Konflikti ka hyrë në muajin e gjashtë dhe ende nuk shihet zgjidhje në horizont. Spirale shprese vijnë nga pezullimi i bombardimeve amerikane gjatë gjithë fundjavës, megjithëse presidenti e lë të hapur opcionin ushtarak nëse negociatat e reja dështojnë. Kryeministri izraelit Netanyahu pritet sot në Shtëpinë e Bardhë.
Ka mundësi të arrihet një marrëveshje me Iranin: kështu deklaroi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili për ditë të tëra nuk jepte shpresa për rifillimin e bisedimeve me Teheranin. SHBA-të pezulluan bombardimet mbi territorin iranian gjatë gjithë fundjavës, megjithëse presidenti la të kuptohet se janë gati të rifillojnë nëse negociatat e ndërmjetësuara nga Pakistani dhe Katari dështojnë, duke mohuar kështu zërat për mungesë municionesh. Përveç kësaj, disa zyrtarë të administratës Trump deklaruan se sanksionet e Uashingtonit kundër Teheranit janë edhe më të dëmshme për vendin sesa bombat.
Çështja e kalimit në det
Një nga çështjet themelore në diskutim mbetet Ngushtica e Hormuzit, e cila bëri të dështojë marrëveshja e qershorit, duke sjellë mbi 60 vdekje dhe gati 700 të plagosur në vend. Irani nguli këmbë në të drejtën e tij për të kontrolluar rrugët përgjatë bregdetit, ndërsa SHBA-të vunë në dukje të drejtën për lundrim të lirë ndërkombëtar. Më tej, konflikti u zgjerua, duke përfshirë rebelët Huthi të Jemenit, të cilët kanë krijuar probleme për kalimet e anijeve në Detin e Kuq, duke kërcënuar mbylljen e kalimit Bab el-Mandeb. Lidhur me Hormuzin, pasdaranët iranianë e kanë bërë të qartë se do të flasin vetëm me Omanin, i cili u ka theksuar të dyja palëve nevojën për të ulur armët në zonë.
Takimi Trump-Netanyahu
Ndërkohë, kryeministri izraelit Netanyahu pritet sot në Shtëpinë e Bardhë për t'u takuar me presidentin Trump. Ai është në favor të vazhdimit të operacioneve në Iran dhe pritet të japë informacione mbi programin bërthamor iranian, veçanërisht për gjendjen e malit Kulang, i cili ndodhet pranë objektit bërthamor Natanz, si edhe mbi kapacitetin zhvillimor të Iranit. Në prag të vizitës së tij, Trump deklaroi se Izraeli është një nga vendet, që "nuk do të mbijetonte pa Shtetet e Bashkuara". Netanyahu ka një front të hapur edhe me Libanin: raundi i ardhshëm i bisedimeve për zgjerimin e zonave pilote, që i janë besuar ushtrisë së Bejrutit, është planifikuar për 4 gusht në Romë./Radio Vatikani