Lëvizja dhe Lidhja
Lëvizja dhe Lidhja 08.01.2026 | 04:27
Më vjen keq për Lidhjen që po zvogëlohet e s’po reformohet, dhe për Lëvizjen që veç po rritet e s’po reformohet. Lidhja edhe mund të zhduket dhe të mbetet si faqe e rëndësishme e historisë, por Lëvizja, po s’u reformua, rrezikon të mbetet faqja e zezë e historisë. Do të ishte mirë që Lëvizja të kishte ngapak lidhje me frymën intelektuale, ashtu si edhe Lidhja të lëvizte për t’i bërë bashkë fijet e ndara.
 
Nga Ag Apolloni
 
Skena politike po pastrohet, po zhduken partitë. Njëra shkoi, tjetra luhatet te pragu. Në zgjedhjet e radhës mund të mbesin tri, nga të cilat e treta do të luhatet si e katërta tani.
 
Zhdukja e partive është zhdukje e pluralizmit. Zhdukja e pluralizmit është zhdukje e demokracisë. Demokracia në Kosovë lidhet me Lidhjen, disa nga meritat e së cilës janë: transformimi i sistemit politik në Kosovë (nga komunizmi në demokraci), rikonfigurimi i institucioneve shtetërore, aktivizimi i inteligjencës në shërbim të vendit, lidhja me miq të fortë, refuzimi i diskursit radikalist, dominimi i frymës kulturore mbi atë politike dhe përdorimi i mjeteve paqësore. Natyrisht, që edhe ajo ka bërë abuzime, por atëherë ishte një ‘republic in the making’.
 
Mjerisht, pas vdekjes së Rugovës, Lidhja vazhdimisht ka ardhur duke u zgjidhur, duke i humbur kontaktet me miqtë e jashtëm dhe intelektualët e brendshëm. Menjëherë pas vdekjes së presidentit të saj, udhëheqësia e Lidhjes ka nisur të punojë (ndoshta pa vetëdije) që ta varrosë partinë e tij, të cilën, çuditërisht, derisa sot ka vazhduar ta mbajë gjallë presidenti i vdekur. Edhe sot kësaj partie më shumë i sjellë vota kryetari i ndjerë sesa kryesia e gjallë. Nga një parti inkluzive (gjithëpërfshirëse, përbashkuese), ajo është kthyer në parti ekskluzive (përjashtuese). Tash për të mos u koritur, ajo ka dy mundësi zgjedhjeje: 1. të shpallet e mbyllur dhe të ruhet si parti historike në kujtesën tonë kolektive; 2. të zbutet, të reformohet, të sjellë një frymë kulturore dhe intelektuale, çfarë e kishte dhe s’e ka, dhe që s’e kanë asnjëra nga partitë aktuale. Ajo është një parti, që me pak mend, kthehet në vendin e dytë, kurse me pak më shumë mend, s’e befason askënd nëse kthehet në vend të parë, sepse makineria e saj nuk është e prishur, por është e ndryshkur. I duhet pak vaj dhe ecën vetë pastaj. Natyrisht, me heqjen e ndryshkut të saj, në zgjedhjet e ardhshme edhe gara do të ishte më fisnike.
 
Në anën tjetër, Lëvizja fiton, jo vetëm pse lideri i saj është më i forti, por për arsye se partitë e tjera janë të dobëta. Zhgënjimi i madh prej partive të tjera ka imponuar një besim qytetar jo të vogël ndaj partisë fituese, e cila fitoi duke u thirrur në mbrojtje të sovranitetit dhe luftës ndaj korrupsionit.
Diskursi kundër korrupsionit është gjithmonë diskurs populist. Siç thoshte Albert Camus, Evropa juglindore vuan ose nga korrupsioni, ose nga populizmi. Tash për tash, Kosova vuan nga të dyja. Po përpiqemi ta heqim një të keqe (korrupsionin), duke e forcuar një tjetër (populizmin). Ose Lidhja duhet të forcohet, ose Lëvizja duhet të reformohet rrënjësisht. Përndryshe, një Lidhje që po këputet dhe një Lëvizje që po vërshon, e bëjnë Kosovën shtetin më të rrezikshëm për t’u jetuar.
 
Duke qenë apolitik, s’më pengon as majtizmi, as djathtizmi. Populizmi – po. Ai e favorizon “popullin e thjeshtë” dhe e sulmon elitën (kulturore dhe politike), duke e paraqitur si të korruptuar dhe indiferente ndaj “halleve të popullit”. Diskursi populist bën polarizimin ‘ne’ dhe ‘ata’. Ne të mirët, ata të këqijtë. Pra, pak a shumë si teatri mesjetar, që paraqiste të mirët me rroba të bardha, të këqijtë (djajtë) me rroba të zeza. Lidhja vlente sa kishte lidhje me intelektualët, por sapo nisi t’i prezantojë pseudointelektualët si intelektualë, e pati puna e saj. Lëvizja bëhet lëvizje e mbarë, veç duke hequr dorë nga diskursi i saj i deritanishëm. Ai diskurs të sjell vota sot, por të heq pikë në të ardhmen, për rreshtim të gabuar në histori. Votat mund të fitohen edhe me thënie të Nënës Qamile (ka qenë një personazh në abetare, s’di a është më), por nuk qeveriset me ato thënie.
 
Prandaj, më vjen keq për Lidhjen që po zvogëlohet e s’po reformohet, dhe për Lëvizjen që veç po rritet e s’po reformohet. Lidhja edhe mund të zhduket dhe të mbetet si faqe e rëndësishme e historisë, por Lëvizja, po s’u reformua, rrezikon të mbetet faqja e zezë e historisë. Do të ishte mirë që Lëvizja të kishte ngapak lidhje me frymën intelektuale, ashtu si edhe Lidhja të lëvizte për t’i bërë bashkë fijet e ndara.
 
Sa për partitë e tjera (e dyta, e katërta dhe ajo që s’e kaloi pragun) s’e kuptoj pse janë disa dhe jo një. Sado që mund të kenë interesa të ndryshme, ideologjinë dhe mjetet i kanë të njëjta./Express
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave