Ekonomia e eurozonës u zgjerua me dyfishin e ritmit që analistët kishin pritur në lim të vitit, me vendet e Evropës Jugore në krye.
Produkti i Brendshëm Bruto në eurozonën me 20 anëtarë u rrit me 0,4% në tremujorin e parë krahasuar me tre muajt e mëparshëm, sipas të dhënave paraprake të publikuara të mërkurën nga agjencia evropiane e statistikave Eurostat.
Ekonomistët kishin parashikuar një rritje prej vetëm 0,2%.
Tremujori i katërt i vitit 2024 shënoi gjithashtu një zgjerim prej 0,2%.
Ndër ekonomitë kryesore të eurozonës, Spanja shënoi rritjen më të fortë me një rritje prej 0,6%, e ndjekur nga Italia me 0,3%, Gjermania me 0,2% dhe Franca me 0,1%.
“Evropa Jugore mbetet motori i rritjes”, theksoi Thomas Gitzel, kryeekonomist në ”VP Bank” duke treguar një nxitje të mundshme nga një sezon i favorshëm turistik.
Megjithatë, ekonomitë e orientuara nga eksporti si Gjermania janë gjithnjë e më të ndjeshme ndaj tensioneve gjeopolitike dhe pasigurisë tregtare.
Në veçanti, po rriten shqetësimet lidhur me një betejë të zgjatur tarifash me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, të cilën ekonomistët paralajmërojnë se mund të ndikojë rëndë në tregtinë e eurozonës deri në fund të vitit.
Për të mbështetur ekonominë në këtë mjedis të vështirë, Banka Qendrore Evropiane uli normat e interesit në prill për herë të shtatë që nga vera e kaluar, duke synuar të stimulojë kërkesën duke ulur kostot e financimit për bizneset dhe konsumatorët./atsh