Lufta, zhvendosjet masive dhe përkeqësimi i kushteve të jetesës në Rripin e Gazës po shoqërohen me rritje të rasteve të dhunës me bazë gjinore, përfshirë martesat e hershme dhe të detyruara, sipas raporteve të Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA).
Sipas të dhënave të mbledhura nga 10 organizata, rastet e raportuara të martesave të hershme dhe të detyruara janë rritur me 123 për qind në tremujorin e dytë të vitit, krahasuar me tre muajt e parë. Rastet e martesave të hershme përfshijnë vajza nga 12 deri në 17 vjeç.
UNFPA paralajmëron se kriza e zgjatur humanitare ka krijuar kushte ku gratë dhe vajzat janë gjithnjë e më të ekspozuara ndaj dhunës me bazë gjinore.
“Trendet janë tronditëse”, deklaroi përfaqësuesi i UNFPA-së për Palestinën, Nestor Oëomuhangi.
Sipas tij, lufta, vdekjet masive, shkatërrimi dhe zhvendosjet e përsëritura kanë dëmtuar rëndë strukturat shoqërore në Gaza.
“Gjithçka është gërryer... nuk ka më sistem”, tha Oëomuhangi, duke përshkruar pasojat e krizës së zgjatur.
Vajzat përballen me rreziqe të shtuara
Një raport tjetër i UNFPA-së, i bazuar në dëshmi nga 230 gra të zhvendosura në kampe në qytetin e Gazës dhe Khan Younis, dokumenton raste të dhunës seksuale, abuzimit dhe martesave të hershme.
Një grua e zhvendosur tha se, në disa raste, viktimat e përdhunimit martohen me personat që i kanë dhunuar, për shkak të presionit shoqëror dhe frikës nga turpi.
“Kur rastet e përdhunimit zbulohen në shkolla, të nesërmen gjen dasma dhe festime në atë shkollë”, rrëfeu ajo.
Dëshmitë e mbledhura nga gratë përshkruajnë gjithashtu raste ku varfëria ekstreme është shndërruar në faktor që i shtyn familjet drejt martesave të vajzave në moshë të mitur.
Një prej grave të intervistuara pretendoi se një vajzë 14-vjeçare ishte martuar në këmbim të ushqimit gjatë periudhës së urisë.
“Një burrë e martoi vajzën e tij 14-vjeçare në këmbim të dy thasëve me miell”, tha ajo.
Sipas raportit, gjashtë gra të intervistuara në kampe të ndryshme për personat e zhvendosur folën për raste të ngjashme shkëmbimesh.
Jetimët dhe vajzat adoleshente në rrezik
Raporti i UNFPA-së, i bazuar në një studim të zhvilluar në fund të vitit 2025 dhe fillim të vitit 2026, thekson se vajzat që kanë humbur prindërit gjatë luftës janë veçanërisht të cenueshme.
Një grua e intervistuar në një kamp në qytetin e Gazës tregoi për martesën e dy vajzave të familjes së saj, 14 dhe 15 vjeç.
“Xhaxhallarët e tyre i martuan kur ishin shumë të reja”, tha ajo, duke shtuar se prindërit e vajzave kishin vdekur gjatë luftës dhe se të afërmit kishin dashur të shmangnin përgjegjësinë dhe shpenzimet e kujdesit për to.
Organizatat që punojnë në Gaza thonë se vajzat që martohen në moshë shumë të re përballen më pas edhe me rreziqe të tjera, përfshirë shtatzënitë dhe komplikimet shëndetësore.
Sipas Qendrës për Çështjet e Grave në Gaza, e cila bashkëpunon me UNFPA-në dhe organizata të tjera, janë dokumentuar raste të vajzave të reja që pas martesës kanë përjetuar abuzim dhe kanë mbetur shtatzënë.
Varfëria dhe zhvendosja
Kriza ekonomike dhe humanitare mbetet një nga faktorët kryesorë që rëndojnë mbi familjet. Edhe pse tregjet janë rihapur në disa zona, shumë banorë nuk kanë mundësi financiare për të blerë ushqimet dhe produktet bazë.
Ndërkohë, shumica e popullsisë së Gazës vazhdon të jetojë pas zhvendosjeve të përsëritura, në tenda ose ndërtesa të dëmtuara, shpesh pa privatësi dhe në kushte të pasigurta.
UNFPA vëren se mbyllja e zgjatur e shkollave ka ndikuar rëndë edhe te fëmijët. Ndërsa djemtë përballen me presionin për të punuar në mënyrë informale për të ndihmuar familjet, vajzat përballen me shqetësime në rritje për sigurinë e tyre.
Në këtë situatë, disa familje e konsiderojnë martesën e vajzave si mënyrë për t'i mbrojtur ato nga ngacmimet dhe abuzimi, por organizatat e të drejtave të grave e konsiderojnë martesën e hershme një formë të dhunës me bazë gjinore.
UNFPA thekson se shifrat nuk paraqesin domosdoshmërisht përmasën e plotë të fenomenit, pasi mbledhja e të dhënave në kushtet e luftës dhe zhvendosjeve mbetet jashtëzakonisht e vështirë.