Selia e Shenjtë: "përgjigje të koordinuara kundër shkeljeve të të drejtave të njeriut"
Selia e Shenjtë: "përgjigje të koordinuara kundër shkeljeve të të drejtave të njeriut" 13.02.2026 | 02:48
Në fjalën e tij në Këshillin e Përhershëm të Organizatës së Shteteve Amerikane (OSA), imzot Juan Antonio Cruz Serrano, Vëzhgues i përhershëm i Vatikanit pranë këtij organizmi, siguron angazhimin e Selisë së Shenjtë për ta bërë rajonin “gjithnjë e më paqësor, të qëndrueshëm dhe mikpritës ndaj emigrantëve dhe të margjinalizuarve”.
 
Forcimi i institucioneve mbikëqeveritare dhe dialogu shumëpalësh i orientuar drejt së mirës së përbashkët për t'iu përgjigjur sfidave të sotme. Kjo është një nga pikat e forta të deklaratës së imzot Juan Antonio Cruz Serrano, Vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Organizatës së Shteteve Amerikane (OSA), me rastin e sesionit të tetë të jashtëzakonshëm të Këshillit të Përhershëm, të mbajtur më 11 shkurt në Uashington dhe kushtuar dialogut me Vëzhguesit e përhershëm. Duke kujtuar hyrjen e Selisë së Shenjtë në OSA në vitin 1978, imzot Cruz Serrano shprehu vlerësimin për rolin e organizmit “si një forum politik i privilegjuar për dialogun, bashkëpunimin dhe kërkimin e konsensusit midis shteteve të kontinentit amerikan”.
 
“Shtëpia e Amerikave”
 
Në fjalën e tij, Vëzhguesi i përhershëm i Vatikanit pranë Organizatës së Shteteve Amerikane (OSA), kujton se “Shtëpia e Amerikave”, e mbështetur në katër shtyllat e saj – demokracia, të drejtat e njeriut, siguria shumëpërmasore dhe zhvillimi integral – është e thirrur të pasqyrojë një vizion të gjithanshëm të personit njerëzor dhe të shoqërive, tema të cilat Selia e Shenjtë i promovon në mënyrë aktive në arenën ndërkombëtare. Rëndësia e një kulture demokratike “që bazohet në institucione solide dhe në dialogun si mjet thelbësor për zgjidhjen e konflikteve” është një pikë kryesore që duhet forcuar.
 
Promovimi i të drejtave të njeriut
 
Imzot Juan Antonio Cruz Serrano ndalet më pas te të drejtat e njeriut, duke ritheksuar angazhimin e vazhdueshëm të Selisë së Shenjtë “në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, me vëmendje të veçantë ndaj personave më nevojtarë”. Duhet të mbrohet e drejta për jetën që nga zënia e deri në vdekjen natyrore, si dhe liria fetare, e cila “zë një vend qendror, jo vetëm si e drejtë individuale, por edhe si shtyllë thelbësore për bashkëjetesën paqësore dhe respektimin e diversitetit në shoqëritë tona”, theksoi përfaqësuesi i Vatikanit pranë Organizatës së Shteteve Amerikane (OSA).
 
Përgjigje të koordinuara dhe solidare
 
“Lufta kundër shkeljeve të të drejtave themelore të njeriut, varfërisë, dhunës dhe degradimit mjedisor – pohon imzot Serrano – kërkon përgjigje të koordinuara dhe solidare”. Selia e Shenjtë mund të ofrojë në këtë drejtim “perspektiva, përvoja dhe bashkëpunim” për ta bërë këtë rajon të botës gjithnjë “më paqësor, të qëndrueshëm, mikpritës ndaj emigrantëve dhe të margjinalizuarve, dhe një shoqëri të hapur për të gjithë”. Së fundi, imzot Juan Antonio Cruz Serrano rikonfirmon vullnetin e Selisë së Shenjtë për të vazhduar bashkëpunimin aktiv me Organizatën e Shteteve Amerikane (OSA)./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.