Ministri rus i Transportit, Roman Starovoit, është gjetur i vdekur afër Moskës, vetëm disa orë pasi presidenti rus Vladimir Putin e shkarkoi atë.
Siç raportojnë mediat ruse, një armë u gjet pranë trupit të Starovoit.
Edhe pse ato thonë se ai u vetëvra, deri më tani nuk është publikuar asnjë informacion zyrtar mbi shkakun e vdekjes.
Kremlini nuk dha detaje ose arsye specifike për shkarkimin e Starovoit, i cili kishte shërbyer si guvernator i rajonit Kursk të Rusisë përpara se të riemërohej ministër i transportit në maj 2024.
Megjithatë, shkarkimi i tij erdhi pasi pothuajse 300 fluturime u anuluan në aeroportet kryesore gjatë fundjavës së kaluar për shkak të sulmit të fundit me dronë ukrainas, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Bëhet e ditur se të shtunën dhe të dielën, 485 fluturime përfunduan duke u anuluar, sipas agjencisë federale ruse të aviacionit, Rosaviatsiya.
Në total, nga mëngjesi i hershëm i së shtunës deri në mëngjesin e së hënës, rreth 1,900 fluturime u vonuan për shkak të asaj që agjencia e quajti “kufizime të hapësirës ajrore të vendosura në aeroportet në Rusinë qendrore”.
Portuali i kontrolluar nga Kremlini, Komersant, raportoi se ndërprerjet u kushtuan linjave ajrore mbi 200,000 euro.
Ndërsa Rusia ka intensifikuar sulmet e saj ajrore kundër civilëve ukrainas dhe infrastrukturës banesore dhe energjetike, Kievi po synon vendet ushtarake dhe infrastrukturën e luftës të Rusisë.
Shtabi i përgjithshëm ushtarak i Ukrainës tha se forcat ukrainase goditën bazën ajrore Borisoglebsk në rajonin Voronezh të Rusisë.
Borisoglebsku besohet të jetë baza e aeroplanëve luftarakë Su-34, Su-35S dhe Su-30SM të Rusisë. /Telegrafi/