. Nga ana tjetër, pika më shqetësuese, përtej vetë faktit të autorizimit të eutanazisë së asistuar, është se institucionet - karta etike, ose historia fetare e të cilave e dënon praktikën e eutanazisë - do të jenë të detyruara ta ofrojnë atë. Kjo nuk është një klauzolë ndërgjegjeje, sepse ndërgjegjja ka të bëjë me individin. Është një klauzolë institucionale.
Lidhur me këtë pikë, qeveria u pati dhënë disa garanci ipeshkvijve francezë, por ato ende nuk janë respektuar. Prandaj, jemi të shqetësuar. Mendoj në veçanti për Motrat e Vogla të të Varfërve, por edhe për Motrat e Shën Tomës së Vilanovës, shenjtorit pajtor të materniteteve katolike. Shpresojmë vërtet që gjatë javëve të ardhshme, apelimet e ndryshme ligjore të çojnë në krijimin e një klauzole institucionale, në mënyrë që institucionet, historia, situata aktuale, ose karta etike e të cilave dënon vdekjen e asistuar, të mund të vazhdojnë misionin me etikën e tyre.
Sa mund të dëgjohet zëri i Kishës në Francë sot?
Të mërkurën, më 15 korrik, Konferenca Ipeshkvnore publikoi një deklaratë të nënshkruar nga kryetari dhe nga dy zv.kryetarë të saj, duke shprehur si trishtimin, ashtu edhe shqetësimin tonë. Me këtë lloj ligji, nuk mund të kuptohen plotësisht të gjitha pasojat përsa i përket vëllazërimit, jetës shoqërore dhe lëshimit gradual në kritere. Prandaj, duhet vigjilencë e madhe, duhet të ecim përpara, veçanërisht duke siguruar lirinë e institucioneve, respektimin e kartave të tyre etike dhe duke inkurajuar dhe duke ndjekur nga afër të gjitha apelimet, që përmenda.
Ka njerëz të vetmuar, të brishtë, të izoluar, të paaftë për të kërkuar ndihmë. Këta njerëz do të gjenden vetëm dhe do t’u duhet të marrin një vendim për fundin e jetës së tyre: të jetojnë apo të vdesin…
Reagimi i të krishterëve për një ligj si ky nuk është thjesht dënim moral; është edhe thirrje për impenjim. Kjo është arsyeja pse, në deklaratën që publikuam të mërkurën në mbrëmje dhe në deklaratat e ndryshme, madje, edhe para votimit për ligjin, por veçanërisht më pas, i inkurajojmë fuqimisht të krishterët të ndihmojnë edhe më shumë më të brishtët, më të vetmuarit dhe ata, që jetojnë në kushte të pasigurta. Pikërisht, përmes vëllazërimit aktiv, do t'i përgjigjemi dëshirës së tyre për t'i dhënë fund jetës, e cila u kalon nganjëherë nëpër mend njerëzve në vështirësi të mëdha dhe në izolim të thellë. Përgjigja jonë nuk është thjesht çështje qëndrimi moral; është, në thelb, çështje impenjimi vëllazëror. Të krishterët e Francës, pavarësisht nga ligji, duhet të impenjohen gjithnjë e më shumë në udhën e vëllazërimit. Kjo do të na lejojë të parandalojmë që vrasja e asistuar të përdoret me tepri në vendin tonë.
Pas dy muajsh, Papa Leoni XIV do të shkojë për vizitë në Francë. Çfarë prisni të thotë ai për këtë çështje?
Jam i sigurt që Papa do të thotë fjalë shumë të rëndësishme për shumë fusha, veçanërisht për këtë. E ka bërë këtë fuqishëm kohët e fundit në Romë, por edhe në Spanjë. E kam cituar shpesh enciklikën e tij “Magnifica Humanitas”, në të cilin Papa deklaron se e drejta e parë, e cila i kushtëzon të gjitha të tjerat, është e drejta për jetën, prandaj, kur eutanazia legalizohet, kjo e drejtë për jetën minohet ndjeshëm. Kemi edhe deklaratën e Selisë së Shenjtë, Samaritanus Bonus, e vitit 2020, e cila është një tekst shumë i rëndësishëm për këtë temë. Prandaj, jam i sigurt që Ati i Shenjtë do të thotë fjalë të fuqishme si për të krishterët, për t'i ndihmuar ata të impenjohen me njerëzit në nevojë, ashtu edhe për të gjithë shoqërinë tonë. Sigurisht, do të ishim më të lumtur nëse do ta mirëprisnim atë me një kuadër më të favorshëm legjislativ, por fjala e tij do të jetë shumë e vlefshme për ne dhe e presim me padurim të madh./Radio Vatikani