Papa Leoni XIV, i cili doli të shtunën e kaluar nga Poliklinika Gemelli, po vijon rikuperimin në Pallatin Apostolik të Vatikanit, pas ndërhyrjes kirurgjikale për heqjen e një adenokarcinome në mushkëri. Pas lutjes së djeshme të Engjëllit të Tënzot, besimtarët do ta shohin sërish Atin e Shenjtë të mërkurën paradite, gjatë audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan.
Papa Leoni XIV nuk do të shkojë sot pasdite në Castel Gandolfo, por do të vijojë rikuperimin pas ndërhyrjes kirurgjikale në Pallatin Apostolik, në Vatikan. Këto janë të rejat e bëra të ditura nga Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë lidhur me gjendjen shëndetësore të Papës, i cili më 13 tetor iu nënshtrua një ndërhyrjeje për heqjen e një adenokarcinome në mushkëri.
Papa doli të shtunën nga Poliklinika romake Gemelli, pas pesë ditësh qëndrimi në spital, duke llogaritur edhe ditën e ndërhyrjes. Dje, Leoni XIV u shfaq në dritaren e Pallatit Apostolik për lutjen e Engjëllit të Zotit dhe për të përshëndetur 15 mijë besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, të cilët kishin ardhur për t’i shprehur afërsinë, dashurinë dhe mbështetjen e tyre.
Audienca e përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit
Papa do t’i takojë sërish besimtarët të mërkurën, gjatë audiencës së përgjithshme. Takimi, siç bëri të ditur Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë, për momentin është “i parashikuar” të mbahet në Sheshin e Shën Pjetrit. Ende nuk ka hollësi të tjera, për shembull, nëse Ati i Shenjtë do të përshkojë, si zakonisht, sheshin me papamobil për t’u afruar me besimtarët. Megjithatë, lajmi më domethënës për ta është se takimi i përjavshëm me Papën mbetet në program.
Papa nuk do të shkojë në Castel Gandolfo
Ndryshe nga sa ndodh zakonisht, Papa Leoni XIV nuk do të shkojë në rezidencën e tij në Castel Gandolfo. Që nga fillimi i papnisë, Prevost e kalonte atje çdo javë kohën nga e hëna deri të martën në mbrëmje, duke ndërthurur njëzet e katër orë pune dhe pushimi. Për momentin, Papa do të qëndrojë në apartamentin papnor në Vatikan, për të vijuar periudhën e rikuperimit. Siç shpjegoi për mediat e Vatikanit kirurgu që kreu ndërhyrjen, Stefano Margaritora, kjo periudhë mund të zgjasë rreth dhjetë ditë.
Njoftime të tjera në ditët në vijim
Në orët dhe ditët e ardhshme, Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë pritet të japë njoftime të tjera lidhur me veprimtaritë e Papës. Për momentin, nuk ka parashikime të reja për vizitën e planifikuar në Asizi më 27 nëntor. Atje, Papa duhet të përmbyllë takimin “Paqe e paarmatosur dhe çarmatosëse”, të organizuar nga Komuniteti i Shën Egjidit me rastin e 40-vjetorit të ngjarjes që hyri në histori si “Shpirti i Asizit”, kur Papa Shën Gjon Pali II mblodhi përfaqësues të feve të ndryshme në lutje për paqen./Radio Vatikani