Arritja e paqes në Ukrainë ka rezultuar të jetë mjaft problematike, përkundër pritshmërive fillestare të presidentit Donald Trump.
Pas disa negociatave dhe propozimesh, tani raportohet se SHBA-ja po diskuton një draft 20-pikësh që bazohet në zgjidhjen midis dy Koreve, përcjell Gazeta Metro.
Sipas Washington Post, SHBA-ja është në bisedime me Ukrainën dhe partnerët europianë për hartimin e një plani që përmban tri shtylla kryesore: kornizën bazë për paqe, garancitë afatgjata të sigurisë, si dhe një udhëzues për rimëkëmbjen ekonomike pas luftës.
Një skenar i mundshëm parasheh krijim e një zone të çarmatosur që do të zgjatej prej qytetit Donetsk deri në Kherson, e shoqëruar nga një zonë më e thellë ku s’do të lejohej armatimi i rëndë.
Diskutimet ende vijojnë të hasin në pengesa për shkak të pretendimeve territoriale nga rusët dhe këmbëngulja e palës ukrainase për të mos dhënë territor të cilin e kontrollon aktualisht.
Gjithnjë sipas raportimit nga gazeta amerikane, modeli korean do të përdorej për ta vendosur një vijë ndarëse mes dy shteteve, ndërsa do të pezullohej statuti i rajoneve të kontestuara.
Mendohet se centrali bërthamor në Zaporizhzhia do të hiqet nga kontrolli rus, në mënyrë që të drejtohet në të ardhmen nga SHBA-ja, e cila mund të ofrojë siguri në këtë pikë.
Edhe anëtarësimi i Ukrainës në BE është duke u shqyrtuar në këto negociata, me SHBA-në që thuhet se po i bën presion Hungarisë që ta largojë veton që e ka ndaj këtij anëtarësimi për momentin.
Në të njëjtën kohë, po ashtu po shqyrtohen garancitë e sigurisë që mund të jenë të ngjashme me ato të nenit 5 të NATO-s, ndërsa Ukraina po kërkon ratifikim formal nga Kongresi i SHBA-së për të siguruar mbështetjen amerikane.
Përpos sigurisë, pikë e rëndësishme është edhe rimëkëmbja ekonomike e Ukrainës. Ky raportim pretendon se zyrtarët amerikanë konsiderojnë krijimin e një fondi zhvillimor për Ukrainën, i cili mund të grumbullojë deri në 400 miliardë dollarë.
Në përgjithësi, arritja e një marrëveshjeje nga të dyja palët ende shihet si e vështirë, por Administrata Trump ka ndarë energji dhe përqendrim të madh në këtë drejtim. SHBA-ja kërkon që lufta të ndalet sa më parë dhe që palët të gjejnë dakordim për një ujdi që siguron edhe të ardhmen./gazetametro.net
US, EU, Ukraine Explore “Korea-Style” Peace Model Amid Multi-Document Proposal
The United States, Ukraine, and European partners are negotiating a comprehensive 20-point peace plan, reportedly divided into three key documents: a core peace framework, long-term security… pic.twitter.com/9E6Qu8mZgh
— Open Source Intel (@Osint613) December 10, 2025