Presidenti amerikan, Donald Trump, nën shoqërinë e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, folën në telefon me kryeministrin e Katarit për të qetësuar raportet e tensionuara Izrael-Katar pas sulmit të forcave ajrore izraelit në Doha. Pas kësaj, në konferencë për shtyp, presidenti Trump dhe Netanyahu dhanë lajmin e madh për pranimin e planit për paqe, përcjell Gazeta Metro.
Presidenti Trump tha se telefonata me kryeministrin e Katarit ishte në shërbim të paqes dhe të krijimit të marrëdhënieve midis Izraelit dhe Katarit, në një kohë kur ka përpjekje serioze për ndaljen e luftës në Gaza.
Kryeministri i Izraelit e mori fjalën në këtë konferencë dhe njoftoi se ai e pranon planin e presidentit Trump për paqe në Gaza, ndërsa ka pajtim të gjerë edhe me shumë shtete arabe dhe myslimane.
Netanyahu dha disa detaje nga qëllimet e këtij plani, duke përfshirë largimin e Hamasit, kthimin e pengjeve, krijimin e një administrate paqësore në Gaza dhe vendosjen e perimetrit të sigurisë nga ana e Izraelit.
Presidenti Trump tha se pret që së shpejti të ketë një marrëveshje dhe t’i jepet fund luftës në Gaza, por kjo varet edhe nga terroristët e Hamasit që ende po vazhdojnë të luftojnë. Ai tha se kjo është përpjekje serioze për paqe në tërë rajonin./gazetametro.net