Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Irani ka pranuar “shumicën” e kërkesave të paraqitura nga Shtetet e Bashkuara në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund konfliktit të fundit, transmeton Gazeta Metro.
Gjatë një prononcimi për gazetarët në bordin e Air Force One, Trump tha se lista prej 15 pikash, e përcjellë përmes Pakistanit, është pritur pozitivisht nga Teherani.
“Ata na pranuan shumicën e pikave. Pse nuk do të na pranonin?”, është shprehur ai, duke shtuar se SHBA do të vazhdojë të kërkojë edhe disa kushte shtesë.
Sipas tij, bisedimet me Iranin janë duke shkuar në drejtim të mirë, si në mënyrë direkte ashtu edhe përmes kanaleve të tërthorta diplomatike.
“Po zhvillojmë takime shumë të mira dhe po sigurojmë përparim në disa pika shumë të rëndësishme”, theksoi Trump.
Presidenti amerikan gjithashtu pretendoi se Irani i ka bërë “dhurata” SHBA-së, duke përmendur dërgimin e disa anijeve me naftë. Fillimisht, sipas tij, janë ofruar 10 anije, ndërsa së fundmi edhe 20 të tjera që pritet të nisin transportin.
Në një deklaratë të fortë, Trump foli edhe për një “ndryshim regjimi” në Iran, duke pretenduar se struktura aktuale është shkatërruar gjatë konfliktit.
“Kemi pasur ndryshim regjimi, nëse e shikoni tashmë, sepse një regjim u shkatërrua, të gjithë janë të vdekur”, deklaroi ai.
Ndërkohë, raportimet ndërkombëtare sugjerojnë se plani 15-pikësh përfshin kërkesa kyçe si: ndalimi i programit për armë bërthamore nga Irani, dorëzimi i uraniumit të pasuruar në nivele të larta, kufizime në kapacitetet mbrojtëse, ndërprerja e mbështetjes për grupet rajonale dhe rihapja e Ngushticës së Hormuzit./gazetametro.net