Pesë persona kanë humbur jetën pas një sulmi me armë të ndodhur të hënën në qytetin Stade, në landin e Saksonisë së Poshtme në Gjermani, transmeton Gazeta Metro.
Autoritetet kanë ndërmarrë një operacion të gjerë, ndërsa deri tani janë ndaluar dy persona, përfshirë edhe të dyshuarin kryesor.
Ngjarja u regjistrua në zonën e rrugës Dankersstrase, ku banorët raportuan për të shtëna me armë zjarri. Policia konfirmoi se viktimat janë të gjithë të rritur, ndërsa disa persona të tjerë kanë pësuar lëndime.
“Ju lutemi, shmangni këtë zonë!”, njoftoi Drejtoria e Policisë së Luneburgut në platformën X.
Sipas raportimeve të medias gjermane Bild, incidenti ndodhi në një institucion që ofron mbështetje për të rinjtë. Ndërkohë, hetuesit po mbledhin prova në vendin e ngjarjes dhe po intervistojnë dëshmitarët për të zbardhur rrethanat e sulmit.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi motivin e ngjarjes, ndërsa hetimet janë në vazhdim./gazetametro.net