Në një deklaratë në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, Misioni i përhershëm i Selisë së Shenjtë thekson se varfëria përfaqëson "një shkelje të rëndë të dinjitetit njerëzor, dhuruar nga Zoti" dhe inkurajon zgjidhje afatgjata të problemeve strukturore të vendeve të varfra.
Të mbështetet familja si "bërthamë themelore e shoqërisë" dhe "burim thelbësor i qëndrueshmërisë", që kontribuon në zhdukjen e varfërisë, promovimin e stabilitetit shoqëror dhe arritjen e zhvillimit të plotë dhe të gjithanshëm njerëzor. Kjo shkruhet në një deklaratë të Misionit të përhershëm Vëzhgues të Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara, në Nju Jork, gjatë një forumi politik të nivelit të lartë të mbajtur më 8 korrik, kushtuar përshpejtimit të arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm në vendet afrikane, vendet më pak të zhvilluara, vendet në zhvillim pa dalje në det dhe vendet me të ardhura të mesme.
Varfëria është shkelje e dinjitetit njerëzor
Përfaqësuesit e Selisë së Shenjtë inkurajuan investimet në politikat familjare "si në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar", si mënyrë e domosdoshme për të "siguruar realizimin e plotë të çdo njeriu". Varfëria, shtojnë ata, u mohon miliona njerëzve, "veçanërisht grave dhe fëmijëve", "ushqimin e duhur, ujin e pijshëm, kujdesin shëndetësor, arsimin dhe punën dinjitoze". Ajo, nënvizohet në deklaratë, "përbën një shkelje të rëndë të dinjitetit të brendshëm të njeriut, dhënë nga Zoti".
Zhdukja e pengesave strukturore për zhvillimin
Së fundi, Vëzhguesit e përhershëm të Selisë së Shenjtë theksojnë sa "është thelbësore të ripërtërihet dhe të forcohet mbështetja" për vendet më të ligështa ekonomikisht, duke shkuar "përtej masave afatshkurtra" dhe duke "zhdukur pengesat strukturore, të cilat pengojnë zhvillimin e qëndrueshëm". "Këtu", përfundojnë përfaqësuesit e Vatikanit, "përfshihet përmirësimi i qasjes në financime me interesa të vogla, promovimi i sistemeve tregtare më të barabarta, lehtësimi i transferimit të teknologjisë dhe miratimi i masave të rëndësishme për lehtësimin e borxhit të jashtëm"./Radio Vatikani