Në audiencën e sotme të përgjithshme, Papa priti kreun e Kishës Apostolike Armene – Selia e Kilikisë, duke shprehur mirënjohjen për angazhimin e tij në favor të ekumenizmit dhe duke uruar që vizita e tij në Romë të përbëjë “një hap të mëtejshëm në rrugëtimin drejt unitetit të plotë”.
Lutja e përbashkët për paqen në Liban dhe në Lindjen e Mesme, të copëtuara nga konfliktet dhe dhuna, si dhe mirënjohja për përkushtimin personal ndaj dialogut ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishave Ortodokse Orientale. Kështu Papa Leoni XIV e priti Aramin I, Catholicos i Kishës Apostolike Armene – Selia e Kilikisë, në Sheshin e Shën Pjetrit, gjatë audiencës së sotme përgjithshme.
Kujtimi i Libanit
Arami I u prit nga Leoni XIV të hënën në Vatikan për një takim, i cili u pasua nga një moment lutjeje në Kapelën Urbano VIII në Pallatin Apostolik.
Në atë rast, Papa pati kujtuar Libanin, një tokë “aq shumë e dashur” për të, duke shprehur “shqetësimin e thellë” për momentin në të cilin uniteti dhe integriteti i vendit janë të kërcënuar. Një apel që bën jehonë edhe sot:
Të lutemi gjithashtu për paqen në Liban dhe në Lindjen e Mesme, edhe një herë të copëtuara nga dhuna dhe lufta.
Angazhimi në favor të ekumenizmit
Vizita e Catholicos-it, shpjegon Papa duke folur fillimisht në italisht, përfaqëson një rast për të forcuar lidhjet e unitetit që ekzistojnë tashmë, në perspektivën e një “bashkimi të plotë” ndërmjet dy Kishave. Ditët që i paraprijnë Rrëshajave, vijon Leoni XIV duke kaluar në anglisht, na ftojnë të lutemi që qëndrimi i Aramit I dhe i delegacionit të tij të përbëjë “një hap të mëtejshëm në rrugëtimin drejt unitetit të plotë”.
Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të veçantë për angazhimin tuaj të vazhdueshëm personal në favor të ekumenizmit, veçanërisht për dialogun teologjik ndërkombëtar ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishave Ortodokse Orientale.
Ndërmjetësimi i shenjtërve
Në fund, Papa kërkon ndërmjetësimin e Shën Gregorit Ndriçuesi, apostull i armenëve; të Shën Gregorit të Narekut, meshtar dhe murg; si dhe të Shën Nersesit të Hirtë, catholicos i Kilikisë i cili, siç kujtoi Papa në audiencën e së hënës së kaluar, “mund të konsiderohet pionieri i ekumenizmit dhe përfshirja e tij e fundit në regjistrin e Martirologut Romak është një shembull i mëtejshëm i atij ekumenizmi të shenjtorëve që tashmë i bashkon Kishat tona”./Radio Vatikani