Në fund të audiencës së përgjithshme, Leoni XIV shpreh trishtimin e thellë për përleshjet në kufirin mes dy vendeve aziatike që kanë shkaktuar viktima edhe në radhët e civilëve dhe kanë detyruar zhvendosjen e mbi 500 mijë civilëve: "Shpreh afërsinë time në lutje për këto popullata të dashura."
Papa Leoni XIV shprehet "thellësisht i trishtuar" nga lajmi i "konfliktit të rindezur përgjatë kufirit mes Tajlandës dhe Kamboxhias". Pas përshkallëzimit të krizës verës së kaluar, në kufirin mes dy vendeve të Azisë Juglindore kanë shpërthyer sërish përleshje që deri tani kanë shkaktuar të paktën 10 të vdekur dhe mbi gjysmë milioni civilë të larguar nga dhuna.
Në fund të audiencës së sotme të përgjithshme, gjatë përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve të pranishëm në italisht, Papa shpreh dhimbjen e tij për viktimat, të cilat regjistrohen "edhe mes civilëve", si dhe për "mijëra njerëz" që "janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre". Më pas Ati i Shenjtë Leoni XIV siguron "afërsinë e tij në lutje për këto popullata të dashura" dhe u bën thirrje palëve në konflikt "për të pushuar menjëherë zjarrin dhe për të rifilluar dialogun".
Situata në kufi
Ndërkohë, në terren, në ditën e tretë të tensioneve, regjistrohen bombardime ndërkufitare dhe sulme ajrore që kanë detyruar 500 mijë njerëz të ikin nga shtëpitë e tyre dhe të kërkojnë strehim. "Më shumë se 400 mijë persona janë transferuar në strehime të sigurta" në shtatë provinca, u tha gazetarëve zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Tajlandës, Surasant Kongsiri, gjatë një konference shtypi. "Civilët u detyruan të evakuoheshin në numër të madh për shkak të asaj që ne e vlerësuam si një kërcënim të afërt për sigurinë e tyre", shpjegoi Kongsiri. Ndërsa në Kamboxhian fqinje "101.229 persona janë evakuuar në strehime të sigurta dhe në shtëpitë e të afërmve në pesë provinca", bëri të ditur zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Kamboxhias, Maly Socheata.
Apeli i Guterres
Ditët e fundit edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, ndërhyri në situatën mes Tajlandës dhe Kamboxhias duke nxitur "shmangien e një përshkallëzimi të mëtejshëm, duke kërkuar "angazhimin e palëve për armëpushim" si dhe "përdorimin e të gjitha mekanizmave të dialogut për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme të mosmarrëveshjes me mjete paqësore".