Papa: erërat e luftës të mos e shuajnë shpresën, të kthehemi te dialogu
Papa: erërat e luftës të mos e shuajnë shpresën, të kthehemi te dialogu 13.07.2026 | 02:30
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot nga Sheshi i Lirisë, në Castel Gandolfo, Papa Leoni XIV u rikthye te rindezja e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe kriza në Ukrainë, duke ftuar të ndiqen udhët diplomatike.
 
Në "Të Dielën e detit", shprehu afërsinë me të gjithë punonjësit e detit e të porteve, kushtet e të cilëve vështirësohen nga tensionet ushtarake. Së fundi, kujtoi edhe shtegtimin tradicional marian të besimtarëve polakë, në Jasna Góra.
 
Të dielën e parë të qëndrimit të tij veror në Castel Gandolfo, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot - para derës kryesore të Pallatit Apostolik me pamje nga Piazza della Libertà - Ati i Shenjtë Leoni XIV i drejtoi mendimet ndër shumë zona të botës të prekura nga konfliktet e armatosura, të cilat shkaktojnë vuajtje, veçanërisht ndërmjet civilëve. Papa përmendi qartë Lindjen e Mesme, me shkallëzimin e tensioneve ndërmjet SHBA-së dhe Iranit, pas shpresave të shuara për  marrëveshje, si dhe krizën në Liban. Skenari tjetër i luftës, që e shqetëson Atin e Shenjtë, është ai ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, me sulmet intensive të ditëve të fundit në Kharkiv, Dnipro, Kiev dhe Odessa.
 
Fatkeqësisht, erërat e luftës po fryjnë përsëri në Lindjen e Mesme, në Ukrainë dhe në shumë vise të tjera të botës, e po  mbjellin dhunë, terror e vdekje, duke goditur përsëri një morì njerëzish të pafajshëm.
 
Papa Prevost na inkurajon të mos e humbasim besimin dhe të rizbulojmë rrugën e dialogut e të bisedimeve si e vetmja rrugë e aftë për të sjellë  pajtim të qëndrueshëm ndërmjet popujve.
 
Të mos lejojmë që këto erëra ta shuajnë flakën e shpresës e të paqes, edhe kur ajo duket e brishtë dhe e lëkundur. Përsëris shpresën se rruga e dialogut, e takimit dhe e diplomacisë do të ndiqen me këmbëngulje, si e vetmja rrugë e aftë të çojë në një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, në të cilën popujt të mund të jetojnë të pajtuar, në siguri të ndërsjelltë dhe me respekt për dinjitetin e çdo njeriu.
 
Një lutje për "punëtorët e detit"
 
Në ditën kur Kisha Katolike i fton besimtarët të luten për njerëzit që jetojnë e punojnë në det - tradicionalisht e caktuar të dielën e dytë të korrikut - dhe të reflektojnë mbi rëndësinë e një burimi nga i cili del afërsisht 90% e tregtisë globale, Pasardhësi i Pjetrit, Leoni XIV shprehu shqetësimin për pasojat e luftërave, në kushtet tashmë sfiduese të punës së kësaj kategorie.
 
Sot është "E Diela e Detit". Mendimet e mia shkojnë tek të gjithë detarët, peshkatarët dhe punonjësit e portit në mbarë botën të cilët, larg nga të dashurit e tyre dhe ndonjëherë nga frika e konflikteve që përfshijnë detin, e mbështesin tregtinë dhe jetën e shumë popujve me punën e tyre të duruar dhe të heshtur.
 
Devocioni i polakëve për Zojën e Zeshkët të Jasna Górës
 
Në përfundim të lutjes mariane të Engjëllit të Zotit, Leoni XIV kujtoi shtegtimin shekullor marian në Częstochowa, një nga manifestimet më të rëndësishme të fesë në Poloni dhe në Evropë, që shikon qindra mijëra besimtarë të dynden në Shenjtoren e Manastirit Jasna Góra çdo vit, për të nderuar ikonën e famshme të Zojës  së Zezë të Częstochowa-s:
 
Së fundmi, bashkohem në lutje me shumë besimtarë polakë të mbledhur për shtegtimin vjetor para ikonës së Jasna Górës, në mënyrë që, si dishepuj misionarë, të jenë dëshmitarë të gëzuar të Ungjillit./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.