Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ashpër ndaj Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) pas largimit nga puna të gazetareve Edina Avdiu dhe Hana Marteti.
Në një komunikatë p;r media, KMDLNj akuzon ushtruesin e detyrës së kryeredaktorit, Blerim Haxhijaj, për zbatim të urdhrave politikë në një institucion që, sipas aktit themelues, duhet të funksionojë si medium publik i pavarur.
KMDLNj thotë se mosvazhdimi i kontratave pas tre vjetësh pune, pa vërejtje profesionale, përbën shkelje të Ligjit të Punës dhe cenim të të drejtave themelore të njeriut, përfshirë të drejtën për punë dhe mbrojtjen e sinjalizuesve.
Organizata i ka bërë thirrje Komisionit Parlamentar për Media dhe Sindikatës së Pavarur të RTK-së të reagojnë, duke paralajmëruar se, nëse vazhdon kjo praktikë, rrezikohet integriteti dhe pavarësia e transmetuesit publik.