Ç’duan Palestinëdashësit shqipfolës?
Ç’duan Palestinëdashësit shqipfolës? 28.01.2026 | 02:16
Nga Col Mehmeti
 
Një ditë pasi në Algjer u lexua Deklarata e Pavarësisë për Palestinën, të nesërmen Jugosllavia u bë shteti i parë evropian që e njohu këtë shpallje.
 
Kjo ndodhi më 16 nëntor 1988 kur ministër i saj i Jashtëm ishte Budimir Lončar.
 
Një ditë më vonë, Shqipníja jonë e mjerë u bë vendi i dytë evropian që e njohu Deklaratën e Algjerit.
 
Kjo ndodhi kur ministër i Jashtëm ishte Reis Malile.
 
Bëhej fjalë për dy shtete të prapambetura komuniste, si skajet më primitive të Evropës, për të cilat kompasi gjeopolitik sillej vetëm si oponencë ndaj Perëndimit.
 
Ashtu siç ka qenë historia e vetë problemit palestinez, në fillim ishte ideologjia e pastaj realiteti.
 
Ideologjia komuniste, njësoj si të gjitha ideologjitë antiperëndimore, e krijonte një përtejrealitet ku e ashtuquajtura Palestinë (tash e tutje në thonjëza) ishte një referent identitar që e përbashkonte botën joperëndimore kundër armikut të përbashkët.
 
Nga 1961, Jugosllavia me të ashtuquajturën Lëvizje e të Painkuadruarve ishte bërë një han dyerhapur për regjime e sisteme antiperëndimore, sidomos ato nga bota arabe.
 
Në anën tjetër, çmenduria e stalinizmit shqiptar sigurisht shkonte në nivele të tjera dhe Sigurimi i Shtetit iu ofronte azil militantëve arabë.
 
Në këto vite, bota e ndyrë komuniste ishte në grahmat e fundit nën peshën e dështimit të eksperimentit fatkeq.
 
Deficiencat e saj i mbulonte me moralitet të rrejshëm gjoja si zëdhënëse e popujve të nëpërkëmbur.
 
Në shkurt 1988, Lončari në Beograd i mblodhi në një konferencë sivëllezërit ideologjikë nga kampi, ashtu edhe nga vendet aleate.
 
Shqipnín aty e përfaqësoi Reis Malile, Rumaninë Ioan Totuja, Bullgarinë Petër Mladenovi e Turqinë Mesut Yilmazi.
 
Këto regjime ishin në prag të shpërthimeve të brendshme, prandaj kauzat e jashtme, si Palestina, ishin një mënyrë e mirëmenduar që të blihej edhe pak kohë.
 
Çdo komunizëm është i keq, porse varieteti shqiptar ishte psikopat i llojit të vet.
 
Kjo sepse izolimi i tij ishte hermetik.
 
Shqipníja militante e quante sukses të madh edhe urëzimin e raporteve me rrethepërqarkun.
 
Në prill të 1988-s, Reis Malile e vizitoi Greqinë e në Janinë takoi homologun e tij, Karolos Papoulias.
 
Atë ditë prilli shoku Malile bëri diçka që nuk e kishte bërë thuajse asnjëherë gjatë jetës së tij si hyzmeqar diplomacie.
 
Malilja bëri një shopping të vogël borgjez në një qendër tregtare në Janinë. Një militant komunist preku pak kapitalizëm…
 
Nuk ishte e keqe ndjenja, por më në fund e mori veten, çehrja e fitoi atë ngrysjen e përhershme, dhe si me krenari e kujtoi ditën kur me shokun Nesti Nase zgërdhiheshin me cinizëm teksa në OKB fliste presidenti amerikan, George H. W. Bush.
 
Morali i këtyre rreshtave nuk është as Reis Malilja e as prekja e tij e kapitalizmit.
 
Sa më deficient është regjimi e sa më shumë kriza të brendshme përjeton shoqëria, aq më të fortë bëhen atashimi dhe arratisja te Palestina imagjinare.
 
Vetëm duke u vramendur kështu kuptohet kjo mërdhezja e radhës në Kosovë për ‘Palestinën’.
 
Ndonëse lufta atje ka mbaruar qe gjysmë viti, seç ka njëfarë vullneti të mbrapshtë mes shqiptarësh për ta importuar atë në peizazhin tonë edhe ashtu të pajetueshëm nga toksiciteti e negativiteti.
 
Janë kurdoherë forcat margjinale – qarqe islamiste e lleftiste – ato që një luftë të huaj po e sjellin këmbëkryq midis nesh.
 
Projekti islamist sigurisht që në kushte normale nuk hedh dot asnjë hap para, ndaj atij i duhet të stiset me ndjeshmëri e moralitet të rremë për fatet njerëzore.
 
Po kështu edhe lleftistët midis nesh.
 
Sa herë që kompasi gjeopolitik i afron shqiptarët në Ballkan me Izraelin, menjëherë ringjallet ‘kauza’ e Palestinës si një çantë eksplozivi në gjoksin e një kamikazi.
 
Në anën tjetër, kurdo që ka afrim me Turqinë erdoganiste – madje shpesh edhe të natyrës subordinuese – qarqet islamiste ose ato lleftiste nuk është se shfaqin njerëzillëk sa për të thënë “E ku janë kurdët?” Nuk bëzajnë fare.
 
Ajo çfarë nuk merret vesh kurrë është çfarë duan sot palestinëdashësit shqipëfolës?
 
Njohjen e ‘Palestinës’?
 
Ja që këte ‘obligim’ e kryen paraardhësit e tyre komunistë si hakmarrje ndaj Perëndimit.
 
Ndihma për ‘Palestinën’?
 
Ja që Kurti vitin e kaluar, për t’i marrë me të mirë kontigjentet votuese islamike, ndau 500 mijë euro taksapaguesish tanë për ‘rindërtimin’ e Gazës.
 
Vullnetarë për ‘Palestinën’?
 
Pyeteni islamikun Fuad Ramiqi i cili, në vitin 2010 bashkë me aktivistë turq, u përlesh fizikisht me ushtarë izraelitë.
 
Ai mund të flasë në veten e parë se çfarë i gjeti ‘trimat’ kur dhunuan sovranitetin e një shteti që nuk u kishte asnjë borxh.
 
Dhe kur përmenden të gjitha këto marrëzi shqiptare, pyetja që vjen natyrshëm është se cila e mirë a hajr doli nga e gjithë kjo?
 
A e edifikuam veten me një ndërgjegjje vërtet humaniste?
 
A u bëmë më njerëzorë kur ia bëmë argatin një kauze të pakauzë si ‘Palestina’?
 
A mbetet e sinqertë ndjeshmëria për ‘Palestinën’ kur mes nesh nuk ekziston as empati minimale për ploja të dikurshme e aktuale të popujve në Azi e Afrikë?
 
U gjenociduan një milion armenë në Luftën e Parë Botërore nga Perandoria Osmane në tretje e nga Turqia në lindje. Asohere, shqiptarët fanatikë vajtonin ende shkëputjen nga Sulltani-kalif.
 
Kjo domethënë se vetëm largësia ua bënte disi të pamundur që t’i zhysnin duart në gjakun e armenëve.
 
U gjymtuan miliona kurdë, u asgjësuan dhjetëra grupe të krishtera në Irak, Siri e gjetkë në Afrikë.
 
Emocioni për ta? I hiçtë.
 
Po emocioni për ‘Palestinë’? Mërdhezje, patetizëm e lotë digjitalë.
 
Komuniteti palestinofil mes shqiptarësh është një specie njëmend interesante.
 
Mbështetja e tij kullon dyfytyrësi sepse në botën digjitale ajo jepet fare kollaj.
 
Kauzat e tilla kërkojnë fjalë e jo vepra, dhe pëlqimet, bashkëndarjet a statuset në rrjete sociale nuk nënkuptojnë asfarë sakrifice sa kohë bëhen duke e mbajtur sigurt e rehat bythën në karrigë.
 
Prandaj, komuniteti palestinofil bën kaq shumë poterë.
 
Duke u shërbyer nga takëmi i huaj me të pavërteta brutale, gjysmë të vërteta e gjithfarë sajimesh, palestinofilët tanë nuk e duan paqen nëse ajo nuk prodhon emocione, konflikt e as nuk kuptimëson ‘kauza’.
 
Atyre u nevojitet një gjendje lufte me anë të së cilës bota si në shuplakë dore tejthjeshtëzohet në ‘ne’ dhe ‘ata’.
 
Afërmendsh, palestinofilët shqipfolës, njësoj si si barazvlera e tyre në secilën shoqëri, do të rreshtohen me ‘të drejtin’ që gjithsesi është në tabor tjetër nga ‘i padrejti’ sionist.
 
Kauza e pakauzë, ‘Palestina’ e palestinëdashësve tanë, e ka si sine qua non të vetin, kusht mbi kushte, konfliktin mendor.
 
Te filmi ‘Kingdom of Heaven’, Ridley Scott-i i madh na shërben me një parabolë që fare mirë i shkon për shtat edhe ‘Palestinës’.
 
Kur disa nga kryqtarët e kuptuan të vërtetën e ‘Tokës së Shenjtë’ mbi rrënojat e Jerusalemit, plot prej tyre të neveritur e morën rrugën e kthimit në Evropë.
 
Dhe në rrugë e sipër, të kapitur fizikisht e të lodhur shpirtërisht nga iluzioni i Tokës së Shenjtë, ata takojnë rrugës vullnetarë të rinj që mësyjnë drejt Jerusalemit.
 
Alegoria këtu është e thellë. ’Toka e Shenjtë’ e reprodukon veten pikërisht në ato vende ku injoranca e vullnetet e këqija fitojnë mendje e zemra njerëzish.
 
Derisa të kërshtenë e muhamedanë në Levant e kuptojnë kotësinë e ‘Tokës së Shenjtë’ dhe luftës për mbretëritë e Qiellit, ka të tjerë që nga mijëra kilometra larg duan ta krijojnë atë në Jerusalem.
 
Edhe kauza ‘Palestinë’ duket se këtë fat përvijon.
 
Derisa në Levant e mes arabësh, të paktë janë ata që vërtet besojnë në të, ka njerëz në Evropë që besojnë në të.
 
Dhe çuditërisht rinia më e pashpresë, më e pa të ardhme dhe më e paedukuar në krejt Evropën, është më e zëshmja për ‘Palestinë’.
 
Shpesh kauzat janë gjendje mendore…/Nacionale
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave