3 Tetor 1989. Ministri i Jashtëm shqiptar Reis Malile foli për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Shkruan: Ornela Çuçi
Ministri i vendit më të izoluar e më të palirë të botës, foli për shqiptarët e vrarë dhe të burgosur, për shkollat shqipe, për intelektualët, akademikët, mësuesit dhe të rinjtë që përndiqeshin.
Foli për represionin dhe për të drejtat kombëtare të shqiptarëve në Jugosllavi. Në një prej formulimeve më të forta të atij fjalimi tha se në Kosovë ligjin po e bënin “tanket dhe policët”.
Kosova në atë kohë nuk ishte shtet. Jugosllavia ende ekzistonte nga njëra anë e nga ana tjetër muri i Berlinit ende nuk kishte rënë dhe askush as nuk e imagjinonte se si do të dukej Ballkani vetëm dhjetë vjet më vonë.
25 shtator 2026
Tridhjetë e shtatë vjet më vonë, Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe negocion anëtarësimin në Bashkimin Europian. Kosova, ajo që në vitin 1989 as mund të imagjinohej si shtet i pavarur, tashmë është e tillë prej tetëmbëdhjetë vjetësh.
Shqipëria foli përsëri nga tribuna e Kombeve të Bashkuara, këtë herë përmes përfaqësuesit të saj më të lartë politik, kryeministrit, por Kosova nuk ishte pjesë e atij fjalimi.
Në Shqipërinë e sotme ky fakt rrezikon të humbasë mes SPAK-ut, SHISH-it, dosjeve të korrupsionit, përgjegjësive individuale e kolektive dhe debatit të përditshëm nëse na është kapur shteti apo thjesht njerëzit që e drejtojnë atë.
Po aq e padobishme do të ishte ta reduktonim çështjen te marrëdhënia Edi Rama–Albin Kurti, nëse flasin apo nuk flasin, nëse pëlqehen apo nuk pëlqehen. Këto janë marrëdhënie mes dy politikanësh dhe, sado peshë të kenë në një moment të caktuar, nuk mund të përcaktojnë marrëdhënien e Shqipërisë me Kosovën.
Shqiptarët sot duhet të gjithë të vënë kujën se Kur u bë Kosova një çështje që qeveria shqiptare mund të zgjedhë ta përfshijë ose jo në përfaqësimin e Shqipërisë, në OKB?
Nga një analizë që bëra sot në të gjithë sa ka të shkruar për fjalimet tona në OKB, dokumentet e Kombeve të Bashkuara tregojnë se kjo përgjegjësi nuk lindi me pavarësinë e Kosovës dhe as me arkitekturën e re të sigurisë që u krijua në Ballkan pas luftës së vitit 1999.
Ajo gjendet shumë më herët dhe, ajo që është më e rëndësishme, vazhdon përtej ndryshimit të regjimeve, qeverive dhe presidentëve. Ka ndryshuar sigurisht përmbajtja e qëndrimit shqiptar, sepse ka ndryshuar rrënjësisht vetë Kosova.
Para luftës Shqipëria fliste për të drejtat dhe mbrojtjen e shqiptarëve brenda Jugosllavisë; gjatë viteve të represionit dhe luftës për sigurinë dhe ndërhyrjen ndërkombëtare; pas vitit 1999 për statusin përfundimtar; ndërsa pas pavarësisë për njohjen, konsolidimin ndërkombëtar dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat shumëpalëshe. Pra ka ndryshuar argumenti diplomatik, por jo interesi prioritar që Shqipëria ka artikuluar.
Njësoj ka qenë kjo vit pas viti. Në vitin 2007 Shqipëria mbështeste planin e Ahtisaarit dhe pavarësinë; pas vitit 2008 kërkonte njohjen dhe konsolidimin e shtetit të ri; më pas opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, situata në veri, strukturat paralele dhe njohjet e reja u bënë pjesë e argumentimit shqiptar.
As rotacioni politik i vitit 2013 nuk e ndryshoi këtë vijë. Në fjalimin e tij të parë në OKB si kryeministër, vetë Edi Rama foli për marrëveshjen e Brukselit dhe sovranitetin e Kosovës, ndërsa në vitet që pasuan Rama dhe presidentët e Republikës e lidhën Kosovën me integritetin territorial, dialogun me Serbinë, njohjet, pjesëmarrjen në organizatat ndërkombëtare dhe liberalizimin e vizave.
Në vitin 2020 Ilir Meta kërkonte njohjen e ndërsjellë me Serbinë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB; në 2021 Edi Rama deklaronte nga e njëjta tribunë se Asambleja e Përgjithshme nuk ishte dhe nuk mund të ishte e plotë pa Republikën e Kosovës; në 2022 i kushtoi një pjesë të konsiderueshme të fjalimit raportit të Dick Marty-t dhe akuzave ndaj drejtuesve të UÇK-së; në 2023 Bajram Begaj kërkoi njohje të reja; në 2024 Rama e cilësoi pavarësinë e Kosovës një realitet të pakthyeshëm dhe kundërshtoi krahasimin e saj me territoret e pushtuara nga Rusia në Ukrainë; ndërsa në 2025 Begaj kërkoi përsëri që Kosova të zinte vendin e saj në Asamblenë e Përgjithshme.
Në vitin 2026 kjo vazhdimësi ndërpritet.
Në fjalim gjetën vend inteligjenca artificiale, Diella, dezinformimi dhe interpretimi i kryeministrit për protestat në Shqipëri. Rama e përdori tribunën edhe për të shpjeguar qeverisjen e vet. Për Kosovën nuk formuloi asnjë kërkesë. Përzgjedhja tregon çfarë vendosi t’i thoshte botës në emër të Shqipërisë.
Edi Rama foli për inteligjencën artificiale, Diellën, digjitalizimin, dezinformimin, transparencën dhe protestat në Shqipëri, duke ndërtuar një narrativë për një vend që kërkon të prezantohet ndërkombëtarisht përmes modernizimit teknologjik të qeverisjes. Problemi nuk është se Rama “harroi” të shqiptonte fjalën Kosovë dhe e zëvendësoi me fjalën “algoritëm. Problemi është se Kosova nuk ishte prioritet i joni.
Dhe kjo ndodh në një moment aspak të zakonshëm për Kosovën.
Drejtues historikë të UÇK-së vazhdojnë të përballen me procesin në Hagë, ndërsa për ne shqiptarët UÇK-ja mbetet e lidhur me rezistencën ndaj represionit të regjimit të Millosheviçit, me luftën çlirimtare dhe me procesin historik që çoi në krijimin e shtetit të Kosovës. Shqipëria nuk kishte nevojë të kthente tribunën e OKB-së në sallë gjyqi dhe as të komentonte një proces juridik.
Por kishte arsye të mjaftueshme politike dhe historike për të mos e lënë Kosovën jashtë pikërisht në një moment kur Serbia vazhdon ta ketë karrigen dhe mikrofonin e saj në atë sallë, ndërsa Kosova ende nuk e ka.
Pikërisht për këtë arsye nuk do ta quaja këtë një harresë dhe as do të nxitoja ta shpallja ndryshim zyrtar të politikës së jashtme shqiptare ndaj Kosovës.
Një fjalim i vetëm nuk mjafton për këtë të fundit. Por fakt është se në vitin 2026 qeveria shqiptare tregoi se mund ta ndërtojë mesazhin e saj kryesor ndërkombëtar pa e konsideruar Kosovën pjesë të tij.
Pas një historie kaq të gjatë të pranisë së Kosovës në diplomacinë shqiptare, kjo është një zgjedhje që meriton shpjegim, nëse Kosova vazhdon të konsiderohet interes kombëtar i Shqipërisë që duhet artikuluar dhe mbrojtur ndërkombëtarisht, apo po shndërrohet gradualisht në një çështje të politikës së jashtme që qeveria e radhës mund ta përfshijë ose jo sipas axhendës së saj.
Qeveritë kanë prioritete dhe kanë të drejtë t’i ndryshojnë ato. Por interesat kombëtare nuk mund të lëvizin me të njëjtën lehtësi, sepse nëse varen nga axhenda, marrëdhëniet apo nevojat politike të një qeverie, atëherë duhet të pyesim nëse vazhdojnë të jenë interesa të shtetit apo janë kthyer në interesa të atyre që përkohësisht e drejtojnë ende atë.
Përse, pas një vazhdimësie që kaloi nga Reis Malile te qeveritë demokratike, nga Kosova nën Jugosllavi te Kosova e pavarur, nga e majta te e djathta dhe nga një president te tjetri, këtë vit Kosova nuk ishte më pjesë e fjalës së Shqipërisë në OKB?
Çfarë ndryshoi këtë Shtator, rëndësia e Kosovës për Shqipërinë, interesi kombëtar shqiptar, apo interesat dhe nevojat politike të atij që edhe këtë herë pati fatin të përfaqesonte Shqipërinë?
Kryeministri na ka kujtuar shpesh kohët e fundit se përgjegjësitë janë personale. Andaj për këtë zgjedhje duhet të përgjigjet kryeministri.
Ne shqiptarët jemi një.
Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete sovrane, por përkatësia jonë e përbashkët nuk është në dispozicion të qeverisë së radhës.
Jemi një komb, një gjuhë, një Atdhe. Kryeministri vendos çfarë thotë në fjalimin e tij por kurrsesi nuk vendos sa na përket Kosova.
Sot përtej çdo lajmi tjetër, na duhet të gjijmë, pse, pikërisht tani, Kosova nuk i duhej më fjalës së Shqipërisë në OKB. Dhe kujt i shërbeu kjo heshtje?/Gazeta Metro