Koreja e Veriut organizoi një ceremoni madhështore pritjeje për presidentin kinez Xi Jinping, i cili mbërriti në Phenian për vizitën e tij të parë shtetërore në vend pas shtatë vjetësh.
Në aeroportin e Phenian, Xi u prit personalisht nga udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, dhe bashkëshortja e tij, Ri Sol Ju. Vizita dyditore nisi me nderime shtetërore, eskortë ushtarake dhe një ceremoni të gjerë mirëseardhjeje.
Mijëra qytetarë mbanin flamuj dhe lule, ndërsa në sfond shfaqeshin portrete gjigante të dy liderëve.
Pas ceremonisë së mirëseardhjes dhe përshëndetjes me 21 të shtëna, Xi Jinping dhe Kim Jong Un inspektuan gardën e nderit, anëtarët e së cilës brohoritën slogane në mbështetje të presidentit kinez.
Vizita shihet si një shenjë e forcimit të marrëdhënieve mes Kinës dhe Koresë së Veriut, në një kohë kur rajoni përballet me sfida të shumta gjeopolitike dhe të sigurisë.