Krishtlindja, "njerëzimi i plagosur" dhe zëri ngushëllues i Papëve
Krishtlindja, "njerëzimi i plagosur" dhe zëri ngushëllues i Papëve 23.12.2025 | 04:19
Për solemnitetin e Lindjes së Zotit rikujtojmë disa nga reflektimet e Papëve mbi këtë festë që përtërin shpresën edhe ndërmjet plagëve e ankthit të thellë.
 
Krishtlindja është gëzim, është dritë, është paqe! Lindja e një fëmije të varfër, që shtrihet në një grazhd, e ndriçon botën edhe mes luftërave, urisë, fatkeqësive dhe ngjarjeve dramatike, që ndikojnë në historinë e kombeve, popujve dhe familjeve. Papët na nxisin ta mirëpresim dhe ta përqafojmë këtë Foshnje të vogël, lindur në Betlehem dhe ta ngushëllojmë njerëzimin që vuan.
 
Piu XII dhe fatet e vdekjes për arsye kombësie
 
Një çast i errët e tragjik është ai që u jetua posaçërisht nga hebrenjtë në Evropë, gjatë Luftës II Botërore. Më 20 janar 1942, disa nga zyrtarët kryesorë të partisë naziste dhe të qeverisë gjermane u mblodhën në një vilë, në periferinë berlineze të Wannsee, për të diskutuar mbi temën e përmendur në procesverbalin e asaj konference si "zgjidhja përfundimtare e çështjes hebraike". Pothuajse një vit më vonë, më 24 dhjetor 1942, "një zë i vetmuar lartohet nga mikrofonet e Radio Vatikanit!"- lexohet në një editorial të epokës të së përditshmes amerikane “The New York Times” – që ngre zërin nga heshtja e një kontinenti”. Ishte zëri i Papës Piu XII, që transmetonte mesazhin e tij radiofonik të Natës së Krishtlindjes. Papa uroi që  për “njerëzimin e vuajtur” ylli që shkëlqen mbi shpellën e Betlehemit" të shkëlqejë për "njerëzimin që vuan" në një botë përplot me tmerret e luftës. Papa Pacelli kujtoi, ndërmjet mizorive të Luftës II Botërore, edhe tragjedinë që në zhargonin nazist përkonte me shprehjen "zgjidhje përfundimtare".
 
Qindra mijëra njerëz, pa asnjë faj, shpesh thjeshtë për shkak të kombësisë ose prejardhjes së tyre, u dënuan me vdekje të menjëhershme ose të ngadalshme.
 
Gjoni XXIII dhe të sëmurët e vegjël
 
Njerëzimi është i ngarkuar me vuajtje, por edhe i dërmuar nga lufta, nga vuajtja e sëmundjet. Në Ditën e Krishtlindjes 1958, Spitali Bambino Gesù mirëpriti Papën Gjoni XXIII. Ishte Papa i parë që u ngjit në kodrën romake Gianicolo për të vizituar "spitalin e tij". Gjatë asaj vizite, Papa Roncalli përshëndeti dhe bekoi pacientët e vegjël. Në njërën nga dhomat e fundit, një fëmijë i rrëfeu Papës se emri i tij ishte Emanuele. "Ja - kujtoi Gjoni XXIII - një emër që përmbledh solemnitetin e sotëm. Do të thotë: “Zoti me ne".
 
Pali VI dhe luftat e botës së punëtorëve
 
Në Itali, viti 1968 ishte vit i ngarkuar me tensione të forta sociale në botën e punës. Atë vit, Papa Pali VI e kremtoi Meshën e Krishtlindjes ndërmjet punëtorëve. Papa udhëtoi në uzinën e çelikut në Taranto për të shëruar një ndarje: atë ndërmjet botës së punës - dhe Kishës. Sfondi "i Betlehemit” të asaj Krishtlindjeje, ishte uzina e çelikut, të cilën gazeta e Selisë së Shenjtë "L'Osservatore Romano", e quajti "kasollja e re e epokës teknologjike".
 
Në homelinë e tij, Papa Montini u drejtohet punëtorëve, duke i nxitur të shikojnë drejt "Krishtit të Ungjillit": "Punëtorë, që na dëgjoni: Jezusi, Krishti, është me ju!
 
Ju flasim nga zemra. Do t'ju tregojmë diçka shumë të thjeshtë, por thellësisht kuptimplote. Është kjo: kemi vështirësi të flasim me ju. Vështirësi për t'u bërë të kuptueshëm prej jush. Apo ndoshta nuk ju kuptojmë mjaftueshëm? Fakti është se biseda është mjaft e vështirë për Ne. Na duket sikur ndërmjet jush dhe Nesh nuk ka gjuhë të përbashkët. Ju jeni të zhytur në një botë, që është e huaj për botën në të cilën jetojmë ne, njerëzit e Kishës.
 
Ju mendoni dhe punoni në një mënyrë tejet të ndryshme nga ajo në të cilën mendon dhe vepron Kisha! Ju thamë, ndërsa ju përshëndetëm, se jemi vëllezër dhe miq: por a është e vërtetë kjo? Sepse të gjithë e perceptojmë këtë fakt të dukshëm: puna dhe feja, në botën tonë moderne, janë dy gjëra të ndara, të shkëputura, shpesh edhe të kundërta. Një herë e një kohë nuk ishte kështu!”.
 
Gjon Pali II dhe hapat e para të njeriut në mijëvjeçarin e tretë
 
Kalimi historik i njerëzimit ndërmjet dy mijëvjeçarëve përmblidhet në një pamje të ngulitur në kujtesën kolektive: hapja e Derës Shenjte më 24 dhjetor 1999. Është dita kur Papa Gjon Pali II kaloi simbolikisht pragun e mijëvjeçarit të tretë. Në atë orë, koha tingëllonte me një ton të vetëm: "Nuk është vetëm kujtimi i lindjes së Shëlbuesit, është edhe fillimi solemn i Jubileut të Madh".
 
Njerëzimi, përplot me plagë të thella si luftërat dhe padrejtësitë, kapet pas një shprese, pas një Vetjeje. Askush - pohon Papa Vojtila - nuk duhet të përjashtohet nga përqafimi i Atit:
 
Ti je Krishti, Biri i Zotit të gjallë! Në prag të mijëvjeçarit të tretë, Kisha të përshëndet, Bir i Hyjit, që erdhe në botë për të mposhtur vdekjen. Ti erdhe për të ndriçuar jetën njerëzore përmes Ungjillit. Kisha të përshëndet dhe, së bashku me Ty, dëshiron të hyjë në mijëvjeçarin e tretë. Ti je shpresa jonë. Vetëm Ti ke fjalët e jetës së amshuar...  Ji për ne Dera që na çon në misterin e Atit. Askush mos u përjashtoftë nga përqafimi i Tij i mëshirës dhe i paqes!
 
Benedikti XVI, çështja e migrantëve dhe hapësira për Zotin
 
Është një njerëzim që kërkon një të ardhme më të mirë, që ikën nga varfëria dhe persekutimi. Është njerëzimi i migrantëve. Pas një udhëtimi të gjatë dhe të mundimshëm nga Nazareti në Betlehem, Jozefi dhe Maria e shohin Mesinë të lindur në një stallë, sepse diku tjetër nuk kishte vend për ta.
 
Nëse Maria dhe Jozefi do të trokisnin në derën tonë, a do të kishin një vend për ta? Kjo pyetje, e bërë nga Papa Benedikti XVI gjatë Meshës  Shenjte më 24 dhjetor 2012, bëhet nxitje për t'u lutur "në mënyrë që brenda nesh të krijohet një hapësirë ​​ "për Zotin. Dhe që ne ta njohim edhe në ata, përmes të cilëve na flet: në fëmijët, në të vuajturit, të mënjanuarit dhe në të varfrit e kësaj bote":
 
Kështu, pyetja e madhe morale se si qëndrojnë gjërat në lidhje me refugjatët, personat e zhvendosur dhe migrantët merr një kuptim edhe më themelor: a kemi vërtet vend për Zotin, kur Ai kërkon të hyjë tek ne? A kemi kohë dhe hapësirë ​​për Të? A nuk është ndoshta vetë Zoti ai, që refuzohet nga ne? Kjo fillon me faktin se nuk kemi kohë për Zotin. Sa më shpejt të mund të lëvizim, sa më të mira janë mjetet që na kursejnë kohë, aq më pak kohë kemi në dispozicion. Po Zoti? Pyetja për Të nuk duket kurrë urgjente. Koha jonë është tashmë plotësisht e mbushur.
 
Françesku dhe shpresa, për t'u çuar ku qe e humbur
 
Jezusi lind për ne, për çdo burrë e çdo grua. Lind, gjithashtu - e mbi të gjitha - mes mjerimit dhe periferive ekzistenciale. Krishtlindjet 2024 nisin me hapjen e Portës  Shenjte dhe fillimin e Vitit Shenjt të Shpresës. Në Meshë, në Solemnitetin e Lindjes së Zotit, Papa Françesku i nxit të krishterët të angazhohen për ta shndërruar botën:
 
Për të gjithë ne, dhurata dhe angazhimi është të sjellë shpresën aty ku ishte e humbur: aty ku jeta është plagosur, në pritjet e tradhtuara, në ëndrrat e shkatërruara, në dështimet zemërthyese; në lodhjen e atyre që nuk mund ta durojnë më, në vetminë e hidhur të atyre që ndihen të mundur, në vuajtjet që gërryejnë shpirtin; në ditët e gjata dhe të zbrazëta të të burgosurve, në dhomat e ngushta dhe të ftohta të të varfërve, në vendet e përlyera nga lufta e nga dhuna. Silleni shpresën atje, mbilleni shpresën atje.
 
Leoni XIV dhe Krishtlindjet, festë drite
 
Po afron koha kur kremtojmë lindjen e Jezusit. Më 24 dhjetor, Leoni XIV kryeson Meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit. Në Solemnitetin e Lindjes së Zotit, plagët që trondisin njerëzimin janë të shumta dhe vijojnë ta gjakosin njerëzimin. Në vitin 2020, gjatë një periudhe të prekur nga pandemia, Ipeshkvi i atëhershëm i Çiklajos dhe Administratori Apostolik i Dioqezës së Kallaos në Peru, Imzot Robert Francis Prevost, dërgoi një mesazh Krishtlindjesh. Urimi i tij u postua në kanalin YouTube të Dioqezës së Kallaos:
 
Kur ende nuk duket fundi i kësaj kohe të prekur nga sëmundjet dhe vdekjet e panumërta - theksonte Ipeshkvi i atëhershëm i Çiklajos - arrin festa e shpresës. Krishtlindja është gjithmonë "festë drite mbi tokë", edhe në çastet që duken të pushtuara nga terrina”./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.