Nga Muhamet Hamiti
E themeluar më 23 dhjetor 1989, në 36 vjetët e ekzistencës së vet, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka qenë më e forta kur ka mishëruar vlerat vendëse, në harmoni me vlerat perëndimore, si parti e qendrës së djathtë. Ka qenë prijatare kur e ka drejtuar Presidenti Ibrahim Rugova me besim dhe përkushtim të palëkundur në vizionin e vet dhe të qytetarëve të vendit tonë për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës.
Programet e partive të djathta nuk janë të ngjashme në mënyrën se si janë të ngjashme programet e partive të majta. I pangjashëm me partitë e tjera, por në linjë me partitë simotra të Partive Popullore Evropiane (EPP), është programi i LDK-së: me politika nacionale për Kosovën, për zhvillim të gjithëmbarshëm, për ekonomi të lirë tregut, për integrime euro-atlantike të vendit.
Mbas vdekjes së prijësit të saj historik, Presidentit Rugova, dhe skizmës prej Kuvendit të saj zgjedhor të vitit 2006, LDK-ja ka dalë parti e dytë në disa palë zgjedhje. Më tej, ka rënë e treta në katër palë zgjedhjet e fundit nacionale (më 2021, dy herë më 2025, dhe më 2026), mbas mosmarrëveshjesh të brendshme dhe lufte për pushtet, kur, për çudi, elemente të saj u rreshtuan me Vetëvendosjen rivale, pasojat e së cilës po i vuajnë LDK-ja dhe Kosova.
Prandaj, rimëkëmbja e LDK-së sot është çështje me interes jetik jo vetëm për LDK-në, por edhe për skenën politike dhe për kulturën demokratike të Kosovës. Le të kujtojmë se prej vitit 2021 Kosovën e drejton një e parti e majtë, VV-ja e Albin Kurtit, që ushtron pushtet absolut. Në vitet 2025-2026, Kosova është paralizuar si shoqëri dhe shtet. Për shkak të këtij pushteti, vuajtëm në vitet e fundit edhe sanksione të ashpra financiare nga BE-ja, për herë të parë në historinë e vendit tonë.
Si parti e moçme, tradicionale, në themelet e shtetit të Kosovës, LDK-ja duhet ta përçojë mesazhin jo të kundërshtive ndërmjet brezave, por të harmonisë e të organicitetit ndërmjet të të gjithë brezave, si familje politike në paqe me veten dhe me votuesit, por jo me katandisjen e vendit.
Qëndrestarët e LDK-së, anëtarët dhe simpatizantët besnikë, e kanë dashur dhe e duan për këto vlera dhe për këto synime.
Prandaj, në Kuvendin e jashtëzakonshëm të saj më 30 korrik 2026, LDK-ja duhet të kuvendojë në frymë demokratike, me kulturë dialogu dhe ballafaqimi idesh, për mënyrën se si të rimëkëmbet partia, në përputhje me programin e vet, në gjendjen e re, me njerëzit e vet më të mirë dhe më besnikë. Për këtë duhen zgjedhje të reja tash, në të gjitha nivelet, pas të cilave, lidershipi i ri që e merr besimin dhe përkrahjen e anëtarësisë, punon me ngulm për ta rimëkëmbur LDK-në, me synimin për ta kthyer parti të parë në vend. Për ta kthyer atdheun tonë në rrugë të mbarë të zhvillimit dhe të integrimit euro-atlantik./Gazeta Metro