Papa: të kërkojmë paqe për prijësit e Kombeve
Papa: të kërkojmë paqe për prijësit e Kombeve 23.05.2022 | 14:01
Nuk mund të japësh paqe, nëse nuk je në paqe: këtë pohoi Françesku në Lutjen e Mbretëreshës Qiellore duke komentuar fjalët e Jezusit në Darkën e Mbrame, shprehje e një shpirti të butë, edhe pse të prekur nga frika. Për këtë na fton Françesku: t’u japim fund mosmarrëveshjeve dhe të endim fillin e harmonisë. Për Jezusin kjo dëshmi vlen më tepër se një mijë fjalë e predikime.
 
Në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, Papa Françesku e çtensionoi atmosferën, në të cilën po jeton bota e sotme e tmerruar nga vringëllimat e luftës, e etur për paqe, në pritje të padurueshme të saj. E në këtë atmosferë Papa na rikujtoi shprehjen e shumëdëshiruar të Krishtit: “Po ju jap paqen time”.
 
Ju, që nuk dini të jetoni në paqe! Është Ai që na jep forcën për të falur, për të filluar nga e para. Me të ne bëhemi burra dhe gra të paqes.
 
Krishti u jep lamtumirën dishepujve
 
Prekëse, faqja e sotme ungjillore. Darka e Fundit! Kur Krishti u jep lamtumirën dishepujve të tij duke shqiptuar si një lloj testamenti: “Po ju lë paqen”. E duke shtuar më pas menjëherë: “Po ju jap paqen time” (Gjn 14.27).  Në këto dy fjali të shkurtëra u ndalua sot Papa, gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, duke iu drejtuar një turme, që vjen duke u shtuar çdo të dielë, si të donte të gjente mbështetje tek Ati - ndërsa bota i lëkundet nën këmbë. Papa e ftoi turmën për t’u ndaluar pikërisht tek këto shprehje të shkurtra, nga të cilat buron një optimizëm i pashoq, në mes të pesimizmit po aq të rëndë!
 
Po ju lë paqen!
 
“Po ju lë paqen”. Jezusi - vijoi Papa - merr lejen të flasë, me fjalë që shprehin dashuri dhe qetësi, e këtë e bën në një çast që  nuk është aspak paqësor:
 
“Juda doli për ta tradhtuar, Pjetri është  duke e mohuar, të tjerët pas pak do ta braktisin: Zoti e di këtë. E megjithatë nuk qorton, nuk përdor fjalë të rënda, nuk bën fjalime të ashpra. Në vend që të    sticohet, mbetet i butë. Deri në fund. Një fjalë e urtë thotë se  vdiset ashtu siç jetohet”.
 
Orët e fundit, thelb i gjithë jetës
 
Orët e fundit të Jezusit janë thelb i gjithë jetës së tij. Ka frikë e dhimbje, por nuk inatoset, as nuk proteston. Edhe pse ka shumë arsye për ta bërë këtë:
 
“E frenon hidhërimin, nuk e shfren dhimbjen, nuk e humbet durimin. Ai është në paqe, një paqe që vjen nga zemra e tij e butë, ku banon besimi”.
 
Prej këndej - kujtoi Papa -  rrjedh paqja që na lë Jezusi. Sepse nuk mund t’ua lësh paqen të tjerëve, nëse nuk e ke në shpirtin tënd. Nuk mund të japësh paqe, nëse nuk ke paqe!
 
Mund të jesh i butë në çdo situatë
 
Unë ju lë paqen - vijon të na kujtojë Jezusi. E me këtë shprehje na bind se mund të jemi të butë edhe kur e ndjemë se po na këputet padrejtësisht filli i jetës. Kësaj i thonë ta dëshmosh Jezusin! Pastaj Papa na merr përdore e nga Darka e mbrame na sjell rishtas në ditët tona, në viset ku banojmë.
 
Në gjurmët e Krishtit
 
Jezusi na do edhe ne të butë, zemërgjërë, të gatshëm për të dëgjuar, të aftë për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe për të endur fillin e harmonisë. Kjo është dëshmi për Jezusin dhe vlen më tepër se një mijë fjalë dhe se shumë predikime.
 
 Le të pyesim veten si sillemi ne, dishepujt e Jezusit, në vendet ku jetojmë:
 
“… a i lehtësojmë tensionet, a i japim fund konflikteve? A ndeshemi me ndokënd e jemi gjithnjë të gatshëm për t’u kacafytur, për të shpërthyer, apo dimë të përgjigjemi pa e përdorur dhunën, me fjalë e gjeste të buta?”.
 
Sigurisht - kujtoi Papa - kjo butësi nuk është e lehtë: të qetësosh konfliktet duhet lodhje e madhe, në çdo nivel! E këtu - vijoi Papa në vijim të Lutjes së Mbretëreshës Qiellore - na vjen në ndihmë premtimi i dytë i Jezusit: “Po ju jap paqen time”:
 
“Ai e di se ne vetë nuk jemi në gjendje ta ruajmë paqen, se kemi nevojë për një ndihmë, për një dhuratë. Paqja, angazhimi ynë, është para së gjithash dhuratë nga Zoti. Jezusi vijon të na thotë: ‘Unë ju jap paqen time. Jo siç e jep bota, po jua jap ju’”.
 
Si është paqja e Zotit, që bota nuk na e jep?
 
E këtu lutja e Papës arrin një kulm. Ati i Shenjtë pyet:
 
“Çfarë është kjo paqe që bota nuk e njeh dhe Zoti na e jep? Është Shpirti Shenjt, Shpirti i vetë Jezusit. Prania e Zotit në ne, forca e paqes së Zotit.
 
Është Ai që e çarmatos zemrën dhe e mbush me paqe. Është Ai që zbut ngurtësinë dhe shuan tundimet për të sulmuar të tjerët. Është Ai që na kujton se pranë nesh ka vëllezër dhe motra, jo pengesa dhe kundërshtarë. Është Ai që na jep forcën për të falur, për të filluar nga e para. Me të ne bëhemi burra dhe gra të paqes”.
 
Ta kërkojmë me ngulm dhuratën e Shpirtit Shenjt: paqen!
 
Të dashur vëllezër dhe motra - tha në përfundim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore Papa - asnjë mëkat, asnjë dështim, asnjë inat nuk duhet të na ndalojë ta kërkojmë me ngulm dhuratën e Shpirtit Shenjt:
 
“Sa më shumë ndjejmë se zemra trazohet, sa më shumë na vlon në shpirt nervozizmi, intoleranca, zemërimi, aq më shumë duhet t'i kërkojmë Zotit Shpirtin e paqes. Ta përsërisim çdo ditë lutjen: ‘Zot, më jep paqen tënde, më jep Shpirtin e Shenjtë’. E ta kërkojmë edhe për ata që jetojnë pranë nesh, për ata që takojmë çdo ditë dhe për prijësit e kombeve”.
 
Si zakonisht, në përfundim të lutjes mariane, urata drejtuar asaj, që është Nëna e Princit të Paqes e Nëna jonë:
 
“Na ndihmoftë Zoja që ta mirëpresim Shpirtin Shenjt për të qenë veprimtarë të paqes!”./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.