Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka bërë me dije se mënyra e votimit për zgjedhjen e kryeparlamentarit nuk mund të ndryshohet në proces.
Në një intervistë për Euro News Albania, ai ka bërë me dije se Kushtetuta e Kosovës nuk e parasheh që kryetari i Kuvendit mund të zgjidhet me votë të fshehtë.
Hasani, i cili e ka shkruar Aktgjykimin e Kushtetueses të vitit 2014, ka treguar se as ky dokument askund nuk thotë që kryeparlamentari duhet të gjedhet me votë të fshehtë.
“Kur flitet për mënyrën e votimit në kuvend, Gjykata Kushtetuese ka treguar se cilat janë mënyrat e votimit sipas rregullores atëherë dhe kësaj sot.
Pra, nuk ka thanë që kështu me votë të fshehtë duhet të zgjedhja e kryetarit, sepse nuk ka mundur ta thotë, sepse një gjë e tillë përcaktohet me Kushtetutë, me ligj dhe me Rregullore të Kuvendit. Një gjë të tillë nuk e thotë Kushtetutë e Kosovës, e thotë për zgjedhje të presidentit. Ka mund ta thotë siç e thonë disa kushtetuta evropiane që thonë behët me votim të fshehtë, por nuk e ka thënë”, ka treguar Hasani, duke shtuar se votimi i fshehtë ka munduar të caktohet vetëm në takimin e ish-kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, me përfaqësuesit e partive që kanë fituar ulëse në kuvend.
“Ajo ka mund të vendoste eventualisht më 8 prill kur është caktu agjende për mbledhjen konstituive. Atëherë, forcat politike kanë mundu të thonë se votimi do të jetë i fshehtë, por tani nuk mund të ndërrohet ajo. Kjo është tërësisht kaotike, tërësisht jokushtetuese dhe tërësisht kundër sundimit parlamentar të ligjit”, ka thënë Hasani.