Lundrimi artistik i Baletit Kombëtar në Venecia
Lundrimi artistik i Baletit Kombëtar në Venecia 29.11.2025 | 12:00
Trupa e Baletit të Kosovës, në mbrëmjen e 29 nëntorit, ka dhënë në Teatrin Malibran të Venecias, shfaqjen “Carmina Burana”
 
Nga: Valona Hasani
 
Teatri Malibran, i ndërtuar 347 vjet më parë, i rezistoi kohës jo vetëm përballë modernizimit, por edhe stuhive të historisë, zjarreve të epokave. Ai qëndron ende sot, si një zemër e vjetër që rreh brenda labirintit të Venecias.
 
Teatri në fillimet e tij u quajt ‘Teatro di San Giovanni Grisostomo’, e më pas duke e bërë ende më të magjishëm e emërtuan ‘Teatri Malibran’ për nder të sopranos Maria Malibran, e cila më performancën e saj brilante la të mahnitur mijëra njerëz në atë kohë.
 
Teatri ishte i veshur me të kuqen e dashurisë dhe me të artën. Në kupolën e saj gjendet portreti i sopranos spanjolle Maria Malibran dhe datat e shkruara me numra romak, engjëj me krahë të pikturuar që reflektojnë trashëgiminë artistike veneciane të mbijetuar me shekuj të tërë.
 
Në dy pjesët anësore të teatrit ishin vendet për ata që duan të jenë të ndarë nga pjesa e bashkuar e publikut në zemrën e teatrit. Veshja nuk kishte aspak rëndësi për publikun venecian, mjaftonte shfaqja.
 
Trupa e Baletit të Kosovës: Një simfoni e gjallë në Teatrin Malibran
 
Në skenën e këtij teatri historik u ngjit edhe Trupa e Baletit të Kosovës, në mbrëmjen e 29 nëntorit, për të dhënë një ndër shfaqjet më të mira të këtij institucioni, “Carmina Burana”.
 
Baleti Kombëtar, në sinkron me kantatën e famshme të Carl Orff të vitit 1936, i dha 90 minutëshin përrallor publikut venecian. Salla e mëdha u mbush me qindra njerëz, ku magjia e performancës përzihej me emocionet e audiencës, dhe asgjë nuk është më magjike sesa të jesh pjesë e tij. Një vijë e hollë ndarëse qëndron mes interpretimit artistik dhe asaj që është ndjenja, përjetimi. Publiku ishte i tëri i përqendruar në lëvizjet e trupës së Baletit, asnjë zë, asnjë duartrokitje në mes shfaqjes. As edhe një të vetme. Vëmendja ishte vetëm te performanca.
 
Në fund, Trupa e Baletit u duartrokit për mbi katër minuta të pandërprera. Çdo duartrokitje shpërthente si një valë e madhe krenarie, duke u përzier me frymëmarrjet e publikut dhe duke e mbushur sallën me një magji të papërshkrueshme. Ishte një çast ku arti, emocionet dhe adhurimi u bashkuan në një simfoni të gjallë, një moment që dukej se do të ngelë i pashlyeshëm në kujtesën e të gjithëve.
 
Në linkun e mëposhtëm mund të lexoni një tekst të mëhershëm të Gazetës Express rreth kësaj shfaqjeje:
 
Pas Venecias, turneu mori udhën drejt Potenzës më 1 dhjetor, për ta shpërndarë magjinë edhe më larg. E vetmja hije mbi atë mbrëmje ishte vonesa prej 20 minutash para fillimit, një kujtim i lehtë se pritjet nuk janë një zakon i lënë pas as kur je larg Kosovës.
 
Venecia – qytetit që ecën mbi ujë
 
Venecia, qyteti i ndërtuar mbi ujë, gjithmonë ka qenë një nga misteret që e zinte një pjesë të bollshme të imagjinatës sime, doja të eksploroja, dhe ky përjetim ishte ndryshe. Në secilin vend tjetër të botës gjëja e parë që ta ngacmon syrin është arkitektura e ndërtesave.
 
Një pamje fantastike të shikosh që midis secilit objekt është një rrugicë e ngushtë që maksimumi mund të ecnin dy persona paralelisht, në raste të tjera duhej të ecje rresht për një. Në vend të rrugëve të shtruara me beton ca centimetra ose harrnimi i tyre asfalt mbi asfalt, ishte uji që mbizotëronte dhe pasqyronte ndërtesat gjatë lundrimit me varka.
 
Lundrimet me varka ishin zgjedhja e preferuar e çifteve që endeshin nëpër rrugicat e Venecias të magjepsur me pamjen. S’është rastësi që Venecia njihet si qyteti i të dashuruarve.
 
Dyqanet nuk ishin moderne sikurse jemi mësuar t’i shohim, thjeshtësia nuk mund të kopjohet, andaj duhet të përqendrohemi të fjalia: art në vete.
 
Qendrat tregtare ngërthenin një përsosmëri në mënyrën se si të bënin përshtypje produktet vetëm duke i shikuar nga distanca përmes xhamave.
 
Shtëpitë dukeshin të lashta, nga jashtë jepnin përshtypjen sikur u kishin mbijetuar zjarreve, por pa ju dhënë rëndësi t’i renovonin apo t’i zbukuronin në formë aristokrate.
 
Pashë të moshuar të veshur bukur, diversiteti i ngjyrave dominonte në stilin e tyre, disi mendoja që këta njerëz nuk janë ndier kurrë të paragjykuar, ndoshta edhe po, por thjesht për ta është e parëndësishme, andaj janë të lirë, andaj rrudhat e tyre veç rrudha nuk janë, sa e magjishme është jesh i lire në këtë kohë? Sa pak kushton të jesh i lirë në Itali?
 
Rreze dielli për pikë të qejfit
 
Shqiptarët i kërkojnë shqiptarët kudo që shkelin nëpër hartën e botës. Pas një kërkimi të gjatë për një vend modest, gjetëm një restorant shqiptar në qendër të Venecias. Në një tavolinë të vetme ma tërhoqi vëmendjen gruaja rreth moshës 40-50 vjeçare. Mund të jetë një identifikim i gabuar, por gjithsesi. Ishte vetëm me veten e saj, kaq i mjaftonte.
 
Përreth një orë qëndroi e palëkundur me espresso në tavolinë dhe më karrigen e kthyer drejt rrezeve të diellit. Në asnjë moment nuk e kontrolloi telefonin, në asnjë moment e nuk e shikoi ç’po bënin të tjerët, këtë rol e bëja vetëm unë pasi që e vëzhgoja ngulmas, ndoshta se këtë mund ta bëjmë më së miri, për ironi të fatit. Nuk e mbaj mend herën e fundit kur jam ulur për të marrë rreze dielli? Kur kam qenë vetëm me veten time? Kur kisha marrë boten time për ta flakur tutje botën e botës, ishte një mësim, një përvojë, një përjetim që duhet t’i injoroja paragjykimet e botës për të qëndruar vetëm me veten time… ndoshta ndonjë kafe në rrugicat e Prishtinës, ndoshta do të më vrojtonte dikush si unë atë grua…
 
Venecia nuk është vetëm një qytet mbi ujë, por një përvojë që zgjon shqisat dhe ndjenjat, duke të bërë të kuptosh se bukuria dhe liria shpesh ndodhen në gjërat më të thjeshta të jetës.
 
Kultura Italiane, udhëtim mes artit, pasionit dhe trashëgimisë
 
Çdo qytet duket si një pikturë e gjallë, një panoramë që mishëron dashurinë për këtë vend. Muzika dhe performanca janë gjaku që rrjedh nëpër venat e popullit italian. Teatri, baleti dhe opera nuk janë thjesht shfaqje apo ngjarje që arkivohet pas disa ditësh; ato janë kujtesë e përditshme. Rrugët e çdo qyteti mbajnë sinjale që tregojnë: këtu është muzeu, këtu është teatri, dhe po, këtu gjendet edhe letërsia e Dantes dhe Umberto Ecos, filozofia e Machiavellit.
 
Megjithatë, thelbi i kulturës italiane nuk qëndron vetëm në muze dhe teatro, katedralet, ndërtesat e larta dhe letërsia, ajo ndodhet në përditshmërinë e bukur dhe të thjeshtë. Ajo ndodhet në një kafene që ndoshta për ne do të dukej e zymtë, ndodhet edhe në ato vende ku punon një 70-vjeçar në recepsionin e ndonjë hoteli, ndodhet edhe te ai i moshuari tjetër që merr udhën për të shikuar ndonjë shfaqje, ndodhet pikërisht te gjuha, te shqiptimi i fjalëve, të sytë e njerëzve që dinë të jetojnë, duan të jetojnë. Aty ku uji reflekton qiellin dhe formon pesazhin më të mirë që sytë mund ta shohin, ta ndjejnë e ta jetojnë./Express
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave