Mesazhi i Papës për Ditën Botërore të të Sëmurëve: dashuria bartë dhimbjen e tjetrit
Mesazhi i Papës për Ditën Botërore të të Sëmurëve: dashuria bartë dhimbjen e tjetrit 21.01.2026 | 03:42
Në mesazhin për Ditën e XXXIV Botërore të të Sëmurit, që do të kremtohet në Chiclayo, Peru, Leoni XIV kujton vitet e kaluara atje si misionar dhe ipeshkëv, ku preku me dorë mëshirën dhe dhembshurinë ndaj asaj dhimbjeje që “na prek” dhe për këtë arsye nuk është “e huaj”. Kundër kulturës “së nxitimit”, Ati i Shenjtë nxit për një afërsi që tejkalon “normat rituale”, si dhe për një vizion të përtërirë të vetëvlerësimit, jo të bazuar në stereotipet e suksesit apo karrierës.
 
Pasiviteti nënkupton një ftohtësi e largësi që bie ndesh me shqetësimin e dhimbjen që mbush lotët kur një person sëmuret. E megjithatë, të përfshirë nga urgjenca e vazhdueshme për të bërë gjithçka “me nxitim”, edhe dashuria, afërsia, bëhet një “vendim” për t’u bërë duke thyer “normat rituale”. Kështu, kjo nuk bën të ndihet mirë vetëm i afërmi, por edhe vetvetja, sepse hapë një formë të re të “vetëvlerësimit”, bazuar në masën e dhembshurisë dhe jo në stereotipet e suksesit, të karrierës apo të pozitës shoqërore.
 
Në mesazhin për Ditën e XXXIV Botërore të të Sëmurit, të botuar sot, më 20 janar, Papa Leoni XIV mbështetet drejtpërdrejt në përvojën e tij si misionar dhe ipeshkëv, në Chiclayo të Perusë – ku do të kremtohet ky përvjetor – për të ftuar “të duam duke mbartur dhimbjen e tjetrit”, në gjurmët e Samaritanit të Mirë.
 
Plaga e kulturës së "nxitimit"
 
Është shëmbëlltyra e treguar në Ungjillin sipas Lukës filli udhëheqës i mesazhit për Ditën e XXXIV Botërore të të Sëmurit që do të kremtohet më 11 shkurtin e ardhshëm. Një tekst që, siç shkruan Papa Leoni XIV, është "gjithmonë aktual" dhe i nevojshëm për të rizbuluar "bukurinë e dashurisë bamirëse" dhe "përmasën shoqërore të dhembshurisë". Një vlerë që, duke rimarrë konceptet e shprehura në enciklikën Fratelli tutti të Papës Françesku, nuk reduktohet në një "përpjekje thjesht individuale", por gjen përmbushjen e saj në marrëdhënie.
 
Jetojmë të zhytur në kulturën e shpejtësisë, të menjëhershmërisë, të nxitimit, por edhe të hedhjes mënjanë dhe të indiferencës, e cila na pengon të afrohemi dhe të ndalojmë gjatë rrugës për të parë nevojat dhe vuajtjet që na rrethojnë.
 
"Vendimi për të dashur"
 
Duke përmendur tekstin ungjillor, Leoni XIV kujton se Samaritani i Mirë, duke parë një njeri të plagosur gjatë rrugës për në Jerihon nuk "kaloi tej", por ndaloi, duke i ofruar atij "afërsi njerëzore dhe solidare". Mbi të gjitha, siç shkruante Papa Françesku, ai i dhuroi "kohën e vet". Morali, pra, nuk qëndron aq shumë në identifikimin e të afërmit, sesa në të bërit të afërm. Një çelës leximi i pohuar që nga Shën Augustini, i cili shkruante se "askush nuk është i afërm i një tjetri derisa nuk i afrohet vullnetarisht. Prandaj u bë i afërm ai që pati mëshirë".
 
Dashuria nuk është pasive, ajo i del tjetrit në ndihmë; të qenit i afërm nuk varet nga afërsia fizike apo shoqërore, por nga vendimi për të dashur. Për këtë arsye, i krishteri bëhet i afërm i atij që vuan, duke ndjekur shembullin e Krishtit, Samaritanit të vërtetë hyjnor që iu afrua njerëzimit të plagosur.
Të marrësh pjesë në vuajtjen e tjetrit
 
Dhembshuria nuk mund të reduktohet në thjesht "filantropi", shkruan Papa, por duhet të përkthehet në shenja të pjesëmarrjes "personale" në vuajtjen e tjetrit, duke shkuar përtej nevojave të veta, deri në atë pikë sa – siç pohonin Benedikti XVI në Enciklikën Deus caritas est dhe Shën Gjon Pali II në Letrën Apostolike Salvifici doloris – "personi ynë të jetë pjesë e dhuratës".
 
Të zbulosh dashurinë përmes të sëmurëve
 
Duke folur për takimin e tij me të gërbulurit, Shën Françesku i Asizit tregonte se si kishte qenë vetë Zoti ai që e kishte çuar tek ata sepse, shkruan Leoni XIV, "përmes tyre ai kishte zbuluar gëzimin e ëmbël të të dashurit". Edhe Shën Ambrozi nënvizonte se dhurata e takimit lind "nga lidhja me Jezu Krishtin, të cilin e njohim si Samaritanin e Mirë që na solli shpëtimin e amshuar dhe të cilin e bëjmë të pranishëm kur përkulemi para vëllait të plagosur".
 
Të jesh një në Njërin (Zotin), në afërsi, në prani, në dashurinë e marrë dhe të bashkëndarë, dhe të shijosh, si Shën Françesku, ëmbëlsinë e takimit me Të.
 
Kujdesi i familjarëve dhe i punonjësve shëndetësorë
 
Një tjetër qëndrim i Samaritanit të Mirë i vënë në dukje nga Papa Leoni XIV është "dhembshuria": një emocion "i thellë që shtyn drejt veprimit", që lind nga brendësia dhe gjeneron "angazhim ndaj vuajtjes së tjetrit". Ajo nuk është as teorike dhe as thjesht sentimentale, por shndërrohet në gjeste konkrete që Leoni XIV i rendit me qartësi: "afrohet, mjekon plagët, merr përsipër barrën dhe kujdeset". E gjithë kjo, nënvizon Papa, nuk ndodh në mënyrë të izoluar: samaritani, në fakt, ia beson njeriun e plagosur një hanxhiu, i thirrur edhe ai për t'u kujdesur për të, "ashtu siç ne jemi të thirrur të takohemi dhe të ndërtojmë një 'ne' më të fortë se shuma e individualiteteve të veçanta".
 
Unë vetë kam konstatuar, në përvojën time si misionar dhe ipeshkëv në Peru, se si shumë njerëz ndajnë mëshirën dhe dhembshurinë sipas mënyrës së samaritanit dhe të hanxhiut. Familjarët, fqinjët, punonjësit shëndetësorë, njerëzit e angazhuar në veprimtarinë baritore shëndetësore dhe shumë të tjerë që ndalojnë, afrohen, kurojnë, mbartin, shoqërojnë dhe ofrojnë atë që kanë, i japin dhembshurisë një përmasë shoqërore. Kjo përvojë, e cila realizohet në një gërshetim marrëdhëniesh, tejkalon angazhimin e thjeshtë individual.
 
"Shëndeti" i një shoqërie
 
Referimet ndaj kujdesit për të sëmurin përsëriten edhe në Nxitjen apostolike Dilexi te, të nënshkruar nga vetë Leoni XIV, ku kujdesi tregohet si pjesë thelbësore e misionit kishtar dhe si "veprim i mirëfilltë kishtar". Në këtë drejtim, Papa Leoni XIV kujton shkrimet e Shën Ciprianit mbi përhapjen e murtajës në kohën e tij, për të treguar se si pikërisht në rrethana të tilla matet "shëndeti" i një shoqërie, edhe i asaj të sotme:
 
Kjo epidemi, kjo murtajë, që duket e tmerrshme dhe vdekjeprurëse, vë në provë drejtësinë e secilit dhe ekzaminon ndjenjat e gjinisë njerëzore: nëse të shëndoshët u shërbejnë të sëmurëve, nëse të afërmit i duan me respekt familjarët e tyre, nëse zotërinjtë kanë dhembshuri për shërbëtorët që janë keq, nëse mjekët nuk i braktisin të sëmurët që kërkojnë ndihmë.
 
"Dhimbja që na prek"
 
“Të jesh një në Njërin (Zotin)”, rithekson Papa, do të thotë të pranosh të qenit “gjymtyrë të një trupi të vetëm”, në të cilin secili, sipas thirrjes së vet, përcjell dhembshurinë hyjnore për vuajtjen universale.
 
Dhimbja që na prek nuk është një dhimbje e huaj, është dhimbja e një gjymtyre të po atij trupi tonë, për të cilin Kreu ynë, Jezusi, na urdhëron të kujdesemi për të mirën e të gjithëve.
 
Dashuri të pandashme
 
Duke reflektuar më tej mbi afërsinë ndaj të sëmurit, Papa Leoni XIV kujton përsëri Ungjillin sipas Lukës: “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë fuqinë tënde dhe me gjithë mendjen tënde; edhe të afërmin tënd porsi vetveten” (Lk 10,27). Një urdhër i dyfishtë që njeh primatin e dashurisë për Zotin dhe pasojën e saj të drejtpërdrejtë për mënyrën se si njeriu dashuron dhe krijohen marrëdhënie në të gjitha përmasat e tij. Dy dashuri "të dallueshme" e megjithatë "të pandashme".
 
Primati i dashurisë hyjnore nënkupton që veprimi i njeriut të kryhet pa interes personal apo shpërblim, por si shfaqje e një dashurie që tejkalon normat rituale dhe shndërrohet në një kult autentik: t’i shërbesh të afërmin do të thotë të duash Zotin me vepra.
 
Marrëdhëniet realizojnë njeriun
 
Kjo perspektivë mundëson gjithashtu rizbulimin e kuptimit të vërtetë të dashurisë ndaj vetvetes, duke e çliruar vetëvlerësimin nga stereotipet e suksesit, karrierës, pozitës shoqërore apo prejardhjes, dhe duke rimarrë vendosjen e duhur personale para Zotit dhe vëllait. Siç shkruante Benedikti XVI në Enciklikën Caritas in veritate:
 
Krijesa njerëzore, duke qenë se ka natyrë shpirtërore, realizohet në marrëdhëniet ndërpersonale. Sa më shumë që i jeton ato në mënyrë autentike, aq më shumë piqet edhe identiteti i saj personal. Njeriu nuk e vlerëson veten duke u izoluar, por duke u vendosur në marrëdhënie me të tjerët dhe me Zotin.
 
Përmasa e "samaritanit"
 
Papa përfundon me urimin për një stil jete që nuk i mungon përmasa e "samaritanit të mirë", gjithëpërfshirës dhe guximtar, i angazhuar dhe solidar, me rrënjë në bashkim me Zotin.
 
Të përflakur nga kjo dashuri hyjnore, ne vërtet do të mund të dhurohemi për të mirën e të gjithë atyre që vuajnë, veçanërisht për vëllezërit tanë të sëmurë, të moshuar dhe të pikëlluar./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.