Nga Don Fran Sopi
Që nga nata e mbrëmshme e orës 19-të, Kisha Katolike universale është përfshirë nga një valë gëzimi dhe shprese pas shpalljes së zgjedhjes së Atit të Shenjtë, Papa Leoni XIV, pasardhës i 267-të i Shën Pjetrit, dhe pas ndarjes nga kjo jetë të Papa Françeskut më 21 prill 2025.
Në atmosferën e përshpirtshme të Kapelës Sistine në Selinë e shënjtë në Vatikan, aty ku historia dhe lutja prekin qiellin, 133 kardinalë me të drejtë vote u mblodhën në Konklavën e nisur më 7 maj për të dëgjuar zërin e Shpirtit Shenjt. Pas disa raundeve votimi, më 8 maj 2025, u ndez tymi i bardhë dhe bota dëgjoi me emocion emrin e kardinalit amerikan Robert Francis Prevost, që zgjodhi të quhej Leoni XIV, Papa i parë nga Shtetet e Bashkuara në historinë dy mijëvjeçare të Kishës Katolike.
Zgjedhja e tij është më shumë se një ngjarje kishtare është një shenjë e freskët e Providencës Hyjnore, një thirrje që kumbon në zemrat tona si ftesë për të jetuar më thellë besimin, për t’u kthyer me përvujtëri te rrënjët e Ungjillit dhe për ta ndjekur Krishtin me zell të ri. Shpirti Shenjt, që fryn aty ku do, ka udhëhequr sërish Kishën Katolike, drejt një bariu të mirë që bashkon urtësinë e një mësuesi, zemrën e një rregulltari, dhe përkushtimin e një bariu që kudo i njeh delet e veta.
I lindur nga familja shpirtërore e urdhrit të shenjtë të Augustinianëve, Papa Leoni XIV vjen me një pasuri të çmuar shpirtërore, pra, më një përvojë të thellë në shërbim, një mendje të kthjellët në udhëheqje dhe një zemër të përvujtë që e njeh peshën e shërbesës petrine (lat. Petrus-Pjetër). Emri që ai ka zgjedhur, Leoni, na kujton papët trima që në kohë trazirash mbrojtën doktrinën e pastër të fesë, nxitën paqen dhe forcuan unitetin e Kishës. Dhe si një dritë që nuk shuhet kurrë, tingëllon zëri i Zotit tonë Jezus Krisht: “Ti je Pjetër – Shkëmb, dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time.”
(Mt 16,18)
Papa Leoni XIV vjen jo vetëm si një simbol i vazhdimësisë apostolike, por si një shenjë rigjallërimi, një udhërrëfyes që do të çojë Kishën Katolike në sfidat e kohëve tona me besim, durim dhe dashuri baritore. Me rrënjë të thella në spiritualitetin e Shën Augustinit, ai ofron një shikim që pajton zemrën dhe arsyen, një qasje që thërret Kishën të jetë gjithnjë më shumë shtëpi e mëshirës, mësuese e së vërtetës dhe dëshmitare e shpresës.
Në këtë moment solemn, le të lartësojmë lutjen tonë të përbashkët: Shpirti Shenjt, ndriço Papa Leonin XIV! Jepi dritë në mendje, forcë në zemër dhe durim në shpirt. Le të udhëheqë me përvujtëri e guxim, duke e shërbyer Kishën tonë, si shërbëtor i shërbëtorëve të Zotit, dhe duke i qëndruar pranë njerëzimit me mëshirë, drejtësi dhe dashuri.
Papa Leoni XIV, ne lutemi për Ty, dhe me Ty për gjithë Kishën tonë universale. Zoti të bekoftë!/Bota Sot