Tetë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, ku partia Vetëvendosje e Albin Kurtit doli e para me 42% të votave, Kosova ende nuk ka Kuvend të konstituuar, se lërë me qeveri të re. Ndërsa Kosova po zhytet edhe më thellë në krizë politike, faktori ndërkombëtar vazhdimisht bën thirrje për zgjidhje dhe dalje nga kriza, shkruan Gazeta Metro.
Republika e Tretë e Albin Kurtit duket se ka marrë formën fillestare me të gjitha institucionet në duar, veçse jashtëligjshëm. Sipas vendimit të Gjykatës Supreme për një nënshkrim të Hekuran Muratit, është e qartë se anëtarët e qeverisë s’mund të jenë edhe deputetë. Në anën tjetër, presidentja e Kosovës është në një linjë me Kurtin, siç tha ajo vetë.
Pikërisht në këtë amulli dhe kapje institucionesh në mënyrë të jashtëligjshme, edhe sistemi gjyqësor, veçanërisht Gjykata Kushtetuese, është nën sulme të parreshtura nga partia në pushtet dhe presidentja. Tri herë ka dalë me vendime, por nuk shihet zgjidhje as nga Gjykata Kushtetuese, meqë problemi është puro politik.
Aleatët e shtetit të Kosovës vazhdimisht kanë bërë thirrje që të ketë një zgjidhje politike dhe formim të institucioneve, meqë Kosova dalëngadalë po hyn në territore të panjohura juridikisht.
“Përndryshe, Kosova po hyn në territor të panjohur dhe shtetasit e saj vazhdojnë të humbin përfaqësimin politik kuptimplotë dhe aftësinë për të marrë vendime të rëndësishme vendase dhe ndërkombëtare që ndikojnë në jetën e qytetarëve”, kishte thënë ambasadori britanik në korrik.
Pas vendimit të fundit të Kushtetueses, edhe ambasadori europian në Prishtinë, Aivo Orav, foli për krizën e thellë dhe për nevojën e domosdoshmë që sa më parë të formohen institucionet e reja.
“Ju lutem, konstituojeni Kuvendin dhe ju lutem formojeni një qeveri”, bëri thirrje ambasadori i BE-së në një konferencë për shtyp këtë javë.
Përpos se nuk duket që ka dalje nga kjo gjendje e paprecedent, Kosova vazhdon t’i vuajë masat sanksionuese të BE-së për shkak të veprimeve të njëanshme të Qeverisë Kurti në veri, si dhe së fundi pësoi edhe pezullimin e dialogut strategjik nga SHBA-ja. Pa institucione legjitime dhe pa zë ndërkombëtar, siç tha ambasadori britanik, tash Republika e Tretë e Kurti më në fund e nxori kokën e shëmtuar mbi sipërfaqe./gazetametro.net