Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë hyrë në një fazë të re përshkallëzimi, pasi gjatë fundjavës të dyja palët kryen sulme të ndërsjella dhe pretenduan se kanë goditur objektiva ushtarake strategjike pranë Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë, transmeton Gazeta Metro.
Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) njoftoi se ka realizuar sulme të cilësuara si “vetëmbrojtëse” kundër radarëve iranianë dhe qendrave të komandimit të dronëve në zonën e Gorukut dhe në ishullin Qeshm të Iranit.
Nga ana tjetër, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) deklaroi se ka goditur një bazë ajrore të përdorur nga forcat amerikane si kundërpërgjigje ndaj veprimeve të Uashingtonit, pa zbuluar vendndodhjen e saktë të objektivit.
Zhvillimet vijnë në një kohë kur përpjekjet diplomatike për uljen e tensioneve mbeten të paqarta. Sipas mediave amerikane, presidenti Donald Trump ka kërkuar ndryshime në kushtet e fundit të një propozimi që synon arritjen e një marrëveshjeje paqeje, ndërsa deri më tani nuk raportohet për ndonjë progres konkret në negociata./gazetametro.net