Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka paralajmëruar se Arabia Saudite do të bëhet pjesë e Marrëveshjeve të Abrahamit, nismë kjo e vitit 2020 për vendosjen e marrëdhënieve mes shteteve arabe e myslimane me Izraelin, përcjell Gazeta Metro.
Me nënshkrimin e marrëveshjes së paqes në Gaza, presidenti Trump u shpreh optimist se Arabia Saudite do të bëhet pjesë e nismës për vendosjen e marrëdhënieve me Izraelin, ashtu siç bënë Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Maroku dhe Sudani në vitin 2020.
“Shpresoj ta shoh Arabinë Saudite tek hyn dhe shpresoj se të tjerët do të hyjnë. Mendoj se kur Arabia Saudite bëhet pjese, të gjithë të tjerët do të bëhen pjesë e kësaj”, tha presidenti Trump në Fox Business Network.
Qëllimi kryesor i Marrëveshjeve të Abrahamit ishte normalizimi i marrëdhënieve mes Izraelit dhe shteteve të tjera në Lindjen e Mesme, me theks të veçantë Arabisë Saudite, e cila ende s’është bërë pjesë e kësaj iniciative.
Izraeli dhe katër vendet e lartpërmendura vendosën marrëdhënie diplomatike gjatë verës së vitit 2020, ndërsa edhe Kosova përfitoi tërthorazi nga kjo nismë, meqë mori njohjen nga Izraeli në shtator të atij viti në Washington, DC./gazetametro.net