Në sulmin masiv rus ndërmjet 18 dhe 19 nëntorit, qyteti perëndimor i vendit pësoi bombardime të rënda: vdekje, lëndime dhe shkatërrimin e shumë ndërtesave. Krahas punonjësve të shpëtimit, Kisha Katolike Greke ndërhyu për të dhënë ndihma të menjëhershme për popullsinë. Në një intervistë me median e Vatikanit, Kryeipeshkvi Teodor Martynyuk shpjegoi se si priftërinjtë, kapelanët dhe vullnetarët po ndihmojnë të plagosurit dhe të zhvendosurit.
Gjatë natës midis 18 dhe 19 nëntorit, Rusia nisi një sulm masiv me raketa dhe dronë kundër Ukrainës. Shpërthime ndodhën në disa rajone, veçanërisht në Kharkiv, Ternopil, Lviv dhe Ivano-Frankivsk. Forcat ruse nisën mbi 470 dronë dhe 48 raketa të llojeve të ndryshme gjatë natës. Në Ternopil, shpërthimet e para ndodhën rreth orës 6:30 të mëngjesit sipas orës lokale (7:30 të mëngjesit sipas orës së Romës). Tymi u përhap mbi një nga lagjet e qytetit. Dëmi u vlerësua gjatë gjithë mëngjesit; u goditën dy ndërtesa banimi nëntëkatëshe. Disa orë më vonë, në orën 3:00 pasdite sipas kohës lokale, u njoftua se 25 banorë të Ternopilit u vranë. Ndër ta, edhe tre fëmijë. 73 persona u plagosën: 15 të mitur. Mbi 200 shtëpi u shkatërruan ose u dëmtuan rëndë, duke lënë afërsisht 500,000 njerëz pa strehë. Policia, punonjësit e shpëtimit, mjekët dhe shërbime të tjera po punojnë në vendngjarje, duke u marrë edhe me operacionet e pastrimit të rrënojave dhe shpëtimit.
Lutje për viktimat
Kryeipeshkvi katolik grek Teodor Martynyuk, Metropoliti i Ternopil-Zboriv, mbërriti në vendin e goditjes me raketë së bashku me priftërinj të tjerë për t'u lutur për të ndjerit dhe për të mbështetur familjet e tyre, duke i ftuar të gjithë të bashkohen në lutje për të prekurit. Imzot Martynyuk u kujton Mediave të Vatikanit se si Kisha po përpiqet të ndihmojë banorët e Ternopilit në këtë çast tragjik: "Meshtarët e heparkisë, veçanërisht kapelanët, po ofrojnë ndihmë për të plagosurit që janë dërguar në spital. Punëtorët e Caritas Ternopil kanë ngritur një qendër ndihme humanitare në vendin e tragjedisë.
Një qendër e ngjashme ndihme është ngritur edhe në famullinë katolike greke aty pranë." Kryeipeshkvi Martynyuk shtoi se ata që kanë mbetur të pastrehë po mirëpriten në mjedise të ndryshme të Kishës lokale. Të tjerët do të mirëpriten në faltoren Mariane të Zarvanytsias, ku shumë të zhvendosur janë pritur që nga fillimi i luftës. "Po ofrojmë ndihmën e nevojshme", theksoi Metropoliti, "në mënyrë që njerëzit të kenë një vend për t'u ngrohur dhe diçka për të ngrënë, veçanërisht pasi këtë mëngjes temperatura ishte tre gradë nën zero. Ne bashkohemi në lutje për viktimat dhe falënderojmë të gjithë ata që na mbështesin në këtë kohë të vështirë. U kërkoj atyre që na dëgjojnë, motrave dhe vëllezërve tanë në besim, të luten për ne dhe veçanërisht për viktimat, për ata që tani janë në vështirësi, që kanë humbur të dashurit dhe që presin lajme se ndoshta dikush është ende gjallë nën rrënoja. Le të përpiqemi t'i mbështesim këta njerëz së bashku". Kryeipeshkvi imzot Teodor Martynyuk kërkoi, më pas, që sot të kremtohet një vigjilje lutjeje në të gjitha kishat katolike greke, në rajonin e Ternopilit për viktimat e sulmit.
Dëmet nga bombardimet
Në Ternopil, përveç ndërtesave të banimit, bombardimet ruse dëmtuan edhe ndërtesa industriale dhe depo. Administrata lokale rajonale raportoi se sulmet kishin shkaktuar një rritje gjashtëfish të niveleve të klorit në ajër. Banorët u paralajmëruan gjithashtu për ndërprerje emergjente të energjisë elektrike./Radio Vatikani