Nga: Gjon Keka
Neni 8 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës përcakton qartë se: „Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështjet e besimeve fetare.“
Megjithatë, praktika politike e viteve të fundit shpërfaq një realitet krejtësisht ndryshe. Klasa politike udhëheqëse, e ndodhur nën etjen e vazhdueshme për vota dhe legjitimitet të shpejtë popullor, ka hyrë në një proces të rrezikshëm të koketimit me Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK) dhe me rryma të caktuara ideologjike.
Ky koketim nuk shfaqet përmes deklaratave të hapura kundër sekularizmit, por përmes veprimeve dhe lëshimeve strukturore:
Pushtetarët e trajtojnë udhëheqësinë e BIK-ut jo si përfaqësuese të një institucioni fetar privat të qytetarëve, por si një "makineri votash" ose si një partner politik me të cilin negociohet agjenda publike.
Përmes tolerimit të diskursit agresiv të mbetjeve të mendësisë otomane – që përpiqen ta rifusin Kosovën në sferën e ndikimit kulturor neo-otoman apo të rrymave politike të Lindjes së Mesme – pushteti po lejon deformimin e identitetit kombëtar europian.
Rreziku më i madh i këtij diskursi është tentimi për ta projektuar Kosovën si një "shtet me shumicë myslimane" në kuptimin politik, dhe jo si një shtet laik të kombit shqiptar. Kjo qasje po godet drejtpërdrejt shtratin tonë historik.
Kur pushtetarët tanë adoptojnë mendësinë e miletit dhe i drejtohen Kosovës përmes prizmit të "shumicës dhe pakicave fetare", ata pa vetëdije po e nxjerrin Krishterimin Arbëror jashtë trungut kryesor. Ky është një proces i pastër i reduktimit në pakicë apo komunitet fetar të atij elementi që përbën zanafillën dhe urën tonë gjenetike me Europën. Duke u shndërruar në peng të ideologjisë islamike për interesa të ngushta pushteti, pushtetarët respektivisht klasa politike po e tradhton parimin e Rilindasve, të cilët e dinin se vetëm sekularizmi absolut (kombi mbi fetë) garanton mbijetesën dhe unitetin tonë.
Në rrafshin gjeopolitik, ky koketim me ideologjinë islamike po prodhon një efekt katastrofal për subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Familja Europiane – ku Kosova synon të integrohet – nuk është thjesht një treg ekonomik, por një bashkësi vlerash të bazuara mbi Iluminizmin europian, laicitetin e pastër dhe të drejtat qytetare.
Kur aleatët tanë perëndimorë shohin se në Kosovë agjendat politike kushtëzohen apo ndikohen nga strukturat ideologjike islamike, ose kur shohin se udhëheqësit tanë koketojnë me narrative që e vendosin identitetin ideologjiko-fetar përpara atij kombëtar e europian, krijohet një perceptim tejet i dëmshëm: Kosova fillon të shihet jo si një shtet modern europian i kombit arbëror, por si një enklavë kulturore e huaj në zemër të Gadishullit Ilirik dhe kontinentit Europian.
Kjo u jep armë të fuqishme propagandistike armiqve tanë, të cilët historikisht kanë shpenzuar miliona për ta paraqitur luftën e drejtë të dardano-arbërorëve për liri e shtetësi si një "konflikt fetar" apo si një vatër të radikalizmit islamik.
Pushtetarët, duke luajtur me ndjenjat fetare për përfitime të çastit elektoral, po e shndërrojnë shtetin e Kosovës në pengesë për integrimin e tij natyral europian. Ata po harrojnë se rruga jonë drejt Europës nuk është thjesht një proces burokratik i plotësimit të kritereve, por një kthim në shtëpinë tonë të vjetër kulturore – atë shtëpi që Gjergj Kastrioti (Skënderbeu) ynë i Madh e mbrojti me krahë, strategji, gjenialitet e diplomaci dhe me pas edhe Rilindësit e projektuan me laps e hapje të mendjes për dritë e qytetërim.
Ky shkrim i im tregon se mbrojtja e sekularizmit në Kosovë nuk është një çështje teorike e ndarjes së kishës/xhamisë nga shteti. Ajo është një çështje e urgjencës kombëtare dhe gjeopolitike.
Nëse lejojmë që mbetjet e mendësisë së miletit otoman dhe koketimet e sotme politiko-fetare ta shndërrojnë Kosovën në një shtet ku identiteti etnik dardano-arbëror zbehet përballë atij fetar, ne kemi vulosur dështimin tonë strategjik. Vetëm një sekularizëm i prerë, i guximshëm dhe i pakompromis mund ta mbajë Kosovën brenda shinave të unitetit organik dardan.arbëror dhe ta sigurojë vendin e saj të merituar në familjen e lirë dhe shtëpinë e përbashkët europiane.
Imazhi i bashkëngjitur është marrë si ilustrim. Një imazh i tillë është tepër negativ dhe nuk e pasqyron realitetin. Po të ishin aty të gjithë përfaqësuesit e ideologjive fetare të Kosovës do të ishte e arsyeshme, por kjo nuk është në rregull. Këtu po ringjallet mendësia e miletit duke favoriziar një ideologji të caktuar fetare, siç është ideologjia islamike nga kryeministri aktual Albin Kurti. Është turp, në fakt, të favorizohet një ideologji e tillë fetare, e cila është produkt i pushtimit otoman [Gjon Keka]/Bota Sot