Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, mbrëmjen e së hënës qëndruan për vizitë në Komunën e Suharekës, me rastin e hapjes solemne të përurimit të Shtëpisë së Kulturës "Ukë Bytyçi". Atje u mirëpritën nga Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj si dhe familjarë të familjes Bytyçi. Në këtë ceremoni e pranishme ishte presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, potencohet se e veçanta e këtij përurimi të Shtëpisë së Kulturës, është se po bëhet pikërisht në prag të shënimit të përvjetorit të 22-të të rënies së ish kryetarit të Komunës së Suharekës, Ukë Bytyçit, dhe vetëm dy muaj pas ditëlindjes së 69-të të tij.
"E ndërtuar në mënyrë që t’i shërbejë komunitetit artistik dhe rinisë, kjo shtëpi është një tregues i angazhimit të madh për të kultivuar prodhimin e kulturës në Republikën e Kosovës, si dhe synimi saj është ofrimi i kushteve sa më të mira infrastrukturore dhe mjedis të përshtatshëm" thuhet në njoftim.
“Kjo Shtëpi e Kulturës që do të shërbejë si shtëpi e artit dhe kulturës, do të jetë në dispozicion për të gjithë ata që duan të kontribuojnë në pasurimin e jetës kulturore dhe shoqërore të Suharekës”, u shpreh kryeministri Kurti.
Funksionalizimi i kësaj hapësire të re ka sjellë në jetë një ndërtesë që tashmë është një prej qendrave më të mira në Kosovë për nga hapësira, funksioni, dhe mundësitë që i ofron komunitetit artistik të komunës së Suharekës dhe jo vetëm.
Tutje theksohet se falë investimit dy pjesësh në shumën prej afër 4 milionë euro nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në njërën anë, dhe më bashkëpunimin e Komunës së Suharekës në anën tjetër është arritur që të finalizohen hapësirat e bollshme të Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyçi”, të cilat për të gjithë artdashësit do të ofrojnë mundësi për të akomoduar aktivitetin e institucioneve të kulturës edhe aktivitetet e artistëve dhe organizatave nga skena e pavarur kulturore.
"Në lidhje me këtë, kryeministri Kurti potencoi se ky është një shembull pozitiv dhe i duhur i bashkëpunimit të institucioneve qendrore dhe atyre lokale për të mirën e qytetarëve tanë" thuhet në komunikatë.
Lidhur me përurimin e Shtëpisë së Kulturës ka shkruar presidentja Vjosa Osmani, në një postim në Facebook.
"Në këtë vend, e kaluara jonë, e cila personifikohet me jetën dhe veprën e Ukë Bytyqit, do të gërshetohet mrekullisht me të tashmen dhe të ardhmen e të rinjve tanë!
Tashmë, të rinjtë tanë do të kenë mundësi më të madhe për ta zhvilluar talentin e tyre, duke nderuar komunën, shtetin dhe flamurin e Kosovës!", ka shkruar Osmani.
Ndërsa Ministri i Kulturës Hajrullah Çeku teksa ka publikuar video nga Shtëpia e Kulturës në Suharekë, ka thënë se tashmë është gati për aktivitete kulturore!