Leoni XIV, thirrje për armëpushim në Gaza: të respektohet e drejta humanitare
Leoni XIV, thirrje për armëpushim në Gaza: të respektohet e drejta humanitare 17.09.2025 | 02:53
Në fund të audiencës së përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, ndërsa vijon rrethimi ushtarak izraelit i Qytetit të Gazës, Papa shprehu afërsinë e tij me popullsinë e detyruar "me forcë" të largohet nga tokat e saj, të "jetojë në frikë" dhe të mbijetojë "në kushte të papranueshme". Ati i Shenjtë kujton se "çdo njeri ka gjithmonë dinjitet të paprekshëm" dhe bën thirrje për ndalimin e bombardimeve, lirimin e pengjeve dhe zgjidhje diplomatike.
 
"Uroj të lindë një agim paqeje dhe drejtësie".
 
“Përtërij thirrjen për armëpushim, për lirimin e pengjeve, për një zgjidhje diplomatike me bisedime dhe për respektimin e plotë të së drejtës ndërkombëtare humanitare”.
 
Nga Sheshi i Shën Pjetrit, zëri i Papës Leoni XIV u lartua mbi zhurmën e bombave, të cilat po bien mbi Qytetin e Gazës që nga mesnata e mbrëmshme. Në kulmin e asaj, që forcat ushtarake izraelite e kanë quajtur faza "përfundimtare" e rrafshimit të enklavës palestineze, me qëllim asgjësimin e Hamasit dhe lirimin e pengjeve, me mbi 100 viktima tashmë të sigurta, 140 ndërtesa të dëmtuara dhe afërsisht 370.000 civilë në arrati, Ati i Shenjtë, në fund të audiencës së përgjithshme, bëri sërish thirrje për "agimin e paqes" në këtë tokë të martirizuar.
 
“Shpreh afërsinë time më të thellë me popullin palestinez në Gaza, i cili vazhdon të jetojë me frikë dhe të mbijetojë në kushte të papranueshme, i detyruar me forcë të largohet edhe një herë nga tokat e tij”.
 
Armëpushim, lirim pengjesh, zgjidhje diplomatike
 
Dje, ndërsa po largohej nga rezidenca e tij në Castel Gandolfo, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve lidhur me "eksodin" e Gazës, Papa shprehu shqetësimin e tij të thellë për shumë njerëz, që "nuk kanë ku të shkojnë", si edhe për ata, që dëshirojnë të qëndrojnë. I pari ndër këta të fundit është, pa dyshim, famullitari i Familjes Shenjte, atë Gabriel Romanelli, me të cilin është në kontakt të vazhdueshëm, siç dëshmoi telefonata e fundit dje në mëngjes. Ai, së bashku me murgeshat e bashkësisë famullitare, vazhdon t’u qëndrojë pranë rreth 450 vetëve që strehohen në kompleksin e kishës. "Duhet të kërkojmë një zgjidhje tjetër", tha Papa mbrëmë. Sot, në audiencë, në një shesh të mbushur plot, me ton të vendosur, përshkroi rrugët drejt një zgjidhjeje të mundshme: armëpushimi, lirimi i pengjeve, dialogu dhe bisedimet, respektimi "i plotë" i së drejtës ndërkombëtare humanitare.
 
Një agim paqeje dhe drejtësie
 
Papa Leoni XIV kujtoi se "çdo njeri ka gjithmonë një dinjitet të paprekshëm, për t'u respektuar dhe për t’u mbrojtur". E pohoi këtë – siç tha vetë - "para Zotit të Gjithëpushtetshëm, që urdhëroi 'mos vrit', dhe në dritën e gjithë historisë së njerëzimit". Një paralajmërim për këtë kohë brutaliteti. Më pas, thirrja për gjithë besimtarët e më gjerë.
 
“I ftoj të gjithë të bashkohen në lutjen time të zjarrtë, që të vijë së shpejti agimi i paqes dhe i drejtësisë”.
 
Ndërmjetësimi i Shën Stanislaus Kostkës për paqe
 
Papa u lut për paqen edhe pak më parë, gjatë përshëndetjes për besimtarët polakë. Leoni XIV kujtoi se nesër bie përkujtimi liturgjik i Shën Stanislaus Kostkës, jezuit i ri polak 18-vjeçar, pajtor i atdheut dhe i të rinjve: ai, nënvizoi Ati i Shenjtë, "të jetë shembull dhe frymëzim për brezat e rinj të besimtarëve, që kërkojnë vullnetin e Zotit, në përmbushjen e guximshme të thirrjes së tyre".
 
“Ndërmjetësimit të tij ia besoj Poloninë dhe paqen në botë”.
 
Para bekimit të fundit, Papa – emri i të cilit është Robert Francis Prevost - falënderoi ata që i kanë bërë urimet për ditën e emrit, të cilën e kremton sot, në festën e Shën Robert Belarminit. E në shesh, u lartuan vërtet parrullat me urime, ndër të cilat edhe njëra e një fëmije ngritur lart, ku shkruhej "Gëzuar Ditën e Emrit!". Urimet më të mira iu bënë Papës edhe nga lexuesit në gjuhë të ndryshme.
 
“Para se të përfundoj, dua t'ju falënderoj të gjithëve për urimet, që më bëtë për ditën e emrit. Faleminderit shumë!”/Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.