Edhe shtetet e Evropës po përballen me mot ekstrem. Derisa veriu dhe perëndimi i kontinentit përjetojnë borë, ngrica dhe kaos në transport, Ballkani po goditet nga përmbytje si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. Autoritetet në disa vende kanë aktivizuar masa emergjente për të mbrojtur qytetarët dhe infrastrukturën.
Disa vende evropiane po përballen me reshje të dendura bore, acar dhe ngrica, ndërsa një pjesë e Ballkanit po përjeton vërshime dhe përmbytje si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm.
Në Francë, konkretisht në periferi të Parisit, bora dhe akulli kanë shkaktuar kaos në trafik. Kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve nuk kanë arritur të hedhin kripë në të gjitha akset, të cilat brenda pak orësh u shndërruan në pista akulli, duke rritur ndjeshëm numrin e aksidenteve.
Edhe në Holandë, pas disa vitesh pa reshje të mëdha bore, situata ka qenë e vështirë. Ushtria u angazhua për të ndihmuar autoritetet në pastrimin e pistave në aeroportin e Eindhovenit, ku janë anuluar fluturimet. Anulime dhe vonesa janë regjistruar edhe në aeroportin Schiphol në Amsterdam.
Vështirësi në qarkullim janë raportuar edhe në Bruksel dhe në disa zona të Hungarisë, për shkak të ngricave dhe rrugëve të rrëshqitshme. Ndërkohë, disa vende të Ballkanit po përballen me përmbytje.
Në Bosnje dhe Hercegovinë, lumi Drina, në qytetin e Bijeljinës, ka arritur kuotën kritike prej 4 metrash e 85 centimetra, ndërsa banorët përgjatë rrjedhës së tij janë paralajmëruar për rrezik nga përmbytjet. Lumi Osanica ka shkatërruar një urë, ndërsa telashe janë raportuar edhe në kantonin e Hercegovinës-Neretvës, përfshirë qytetet Mostar dhe Konjic.
Edhe në Mal të Zi, reshjet e dendura të shiut kanë rritur ndjeshëm nivelin e lumenjve Moraça, Cijevna dhe Zeta, duke shkaktuar përmbytje në disa zona urbane dhe rurale të vendit.