Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e punëtorit që humbi jetën në aksidentin tragjik në vendpunishten në rrugën “Holger Petersen”, Prishtinë ndërsa punëtorit të lënduar i uron shërim sa më të shpejtë.
Bordi i AKK-së e konsideron të rëndë, të papranueshëm dhe të papërgjegjshëm cilësimin e Kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, si “vrasës” nga z. Alban Krasniqi. Një gjuhë e tillë tejkalon çdo kufi të debatit politik, cenon dinjitetin personal dhe institucional të kryetarit dhe paragjykon hetimet e organeve kompetente. Askush nuk mund të shpallet fajtor përmes komenteve në rrjetet sociale, aq më pak të akuzohet për vrasje pa asnjë fakt dhe pa vendim të organeve të drejtësisë.
Humbja e një jete njerëzore kërkon hetim të plotë, përgjegjësi institucionale dhe respekt për familjen e viktimës – jo shfrytëzim të tragjedisë për sulme dhe përfitime politike.
“Legjislacioni në fuqi e përcakton qartë se siguria dhe shëndeti i punëtorëve, si dhe përdorimi i sigurt i makinerive dhe pajisjeve të punës, përfshirë vinçin, janë përgjegjësi e punëdhënësit. Ndërkaq, mbikëqyrja e zbatimit të këtyre detyrimeve, kontrolli i dokumentacionit teknik dhe verifikimi i masave të sigurisë janë kompetencë e Inspektoratit Qendror të Punës”, sqaron AKK.
Inspektorati i komunës, përkatësisht Inspektorati i Ndërtimit, mbikëqyr respektimin e kushteve të lejes së ndërtimit dhe përputhshmërinë e punimeve me projektin e miratuar. Ai nuk është institucioni përgjegjës për kontrollin teknik, certifikimin apo verifikimin e sigurisë së vinçit si pajisje pune.
Prandaj, përpjekja që përgjegjësia për këtë tragjedi t’i atribuohet Kryetarit Përparim Rama, pa pritur rezultatet e hetimeve, është e pabazuar dhe e papranueshme. Përgjegjësia eventuale përcaktohet vetëm nga organet e drejtësisë dhe duhet të kërkohet te subjektet dhe institucionet që, sipas ligjit, kanë pasur detyrimin për garantimin dhe mbikëqyrjen e sigurisë në punë.
Bordi i AKK-së kërkon nga Policia, Prokuroria dhe Inspektorati Qendror i Punës që ta zbardhin plotësisht rastin dhe të përcaktojnë përgjegjësinë aty ku ajo ekziston. Njëkohësisht, kërkojmë ndaljen e gjuhës së linçimit ndaj kryetarëve të komunave.
Debati politik nuk mund të shndërrohet në gjykim publik dhe as tragjedia njerëzore në instrument për sulme politike.