Lufta vetmitare e Adem Jasharit, fragment nga libri “Rugovën si e kam njohur”, botuar nga UETPRESS, Tiranë
Lufta vetmitare e Adem Jasharit, fragment nga libri “Rugovën si e kam njohur”, botuar nga UETPRESS, Tiranë 07.03.2023 | 04:31
Nga: Gani Mehmetaj
 
Dy muaj më vonë, na erdhi lajmi i papritur: U vra Adem Jashari! Plotësimi i lajmit ishte edhe më tronditës: “Nuk shpëtoi askush nga familja e tij prej pesëdhjetë anëtarësh”. Një shurdhëri e mbështolli redaksinë. Shihnim njëri-tjetrin pa asnjë shprehje në fytyrë. Kolegët përballë më dukeshin si të mpirë.
 
E dinim që prej dy ditësh forcat serbe e kishin rrethuar Adem Jasharin në shtëpi. Gati asgjë nuk merrej vesh. Thashethemnaja qe edhe më e frikshme. Flitej për klithma, për tmerre. Askush s’mund të hynte, as të dilte nga shtëpia e Jasharëve.
 
Forcat e armatosura serbe e ndërprenë çdo mundësi komunikimi me katundin ku ai bënte qëndresë. Adem Jasharin e patën sulmuar më parë me autoblinda e njësi speciale, mirëpo u bëri ballë duke shpëtuar nga rrethimi. Ai ishte në grupet e para të LDK-së që u stërvitën në kazermat shqiptare. Ai dinte të luftonte, por dinte edhe të tërhiqej. Shpresonim se edhe kësaj radhe do t’ia dilte. Megjithatë, dëshmitarët thoshin se kësaj here e kishin zënë ngushtë.
 
Prapë u përsërit i njëjti lajm, veç paksa më i plotësuar: “Adem Jashari, pas rezistencës heroike, u vra në shtëpinë e vet. Policia serbe i vrau pesëdhjetë e gjashtë anëtarë të familjes, së bashku me të vëllanë, Hamëz Jashari”. Rrëfimet në vazhdim qenë tronditëse. Flitej për masakrime. Ishte situatë e nderë. Ai qe përgatitur së bashku me 200 luftëtarë të tjerë, pjesa më e madhe e të cilëve u futën ilegalisht në Kosovë.
 
Qeveria e Milosheviçit donte të jepte një shembull të tmerrshëm me këtë masakër: Mësoni nga mynxyra!
 
Ishte rast i pashembullt në historinë më të re evropiane. Lajmin ua dhamë gazetave e televizioneve ndërkombëtare. Redaksitë e këtyre mediave na thërrisnin vazhdimisht. Kërkonin detaje, informacione të reja, reagimin e popullatës së katundeve përreth, reagimin e kryeqytetit, mendimin e opinionit.
 
Miqtë e lexuesit kishin dëgjuar diçka, kërkonin më shumë të dhëna. Dikush nuk donte ta besonte dhe pyeste: mos është gënjeshtër? Doja t’ia tumirja edhe unë mëdyshjen, por ishte e kotë ta gënjeja. “Fatkeqësisht është e vërtetë, ia ktheva i dëshpëruar. – Lufta i ka këto. Të ne po bëhet luftë. Lufta nuk ka brirë. Bashkëkombësi ynë në San-Francisko e lëshoi receptorin, ngashërimi po e mbyste.
 
Reagoi Presidenti i Kosovës dhe Kryetar i LDK-së, Ibrahim Rugova. Në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi, ai tha se sulmet e tilla ishin skenar i regjimit serb për spastrimin etnik të shqiptarëve. “Raportet nga zona thonë se sulmi në fshatin Prekaz ka rifilluar këtë mëngjes. Kjo është masakra e dytë kundër popullsisë së Drenicës dhe Kosovës, brenda një jave. Në këto masakra u vranë shumë shqiptarë të pafajshëm, duke përfshirë fëmijë, pleq dhe gra. Sulmet në zonën e Drenicës, janë pjesë e programeve për spastrim etnik të Kosovës”.
 
Rugova sërish kërkoi ndërhyrjen ndërkombëtare. Ai shpalli tri ditë zie në Kosovë.
#
Të nesërmen, Televizioni zviceran paralajmëroi një emision dokumentar për Adem Jasharin, që do të transmetohej gjatë ditës. Ekipi i angazhuar e kishte xhiruar një muaj më parë Adem Jasharin me uniformë ushtarake kamuflazhi e me mitraloz, sesi ecte nëpër arat e livadhet e veta. Në mbrëmje e dhanë emisionin. E paraqitën Adem Jasharin, luftëtar të rezistencës. Ai u deklaronte autorëve të emisionit se luftonte për Kosovën e pavarur. Ai demonstronte gatishmërinë e tij që t’u kundërvihej forcave të armatosura serbo-malazeze me mitraloz e bomba dore. Ai fliste edhe për fqinjët serbë në katundin përballë, ndërsa xhiruesi me teleobjektiv prezantonte pamje nga ai katund. Jashari tregonte se ai nuk kishte konflikt me kolonët serbë, po me qeverinë e Serbisë e me forcat e armatosura që djegin shtëpi e vrasin popullatën e pafajshme.
 
Në dhomën e Adem Jasharit kamera paraqiste tri foto të mëdha: Gjergj Kastriotin, Nënën Terezë dhe Ibrahim Rugovën.
 
Televizioni Zviceran jepte pamje të ditës në shtëpinë e Jasharëve. Ademi e Hamza në odën e burrave, një dhomë e rregulluar mirë, e pastër, sipër tyre në mur qëndronin tri fotografi në kornizë: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Nëna Terezë dhe Ibrahim Rugova. Kamera u përqendrua gjatë në këto tri portrete, duke e transmetuar në off fjalën e Adem Jasharit. Në intervistë, ai tha se këto tri personalitete janë më të rëndësishmet për kombin.
E ndoqëm emisionin në redaksi. Asnjëri nuk bëzante. Patëm edhe mysafirë, miq e lexues të gazetës që vinin kohë pas kohe në mbrëmje. Pamjet ndërroheshin njëra pas tjetrës. Adem Jashari tha se do të mbrohej, apo sikurse e theksoi ai, do ta mbronte pragun e shtëpisë, sepse s’kishte ku shkonte përtej shtëpisë. “Secili ka të drejtë të mbrojë pragun e shtëpisë”, kishte deklaruar disa herë Rugova në konferencat e shtypit. Këtë formulë e përsëriste edhe A. Jashari para kamerave.
 
Ajo që më bëri përshtypje në fund të emisionit ishte përbërja e madhe e serbëve në realizimin teknik të emisionit. Ishte praktikë e njohur e televizioneve perëndimore, që angazhonin teknikën e një televizioni më të afërt nga vendi i ngjarjes, ndërsa nga redaksia qendrore vinte vetëm autori i emisionit. A thua ta ketë ditur këtë fakt Adem Jashari, apo ata janë fshehur prapa emrave të tjerë? Edhe sikur ta dinte, nuk besoj se do t’i dëbonte, do ta vazhdonte rrëfimin e tij për luftën atdhetare, për shpirtin luftarak. Ajo që mund të mos ketë ditur është se, ky ekip i TV Beogradit mund t’ua ketë dorëzuar një kopje të emisionit Televizionit Zviceran, ndërsa kopjen tjetër shërbimit të fshehtë serb. Mbi këto xhirime mund të jetë krijuar strategjia e sulmit. Xhirimet e kapnin tërë hapësirën, oborrin, shtëpinë, dhomat e detajet e tjera.
 
Kjo mund të jenë vetëm hamendje e imja.
#
Pjesë të këtij emisioni të TV Zviceran, pastaj janë keqpërdorur në diasporë nga LPK-istët për muaj të tërë. Shfaqej nëpër disa qendra të emigrantëve tanë, duke e përvetësuar autorësinë, ndërsa u hoqën pamjet në dhomën e Adem Jasharit, ku shihej Gjergj Kastrioti, Nëna Terezë dhe Ibrahim Rugova. U hoq edhe deklarata e A. Jasharit, dhënë TV Zviceran, se ai kishte komandant Presidentin Ibrahim Rugova.
 
Këto pamje filmike dhe deklaratën e Adem Jasharit mbi këto tri personalitete, dhënë Radiotelevizionit Zviceran, Radiotelevizioni i Kosovës nuk e transmetoi kurrë. Nuk më kujtohet ta kenë transmetuar as Radiotelevizioni Shqiptar dhe televizionet e tjera në Kosovë e në Shqipëri… Dokumentari është në arkivin e prodhuesit, por besoj e kanë edhe RTSH-ja e njerëzit e shumtë. Duhet ta ketë edhe RTK-ja. Pse nuk e shfaqën asnjëherë, nuk është vështirë të dihet. Adem Jasharin e pronësoi një krah politik, duke e ndërtuar “fitoren” e tyre mbi luftën e sakrifikimin e tij sublim. Në publik thuhej se asokohe e vunë në dyshim luftën e tij, pasi Adem Jashari nuk e fshihte se ishte ushtar i Ibrahim Rugovës, e jo i LPK-së. Në uniformën e tij ushtarake nuk kishte emblemë të UÇK-së./Bota Sot
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave