Ministri i Deleguar për Evropën nga Republika e Francës, Benjamin Haddad, ka zhvilluar të hënën një vizitë zyrtare në Kosovë, ku së bashku me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, kanë nënshkruar katër marrëveshje bashkëpunimi në fusha të ndryshme, shkruan Gazeta Metro.
Pas takimit dypalësh, Haddad dhe Konjufca, së bashku me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, nënshkruan marrëveshje në fushën e drejtësisë, arsimit dhe organizimit të Lojërave Mesdhetare.
Në konferencën e përbashkët për media, Konjufca e cilësoi Francën një ndër partnerët më të rëndësishëm të Kosovës dhe tha se vizita e ministrit francez është dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve.
“Është kënaqësi e veçantë që e mirëprita sot në Ministrinë tonë ministrin e deleguar për Evropë të Republikës franceze, Benjamin Haddad. Vizita juaj është dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Francës, dy vende që ndajnë të njëjtin vizion për një Evropë më të sigurt, më të bashkuar dhe më të fortë”, tha Konjufca.
Ai bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe avancimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, duke theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën drejt integrimit evropian.
“Zgjedhja jonë strategjike është Evropa, Bashkimi Evropian”, deklaroi Konjufca.
Duke folur për situatën e sigurisë në rajon, ai u ndal edhe te provokimet nga Serbia, duke thënë se paqja nuk mund të ndërtohet mbi mohimin e së kaluarës, por vetëm mbi të vërtetën.
“Kosova po investon në sigurinë e vendit dhe të rajonit, gjithmonë në koordinim me vendet tona aleate. Mbetemi të përkushtuar ndaj paqes, bashkëpunimit rajonal dhe dialogut, por edhe mbrojtjes së vlerave”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, ministri francez Benjamin Haddad vlerësoi marrëdhëniet e miqësisë ndërmjet Francës dhe Kosovës, duke kujtuar mbështetjen që Franca i ka dhënë Kosovës në periudha të rëndësishme.
“Ne kemi mbështetur Pakon e Ahtisarit dhe dërgimin e trupave të KFOR-it. Jam i lumtur që kemi punuar për këtë marrëdhënie bilaterale dhe që sot jam këtu në këtë vizitë”, tha Haddad.
Ai theksoi se vizita e tij e parë në Kosovë në cilësinë e ministrit të deleguar për Evropën dëshmon angazhimin e Francës për forcimin e partneritetit me Kosovën.
“Prezenca ime sot është dëshmi e miqësisë sonë me Kosovën. Do të mundohemi që së bashku të krijojmë një vend më të sigurt”, deklaroi Haddad.
Vizita e ministrit francez u përmbyll me nënshkrimin e katër marrëveshjeve të bashkëpunimit, të cilat synojnë forcimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Francës në sektorët e drejtësisë, arsimit dhe organizimit të Lojërave Mesdhetare./gazetametro.net