“Arrëthyesi”, ëndrrat dhe koha e fotografive
“Arrëthyesi”, ëndrrat dhe koha e fotografive 09.01.2024 | 09:55
Arrëthyesi si dhuratë në festën e Klarës bëhet ylli i mbrëmjes. Edhe për publikun vendor, “Arrëthyesi” qe dhuratë e madhe. Aso dhuratë që ndez fort në një vend ku “nuk ka kurrgjo”. Në një vend kur për afro 20 vjet, shteti tenton të ndërtojë një teatër opere, por nuk shkon më larg se te guri themeltar. Në tentativat më të shpeshta, nuk ia del të ketë as projektin
 
Një ndërmarrës i suksesshëm që ofron kryesisht shërbime luksi, ka kohë që mundohet të bëhet edhe folës motivues. Me krejt pazotësinë e natyrshme që të jetë personazh në këtë sferë, nganjëherë nxjerr në pah fakte të cilat më bindëse do të ishin të lexoheshin sesa në mënyrën se si i thotë ai. Një ditë ia behu diçka të tillë: “Kosova është vend i përshtatshëm për biznes pikërisht pasi nuk ka kurrgjo”. Donte të thoshte se nuk ofron shumë gjëra që në botën perëndimore janë të kahershme e përditshmëri. Dhe, kishte të drejtë.
 
Te pjesa “pasi nuk ka kurrgjo”, lirisht mund të futet edhe mospasja e infrastrukturës bazike kulturore. Në këtë aspekt Prishtina prin. Madje bindshëm edhe në raport me disa qytet të tjera të vendit. Sot në kryeqytet nuk ka institucion e as organizatë joqeveritare të kulturës që zhvillon punën në ambiente normale. E si pasojë, institucionet qendrore të kulturës duhet të shtegtojnë nga hapësira në hapësirë.
 
Fjalët e ndërmarrësit i vërteton si asgjë tjetër shfaqja e Baletit Kombëtar të Kosovës, “Arrëthyesi”. Një prej baleteve më të njohura e më festive në botë, nxjerr në pah një përrallë ikonike që zhvillohet në Gjermani. Pra, në vendin që prin për nga institucionet e operës dhe po ashtu për nga kështjellat. “Arrëthyesi” me muzikë të Tchaikovskyt, midis të tjerësh, për personazhe ka edhe minjtë. Klara, Princesha, Princi e Arrëthyesi janë personazhet kryesore. Klara gjatë festës futet në një ëndërr të gjatë. Skenat janë impozante. E kur Orkestra e Filharmonisë së Kosovës dirigjuar prej Boian Videnoffit, luan për shfaqjen, ajo bëhet edhe më glamuroze. Por Orkestra tingëllon aq sa mund të tingëllojë në një ambient që veç për muzikë të tillë nuk është. Bëhet fjalë për një sallë komerciale, larg në periferi të kryeqytetit. Baleti e Filharmonia për të ofruar sa më shumë spektakël përmbajtjesor kanë bërë krejt çka është e mundur për të improvizuar sallën që të ngjajë me një teatër madhështor. Dhe, mirë kanë bërë. Nëse lihet anash një version i shkurtër i “Halilit dhe Hajrisë” në 50-vjetorin e themelimit të Baletit, ky bashkëpunim midis dy institucioneve është i pari në përmasa të tilla. Përballë për dy net kishin nga 500 veta. Kualiteti në një sallë të tillë bie sidomos për Orkestrën. Balerinët me krejt maskimet e skenës dalin më mirë. Por jo aq sa duhet. Vërehet fort mungesa e realizmit të shfaqjeve me muzikë të atypëratyshme. “Arrëthyesi” nuk mashtrohet.
Megjithatë, ëndrra e personazhit Klara vazhdon. Sorollatet nëpër hapësira bore duke kapërcyer pyje. Improvizimi i skenës dhe i hapësirës nuk është e vetmja e metë edhe nëse shtohen çalimet profesionale. Krejt artistët bashkë përballë – në natën e dytë, më 17 dhjetor – kishin një publik ku shumica zor të kenë parë balet që shoqërohet me orkestër. Derisa shihnin baletin me koreografi të mjeshtrit Ilir Kerni, një pjesë jo e vogël kishin ndjesinë që janë në ndonjë “pub” (pijetore). Një pjesë tjetër me gjasë kishin sjellë fëmijët me idenë që po shkonin te ndonjë shfaqje me humor klounësh për Vitin e Ri. Të paktën ashtu ngjante. Muhabetet e pandërprera të fëmijëve, fotografitë me blic nga të rriturit, të nivelit sa edhe bëhet thirrje në kohë pauze që të mos ndizen blicet e deri tek ata që dalin gjatë shfaqjes për të marrë kafe jashtë e për t’u kthyer prapë brenda, qenë shfaqje më vete. Realisht, shfaqje e hidhet që tregon shumë. Zallamahia e publikut nuk është ndalur asnjë sekondë.
 
Por Klara (Jeta Musolli) e vazhdonte ëndrrën.
 
Në rreshtat e parë kanë qëndruar qeveritarët. Midis tyre ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, bashkë me ekipin e tij. Edhe me atë pjesë që e paguan ekstra për punë marketingu ose “PR-i”. Ia ka dalë bukur që të instalojë një qeverisje fotografish e videosh të shkurtra. Fotografja endet gjithandej, shkrep fotoaparatin, postohen ato imazhe të spikatura bashkë me një koment të vogël ku lavdërohen produktet artistike. Megjithëse me sponsorizim të MKRS-së sivjet është miratuar version i ri i Ligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, shpesh ekipi i “PR-it” merr paragrafë gazetash edhe i poston si të vetat. Natyrisht, kur u shkon përshtati ndonjë paragraf.
 
Në rastin e “Arrëthyesit”, sikurse në rastet e tjera kur postohen fotografitë gjithçka duket impozante. Por aty nuk tregohet thelbi. Nuk ka informacion se produksioni që ka kushtuar rreth 150 mijë euro jepet vetëm dy herë shkaku i hapësirës. Nuk tregohet se balerinët është dashur të shkojnë për një muaj e të paguajnë një sallë private për ushtrime. Mungon informacioni se Baleti si institucion sorollatet prej korrikut të vitit të kaluar për të bërë ushtrime e prova. Prej që është mbyllur ndërtesa e Teatrit Kombëtar të Kosovës për renovim, kjo trupë është pa shtëpi. Në fotografitë e publikuara nga ministri Çeku po ashtu nuk tregohet se kjo trupë për një vit ka realizuar veç shfaqje moderne shkaku i hapësirës pasi nuk ka ku t’i japë ato. Pra, fotografitë janë thjesht histori imazhesh të një momenti që është krijuar veç për t’i shkrepur fotoaparatet.
 
Normalisht, Klara vazhdon të ëndërrojë. Futet në tokën e ëmbëlsirave, princi i rrëfen për betejën me minjtë e vallëzimi ecën para. Arrëthyesi si dhuratë në festën e Klarës bëhet ylli i mbrëmjes. Edhe për publikun vendor “Arrëdhyesi” qe dhuratë e madhe. Aso dhuratë që siç thoshte ndërmarrësi ndez fort në një vend ku “nuk ka kurrgjo”. Në një vend kur për afro 20 vjet shteti tenton të ndërtojë një teatër opere, por nuk shkon më larg se te guri themeltar. Në tentativat më të shpeshta nuk ia del të ketë as projektin. Ndërkohë Klara zgjohet nga gjumi dhe si rrjedhojë i ndërpritet ëndrra. E gjen veten pranë pemës së Krishtlindjes me lodrën arrëthyese afër. Balerinët pas të shtunës dhe të dielës po ashtu janë zgjuar nga gjumi.
 
Por nuk e kanë gjetur veten tek “Arrëthyesi” spektakolar. As Orkestra nuk e ka gjetur veten aty. Se kur do të vijë koha që sallat e skenat e tilla të jenë realitet nuk dihet. As nuk mund të merret me mend. Sepse është veç kohë fotografish./©KOHA
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,