Papa në FAO: Buka nuk duhet të përdoret kurrë si armë lufte
Papa në FAO: Buka nuk duhet të përdoret kurrë si armë lufte 16.10.2026 | 03:16
Në mesazhin me rastin e Ditës Botërore të Ushqimit, Papa Leoni XIV i shkruan drejtorit të përgjithshëm të FAO-s, Qu Dongyu, duke theksuar se uria nuk është thjesht një anomali statistikore, por pasojë e mungesës së vullnetit politik dhe solidaritetit kolektiv. Ati i Shenjtë kërkon që të gjithëve t’u garantohet e drejta për ushqim të sigurt, të përshtatshëm dhe të mjaftueshëm.
 
Pas apelit të së dielës së kaluar, në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Leoni XIV e ripohon thirrjen e tij edhe sot, më 16 tetor, me rastin e Ditës Botërore të Ushqimit, që sivjet ka për temë “Inovoni sot për të ushqyer nesër”: duke nënvizuar se buka e përditshme e miliona njerëzve nuk mund të mbahet peng nga lufta.
 
Në mesazhin drejtuar drejtorit të përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), Qu Dongyu, Papa ripohon thirrjen që ushqimi të mos shndërrohet në mjet presioni apo në armë kundër popullsive të pambrojtura. Ky apel përkon me atë të përfaqësuesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, imzot Christophe-Zakhia El-Kassis, paraqitur dy ditë më parë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
 
Ka ardhur koha të dëshmojmë guxim moral
 
Ati i Shenjtë Leoni XIV nënvizon se është urgjente të garantohet për çdo njeri e drejta për ushqim të sigurt, të përshtatshëm dhe të mjaftueshëm.
 
Kjo, thekson Papa, nuk është thjesht një synim humanitar, por një detyrim drejtësie që i lidh si shtetet veçmas, ashtu edhe bashkësinë ndërkombëtare.
 
“Uria nuk mund të konsiderohet një anomali statistikore, sepse shkaktohet kryesisht nga mungesa e vullnetit politik dhe e solidaritetit kolektiv”, shkruan Papa Leoni XIV.
 
Ati i Shenjtë vëren se, ndërsa risitë teknologjike përshpejtojnë prodhimin, shpërndarja e ushqimit shpesh lihet pas dore. Tregjet e drithërave bëhen objekt spekulimesh financiare, ndërsa farërat, prej të cilave lind jeta në tokë, përfundojnë në duart e monopoleve që pengojnë zhvillimin e bujqësisë së vogël.
 
Buka nuk duhet të jetë as mjet presioni gjeopolitik, as armë lufte
 
Për të siguruar përmbushjen nevojave ushqimore për të ardhmen, Papa kërkon që prodhimi i ushqimit të çlirohet nga një mendësi thjesht spekulative, të lirohet nga ajo logjikë e ftohtë që sheh në bukën e njeriut jo një të drejtë, por një mundësi fitimi.
 
“Buka nuk duhet të jetë as mjet presioni gjeopolitik, as një mall financiar i paqëndrueshëm. Ajo nuk duhet të përdoret kurrë si armë lufte”, thekson Papa.
 
Duke iu drejtuar FAO-s dhe shteteve anëtare të saj, Leoni XIV i fton të mos kënaqen me analiza abstrakte apo deklarata me ndikim të kufizuar. Sipas tij, është e domosdoshme të dëshmohet guximi moral dhe të ndërtohet një rend i ri global ushqimor, në të cilin risitë teknologjike t’i nënshtrohen pa kushte respektimit të dinjitetit njerëzor, dhuratë e Zotit, dhe së mirës së përbashkët universale.
 
Papa bën gjithashtu thirrje që burimet e investuara në industrinë e armatimeve të orientohen drejt kërkimeve për një bujqësi të qëndrueshme dhe për rigjenerimin e tokave të degraduara.
 
Një risi që mbron njeriun dhe krijimin
 
Në përfundim, Ati i Shenjtë Leoni XIV nënvizon se përparimi në fushën e ushqimit nuk mund të matet vetëm me sasinë e drithërave të prodhuara. Ai duhet të vlerësohet edhe në bazë të respektimit të dinjitetit që Zoti i ka dhuruar çdo njeriu dhe të mbrojtjes së ekosistemit, për të cilin njerëzimi ka përgjegjësinë të kujdeset.
 
Mesazhi i Papës është i qartë: lufta kundër urisë kërkon jo vetëm përparim teknologjik, por edhe vullnet politik, drejtësi në shpërndarjen e burimeve dhe solidaritet konkret, në mënyrë që buka e përditshme të jetë e drejtë e çdo njeriu dhe të mos kthehet kurrë në instrument lufte./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.