Leoni XIV në Metz: Evropa të kthehet në rrënjët e saj, për të gjetur sërish rrugën e paqes
Leoni XIV në Metz: Evropa të kthehet në rrënjët e saj, për të gjetur sërish rrugën e paqes 28.09.2026 | 03:15
Në Metz, në vendin e Robert Schuman-it, njërit prej etërve themelues të Bashkimit Evropian, Leoni XIV ripërshkon rrënjët e krishtera dhe kulturore të Evropës dhe vë në dukje se dialogu, solidariteti dhe paqja janë rruga për kontinentin e sotëm dhe të nesërm.
 
Në Metz, qytet kufitar i shënuar nga historia dhe plagët e konflikteve mes Francës dhe Gjermanisë, Papa Leoni XIV ftoi për t’u kthyer në rrënjët e Evropës, që kontinenti të rigjejë arsyet e paqes dhe të unitetit. Në Qendrën e Kongreseve, që mban emrin e Robert Schuman-it, njërit prej etërve themelues të Bashkimit Evropian, i cili, lindur në Luksemburg, vetëm 55 km larg nga Metz, e filloi karrierën e tij profesionale e politike pikërisht në këtë qytet, Ati i Shenjtë përshkoi historinë e kontinentit duke analizuar të tashmen, por, sidomos, të ardhmen e tij.
 
Një Evropë e lindur nga takimi
 
Para se të jetë një hapësirë gjeografike, kujtoi Leoni XIV, Evropa është një realitet kulturor dhe historik, i zhvilluar përmes takimeve, krizave dhe rilindjeve. Dhe Metz-i, me kujtesën e tij si qytet kufitar, duket thuajse vendi i natyrshëm për t’u thelluar sërish në rrënjët e saj.
 
«Evropa duhet kuptuar si një realitet kulturor dhe historik, përpara se të jetë një realitet gjeografik. Gjatë shekujve, ajo ka përvijuar kufij dhe përkufizime të reja, duke kaluar periudha zhvillimi, kriza të thella dhe rilindje të reja».
 
Krishterimi dhe personi
 
Në rrugëtimin e gjatë evropian, Papa vuri në dukje edhe kontributin e krishterimit, sidomos të Shën Benediktit, “lajmëtar i paqes, realizues i bashkimit, mësues i qytetërimit”. Pra, ajo kulturë qu e ruajtën skrivanët benedektinë, ato rrënjë, që janë baza e fuqishme e Evropës, vërejti Leoni XIV, nuk duhen përdorur për të përforcuar një identitet, që përjashton të tjerët, por duhen kthyer në burim, nga i cili mund të ri-interpretohet dinjiteti i njeriut, solidariteti dhe e mira e përbashkët.
 
«Në vend që të jetë një kriter ekskluziv konfesional, referimi për borxhin, që kultura evropiane i ka krishterimit, na ndihmon të kuptojmë më mirë se sa hapja ndaj transhendentales [pra, ndaj Zotit] është gjithmonë përmasë themeltare e njeriut dhe gurrë e gjallë qytetërimi. Në këtë drejtim, neni 17 i Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian ka rëndësi të madhe».
 
Është neni, ku nënvizohet se Bashkimi Evropian respekton statusin e njohur në nivel kombëtar të Kishave, bashkësive fetare dhe organizatave filozofike, ose jo-konfesionale.
 
Të rizbulojmë dhe të dialogojmë
 
Të rigjesh rrënjët, vijoi Papa, nuk do të thotë të mbyllesh. Përkundrazi, për Leonin XIV kjo do të thotë të rizbulosh gjithçka, që e ka ndërtuar Evropën dhe, njëkohësisht, t’ia hapësh zemrën tjetrit, duke kërkuar një ekuilibër ndërmjet të drejtave dhe detyrave.
 
«Në kuadrin multikulturor të sotëm, pohimi i universalitetit të këtyre vlerave, themelor për mbijetesën e Evropës, kalon edhe përmes rizbulimit të rrënjëve të veta dhe përmes hapjes ndaj dialogut me tjetrin. Është fjala për një domosdoshmëri shoqërore dhe politike, që të rizbulohet roli qendror i njeriut dhe t’u jepet një përmbajtje e vërtetë fjalëve si liria, demokracia, paqja dhe uniteti».
 
Të mirëpresësh do të thotë të integrosh
 
Këtu Evropa takohet me migracionin. Burra dhe gra, që largohen nga lufta, përndjekja dhe varfëria, nuk janë vetëm çështje politike, por duhen parë si takim i ri mes popujve dhe kulturave. Të mirëpresësh, nënvizoi Papa, do të thotë t’i bësh tjetrit vend brenda shtëpisë tënde.
 
«E gjithë kjo, megjithatë, nuk është ende e mjaftueshme: të mirëpresësh një person do të thotë ta integrosh si në familjen tënde, duke i ofruar mundësinë të zhvillojë talentet, aftësitë dhe ndjeshmëritë e veta, por edhe të hyjë në shpirtin e shtëpisë, që e mirëpret. Duhet kuptuar rëndësia historike e gjithçkaje, që po ndodh, të këtij takimi të paprecedentë ndërmjet popujve dhe kulturave».
 
Schuman dhe paqja e mundshme
 
Në mendimin e Robert Schuman-it - burrit të shtetit, që bashkë me De Gasperin, Adenauerin e shumë politikanë të tjerë, e mendoi dhe e projektoi Evropën e re pas Luftës II Botërore - Leoni XIV gjeti një mësim veçanërisht aktual: paqja nuk është mungesë konflikti, por një proces i durueshëm, i formuar nga dialogu, bisedimet dhe lënia mënjanë e disa qëndrimeve nga të gjitha palët, duke pranuar se duhet të humbësh diçka për të fituar diçka më të madhe. Është e kundërta e logjikës së armëve dhe e vullnetit për dominim.
 
«Është e nevojshme të angazhohemi në një dialog plot durim, të tregojmë guxim në negociata dhe të jemi të gatshëm të sakrifikojmë disa qëndrime për të mirën më të lartë të paqes. Sigurisht, kërkimi i paqes në Evropë, ashtu si në pjesën tjetër të botës, nuk duhet ngatërruar me një irenizëm naiv», vërejti Ati i Shenjtë, duke iu referuar atij qëndrimi të tolerancës së tepruar, ose të paqes me çdo kusht, sipas të cilit duhet hequr dorë edhe nga parimet, për të shmangur konfliktin.
 
Hapa të vegjël, të rinj ndërtues
 
Së fundi, Papa u besoi të rinjve një përgjegjësi, që nuk u përket vetëm institucioneve të mëdha. Evropa ndërtohet edhe në familje, në shkolla, në qytete dhe në komunitete: në ato vende konkrete ku paqja bëhet vendim i përditshëm.
 
«Të rinjve u them: kini guximin ta jetoni me përgjegjësi misionin për të ndërtuar paqen, në zemrën tuaj, në marrëdhëniet tuaja, në familjen tuaj, në shkolla dhe universitete, në jetën e qyteteve tuaja, të vendeve tuaja dhe të gjithë Evropës. Mos iu nënshtroni logjikës së dhunës dhe të shtypjes».
 
E ndoshta, pikërisht kjo është rruga, që tregon Metz-i: kthimi tek rrënjët, jo për të shikuar gjithnjë pas, por për të gjetur tek kujtesa forcën për të ecur përpara.Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.