Opozita proevropiane dhe organizatat e shoqërisë civile kanë kërkuar shkarkimin e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, pasi deklaroi se në vitin 1998 do ta “spastronte etnikisht Kosovën”. Sipas tyre, bëhet fjalë për gjuhë urrejtjeje dhe normalizim të idesë së dëbimit etnik.
Deklarata e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, se po të kishte qenë në vend të Slobodan Millosheviqit do ta “spastronte etnikisht Kosovën në vitin 1998”, shkaktoi reagime të ashpra politike, kërkesa për shkarkimin e saj dhe hapi një debat të ri mbi kufijtë e diskursit politik në Serbi dhe raportin e shtetit ndaj luftërave të viteve nëntëdhjetë.
Ndër të parat reagoi Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG), e cila e vlerësoi deklaratën si gjuhë urrejtjeje dhe thirrje të hapur për dëbim etnik, duke kërkuar nga kryeministri Gjuro Macut ta shkarkojë ministren.
“Një person që arsyeton dëbimin e njerëzve vetëm për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare nuk mund të jetë anëtar i Qeverisë së Serbisë, e aq më pak ministre që duhet të garantojë barazinë e të gjithë qytetarëve para institucioneve dhe respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve. Nëse kryeministri Gjuro Macut nuk propozon shkarkimin e Snezhana Paunoviqit, kjo do të jetë dëshmi se Qeveria aktuale nuk është e gatshme të distancohet nga politika e nacionalizmit dhe luftërave të viteve nëntëdhjetë”, thuhet në reagimin e PSG-së.
Partia kërkoi gjithashtu që prokuroria kompetente të shqyrtojë nëse deklaratat e ministres përmbajnë elemente të veprës penale të nxitjes së urrejtjes dhe mosdurimit kombëtar, racor dhe fetar, sipas nenit 317 të Kodit Penal.
Paunoviq deklaroi për TV Kurir se me termin “spastrim etnik” nuk kishte nënkuptuar vrasje, por “largimin e të gjithë atyre që nuk ndiheshin qytetarë të Republikës Federale të Jugosllavisë së atëhershme” në, siç tha ajo, “vendin e tyre amë”.
PSG vlerëson se ky sqarim nuk e zbuti deklaratën, por përkundrazi e konfirmoi edhe më tej kuptimin e saj, pasi dëbimi i njerëzve për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare, sipas tyre, përbën thirrje për spastrim etnik.
Reagoi edhe partia Serbia Qendra (SRCE), e cila kërkoi nga kryeministri Gjuro Macut të deklarohet nëse fjala e ministres përfaqëson qëndrimin zyrtar të Qeverisë dhe të iniciojë shkarkimin e saj.
“Kryeministri Macut duhet t’i përgjigjet urgjentisht opinionit nëse kjo deklaratë shoviniste është politikë zyrtare e Qeverisë së tij, nëse ai personalisht dhe politikisht qëndron pas këtyre fjalëve, si dhe çfarë masash konkrete do të ndërmarrë ndaj ministres nëse kjo nuk është politikë e Qeverisë, përfshirë kërkesën për dorëheqjen ose procedurën për shkarkimin e saj në Kuvend”, thuhet në reagimin e SRCE-së.
SRCE vlerësoi se deklarata e ministres paraqet rikthim të retorikës së “periudhave më të errëta” të historisë së re të Serbisë dhe paralajmëroi se është e papranueshme që një anëtare e Qeverisë të promovojë publikisht politika që, sipas tyre, e çuan vendin gjatë viteve nëntëdhjetë në izolim ndërkombëtar, sanksione dhe luftëra.
Sipas SRCE-së, deklarata të tilla tregojnë hendekun ndërmjet angazhimit deklarativ të pushtetit për integrimet evropiane dhe mesazheve që dërgojnë funksionarët më të lartë shtetërorë. Ata vlerësojnë se mungesa e reagimit nga kryeministri Gjuro Macut do të nënkuptonte pranimin e një diskursi të tillë politik.
Reagoi edhe shoqëria civile
Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, vlerësoi se ministrja me deklaratën e saj nuk flet për Serbinë që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Kur ministrja e Qeverisë së Serbisë, Snezhana Paunoviq, e paraqet spastrimin etnik si zgjidhje politike, ajo nuk flet në emër të Serbisë që është në rrugën drejt Bashkimit Evropian, por në emër të ideologjisë së luftërave të viteve nëntëdhjetë”, shkroi Kandiq në rrjetin social X.
Deklaratën e dënoi ashpër edhe Grupi i Punës i Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian për Kapitullin 35, i cili e cilësoi atë si gjuhë urrejtjeje dhe i bëri thirrje kryeministrit Gjuro Macut ta shkarkojë menjëherë ministren.
“Deklarata e ministres Paunoviq përbën gjuhë urrejtjeje dhe tregon se në Serbi ende janë në pushtet mbrojtësit e ideve kriminale të Slobodan Millosheviqit, të cilat çuan në vuajtje masive njerëzore, në një numër të madh vendimesh gjyqësore ndërkombëtare dhe vendore për krime lufte, në humbjen e kontrollit mbi Kosovën pas Marrëveshjes së Kumanovës dhe në dëmtimin afatgjatë të reputacionit ndërkombëtar të Serbisë”, thuhet në reagimin e Grupit të Punës.
Grupi i Punës i bëri thirrje edhe kryetarit të Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiq, të distancohet publikisht nga deklarata e Snezhana Paunoviqit dhe ta përjashtojë atë nga anëtarësia në SPS.
Konteksti historik dhe juridik
Snezhana Paunoviq, me origjinë nga Peja, është funksionare e Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), parti politike udhëheqësi i së cilës gjatë viteve nëntëdhjetë ishte Slobodan Millosheviqi. Kundër tij, në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, u zhvillua proces gjyqësor për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, por ai nuk përfundoi pasi Millosheviqi vdiq në vitin 2006 gjatë gjykimit.
Deklarata e ministres vjen gati tri dekada pas luftës në Kosovë, gjatë së cilës, sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, u vranë më shumë se 13.000 njerëz, ndërsa rreth 800.000 shqiptarë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre.
Për krimet e kryera në Kosovë, para Tribunalit të Hagës u gjykuan Slobodan Millosheviqi dhe gjashtë bashkëpunëtorët e tij më të afërt. Edhe pse procesi ndaj Millosheviqit nuk përfundoi për shkak të vdekjes së tij, në aktgjykimet përfundimtare në rastet “Shainoviq dhe të tjerët” dhe “Gjorgjeviq”, ai përmendet si pjesëmarrës në një ndërmarrje të përbashkët kriminale.
Me dënime shumëvjeçare me burg për krimet ndaj shqiptarëve të Kosovës janë dënuar Nikola Shainoviq, Nebojsha Pavkoviq, Dragoljub Ojdaniq, Vladimir Lazareviq, Sreten Lukiq dhe Vlastimir Gjorgjeviq për deportime, përndjekje, vrasje dhe zhvendosje të detyruar të popullsisë.
Përveç vendimeve të Tribunalit të Hagës, edhe gjykatat në Serbi kanë shqiptuar një numër aktgjykimesh të formës së prerë për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë. Ndër më të rëndësishmet janë aktgjykimi për masakrën në Suharekë, ku u vranë 48 anëtarë të familjes Berisha; aktgjykimi për krimin në Podujevë, ku pjesëtarët e njësisë “Shkorpionët” u dënuan për vrasjen e 14 civilëve shqiptarë, mes tyre shtatë fëmijë; si dhe aktgjykimi në rastin Trnje, ku ish-pjesëtari i Ushtrisë Jugosllave, Rajko Kozlina, u dënua për vrasjen e 15 civilëve shqiptarë. Në të njëjtën kohë, disa procedura për krime lufte në Kosovë, si rasti “Qyshk”, ende nuk kanë marrë epilog përfundimtar, më shumë se dy dekada pas luftës.
Deklarata skandaloze e Snezhana Paunoviqit ka rihapur debatin mbi raportin e Serbisë ndaj fakteve të vërtetuara gjyqësisht për krimet e luftës dhe trashëgimisë së luftërave të viteve nëntëdhjetë.