Irani pritet të japë përgjigje ndaj propozimit të Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund konfliktit, në një moment që konsiderohet vendimtar për ecurinë e negociatave, transmeton Gazeta Metro.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Uashingtoni ka zhvilluar “bisedime shumë të mira” me Teheranin gjatë 24 orëve të fundit, duke theksuar se ekziston vullnet për arritjen e një marrëveshjeje.
“Ata duan me ngulm të bëjnë një marrëveshje dhe do të shohim nëse do t’ia arrijmë. Nëse arrijmë aty, ata nuk mund të kenë armë bërthamore,” tha Trump, duke shtuar se situata ushtarake e Iranit është rënduar ndjeshëm gjatë konfliktit.
Ai gjithashtu paralajmëroi se SHBA mund të rifillojë sulmet nëse nuk arrihet marrëveshje.
Nga ana tjetër, Irani ka konfirmuar se po shqyrton propozimin amerikan, i cili sipas mediave ndërkombëtare parashikon një marrëveshje që do t’i jepte fund zyrtarisht luftës, por do të lërë të hapura disa çështje kyçe, përfshirë programin bërthamor iranian dhe situatën në Ngushticën e Hormuzit.
Presidenti iranian Masud Pezeshkian, në një bisedë me homologun francez Emmanuel Macron, ka deklaruar se SHBA “e ka goditur Iranin pas shpine”.
Sipas burimeve të Reuters, një marrëveshje mbi një memorandum të shkurtër njëfaqësh që do të formalizonte përfundimin e konfliktit është shumë pranë finalizimit./gazetametro.net