Të premten mbrëma, Baleti Kombëtar i Kosovës është prezantuar para publikut me premierën e katërt të vitit 2025, “Bolero & Bach La Orientale”, të koreografit të njohur Mehmet Balkan. Shfaqja e baletit erdh si bashkëdyjëzim i dy projekteve, duke sjell bukurinë midis elegancës klasike dhe ndjeshmërisë së ritmeve orientale, përmes muzikës së kompozitorëve të shquar, Maurice Ravel dhe Johann Sebastian Bach.
Mbrëmja plotë magji, ritëm dhe dinamikë filloi me pjesën e parë “Bolero” nën madhështinë e tingujve të Maurice Ravel. Një prapavijë e bukur me pamje piktoreske ngjasonte me një kështjellë përrallash ku dy të dashuruar (balerinë) shkriheshin në një, përmes një vallëzimi tejet të bukur. Një ton melankolik i shtohet veprës, kur prapavija merr pamje vjeshte. Ndërkaq, elemente magjepsëse merr shfaqja kur balerinët ‘fluturonin’ nën petkun e borës së kristaltë.
Zjarri i vihet skenës kur bashkangjitet e tërë trupa e Baletit Kombëtar në një rreth që ngjasonte me ritualet e shenjta të njeriut të kohëve të lashta.
Shkundjet dhe lëvizjet me plot pasion i dhanë ngjarjes një dinamikë të paraprë. Kurse, rivaliteti i balerinëve për të fituar vëmendjen e balerinave shpërfaqte tendencën për dominancë brenda sojit.
Pas një pauze disa minutëshe filloi pjesa e dytë “Bach La Orientale”, nën tingujt e kompozitorit Johann Sebastian Bach. Vallëzimi i balerinave me ritme orientale solli një atmosferë të veçantë. Kryqëzimi i nyjeve të duarve dhe ftesa për vallëzim që i drejtohej publikut ngjante në vallëzim haremi.
Krijimi i formave të ndryshme estetike, ka prezantuar një shprehje të veçantë artistike përmes trupave të balerinëve.
Këtë shfaqje me plotë pasion dhe dinamikë publiku e duartrokiti gjatë, duke shpërblyer punën dhe mundin e profesionistëve të vallëzimit: Jeta Musolli, Sead Vuniqi, Aulonë Nuhiu, Fisnik Smani, Luljeta Ademi, Fatmir Smani, Leonora Rexhepi, Kreshnik Musolli, Vlora Prizreni, Isa Beg Gjocaj, Blerta Fanaj, Donmir Bilalli dhe të balerinëve: Behie Murtezi, Muhamet Bikliqi, Marigona Hoxha, Rigon Krasniqi, Drilon Podrimqaku, Nora Gashi, Liridon Mziu, Mimoza Bytyqi, Elmedina Berisha, Ensar Lutaj, Erza Limani, Besjanë Bytyqi, Nisa Krasniqi, Eliza Vitija, Ersa Sopa.
Mehmet Balkan, koreografi i shfaqjes ka thënë se ndihet tej mase i lumtur pas reagimit të audiencës pas shfaqjes.
“Veprën “Bach La Orientale” e kam realizuar 20 vjet më parë. Dhe “Boleron” e kam bërë rishtazi. Premierën e kisha në Rusi në prill të vitit 2025.
Shumë njerëz më pyesnin pse nuk e bëja “Boleron”. “Bolero” origjinale është 11 minuta, shumë e shkurtër, kështu që ne i shtuam pak tekno për të rinjtë. Pra kjo është bolero- tekno- bolero, e kemi realizuar për të vendosur fuqinë e valltarëve”, ka thënë ai duke e komentuar edhe bashkëpunimin shumëvjeçar me BKK-në.
“Ishte jashtëzakonisht mirë sepse me BKK-në kam punuar që 15 vjet më parë. Me institucionin kam bërë shumë prodhime. Është sikurse ata janë të gjithë fëmijët tanë, si nëna, babai dhe fëmijët e tyre. Ata e pëlqejnë këtë, ishte një mënyrë e mirë për ta realizuar”, ka thënë koreografi i njohur.
Ndërsa, Lale Balkan, ka thënë se rivendosja e pjesëve të caktuara në koreografi për të si asistente ka qenë mjaft sfiduese.
“Ishte shumë e vështirë, shumë e vështirë të realizosh çdo hap dhe pastaj shpjegoje dhe pastaj duhej ta bëj të lumtur Mehmetin me atë se çfarë dëshironte saktësisht t’u mësosh atyre. Por, është realizuar një punë e mirë, shumë e mirë”, ka thënë gruaja e koreografit.
Ndërsa, drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi ka thënë se një perfomancë brilante ka qenë e pritur, pas tërë punës së madhe të balerinëve.
“Ka qenë diçka që e kam pritur, duke e pasur parasysh angazhimin e balerinëve të Baletit Kombëtar të Kosovës. Ata e kanë dhënë më të mirën prej vetes, siç ndodh në çdo projekt tjetër. Po ashtu duke pasur parasysh edhe koreografin Mehmet Balkan, i cili është një emër ndërkombëtar, me të cilin kemi bashkëpunime të herë pas herëshme. Është një koreograf i cili tashmë e njeh edhe audiencën e vendit tonë. Kështuqë ka qenë brenda pritshmërive të mija, duke e pasur parasysh se është bërë një punë intensive, që sonte ka rezultuar mirë para publikut. Përshtypjet e njerëzve kanë qenë njashtëzakonisht të mira, që sigurisht na bëjnë të ndihemi shumë mirë”, ka thënë ai.
Drejtori Kajtazi ka shprehur krenari për numrin e madh të balerinëve në skenë, gjë e cila sipas tij i ka dhënë ngjarjes madhështi.
“Sonte duke e parë shfaqjen e pash që numri i balerinëve po shkon duke u rritur, sonte i kemi pasur 27 balerinë në skenë. Skenat masovike të japin një ndjenjë të mirë, duke e pasur parasysh që kemi edhe balerinë të rinj, të cilët janë inkorporuar jashtëzakonisht mirë me trupën. Jam shumë i lumtur për këtë gjë”, ka thënë drejtori Kajtazi.
Për solisten, Jeta Musolli bashkëpunimi me koreografin Mehmet Balkan ka qenë një privilegj i jashtëzakonshëm.
“Kur punojmë me Mehmet Balkan dhe me asistenten e tij, Lale Balkan përvoja zakonisht është e mahnitshme. E kanë një energji tejet pozitive. Ne gjithmonë mësojmë prej tyre. Shfaqjet e tyre janë magjike, që edhe publikut i pëlqejnë jashtë mase. Kanë shumë energji, harmoni mes veti. Ne, si balerinë të Baleti Kombëtar të Kosovës jemi të privilegjuar që të punojmë me ta. Nga reagimet e publikut, u kuptua që performanca u pëlqye shumë, dhe puna jonë u vërtetua edhe një herë” ka thënë solistja Musolli, duke i komentuar edhe kushtet aspak të favorshme të procesit të punës.
“Nga ana jonë si balerinë, provat kanë shkuar shumë në rregull dhe shumë mirë. Duke i pasur parasysh kushtet, siç dihet, na mungon salla, na mungon teatri, një orar i rregullt. Në këto kushte ne jemi vetëm duke mbijetuar”, është shprehur ajo.
Kurse, solisti Sead Vuniqi ka thënë se ndihet i lumtur që kanë arritur të përcjellin emocionet e artistëve të skenës te publiku në sallë.
“Publiku dhe të gjithë ne e kemi përjetuar këtë shfaqje dhe tërë këtë proces, që për ta realizuar ka marr kohë 1 muaj e gjysmë. Uroj që publiku ka mundur t’i pranojë ato ndjeshmëri të cilat ne i kemi dhënë në skenë. Ata e kanë përjetuar bashkë me ne gjatë dy pjesëve të performancës, si te “Bolero” që ishte kulmi i shfaqjes, po ashtu edhe te “Bach La Orientale”. Të punosh me Mehmet Balkan është gjithmonë kënaqësi. Kemi privilegjin që të bashkëpunojmë me të pasiqë është një ndër koreografët botëror që bën pjesë në kontributin e balerinëve të Kosovës”, ka thënë ai.
Puna e Baletit Kombëtar të Kosovës vazhdon të realizohet jashtë shtëpisë së vet tash e tre vite. Performancat e vazhdueshme brenda dhe jashtë vendit i mundësojnë BKK-së kushte për mbijetesë, por jo funksionim adekuat.
“Jemi përpjekur ta ruajmë kontinuitetin e punës, duke pasur parasysh që baleti është një prej arteve më të bukura dhe më të vështira. Jemi munduar që përmes projekteve të reja, përmes paraqitjeve brenda dhe jashtë vendit të ruajmë vazhdimësinë, për shkak se në një farë forme është mbijetesë për ne. Nëse një balerin nuk punon rregullisht çdo ditë, atëherë është e pamundur të jetë i tillë. Kështu që jemi munduar që të gjitha këto probleme të cilat na i shkakton infrastruktura kryesisht t’i mënjanojmë, t’i lëmë anash me qëllimin e vetëm që shfaqjet, produktet, dhe profesionin tonë ta ruajmë”, ka thënë më tej drejtori Kajtazi.
Edhe shfaqje të tjera janë të planifikuara nga BKK gjatë këtij viti. Në fund të nëntorit BKK do të prezantohet në Venecia të Italisë, në “VeneziainDanza 2025”- në një festival jashtëzakonisht prestigjioz, me shfaqjen “Carmina Burana”. Po ashtu BKK do të prezantohet edhe në Potenca të Italisë, ku do të performojnë në teatrin “Milibran”, një prej teatrove më ikonik të Italisë. Gjithashtu, shfaqja tashmë tradicionale “Arrëthyesi”, do të prezantohet në fund të vitit./ KultPlus.com