Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord për zbatimin e një armëpushimi të ri, pas raundit të katërt të bisedimeve të ndërmjetësuara nga SHBA në Uashington.
Sipas deklaratës të Departamentit Amerikan të Shtetit, marrëveshja kushtëzohet nga një ndërprerje e plotë e sulmeve nga grupi i armatosur Hezbollah, i mbështetur nga Irani, si dhe nga largimi i operativëve të tij nga zona në jug të Libanit, mes lumit Litani dhe kufirit me Izraelin.
Njoftimi vjen në një kohë tensionesh të vazhdueshme, pasi sulmet izraelite vranë të paktën nëntë persona në Libanin jugor të mërkurën, ndërsa Hezbollahu lëshoi raketa drejt veriut të Izraelit, duke vënë në provë armëpushimin e brishtë të arritur fillimisht në prill.
“Të gjitha palët riafirmuan se e ardhmja e marrëdhënieve mes Izraelit dhe Libanit duhet të përcaktohet nga dy qeveritë sovrane dhe hodhën poshtë çdo përpjekje për të mbajtur peng të ardhmen e Libanit“, thuhet në deklaratën amerikane.
Marrëveshja parashikon gjithashtu krijimin e zonave pilot ku Forcat e Armatosura Libaneze do të kenë kontroll ekskluziv, duke përjashtuar praninë e aktorëve të armatosur jo-shtetërorë. Megjithatë, autoritetet amerikane nuk dhanë detaje mbi mënyrën e funksionimit të këtyre zonave.
Ky zhvillim pason një armëpushim të pjesshëm të arritur më herët gjatë javës, sipas të cilit Izraeli do të shmangte bombardimet në Bejrut, ndërsa Hezbollahu do të përmbahej nga sulmet ndaj territorit izraelit.
Palët pritet të takohen sërish më 22 qershor për të vazhduar negociatat me synimin e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. Deri tani, Hezbollahu nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj njoftimit të fundit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi para shpalljes së marrëveshjes se shpresonte që bisedimet të prodhonin një plan sigurie për Libanin që do të funksiononte i pavarur nga Hezbollahu.
Ndërkohë, situata në terren mbetet e tensionuar. Ministria e Shëndetësisë e Libanit raportoi se mes viktimave të sulmeve izraelite ishin edhe dy punonjës të emergjencës, ambulanca e të cilëve u godit në zonën e Chehourit. Nga ana tjetër, ushtria izraelite tha se kishte interceptuar një dron dhe dy predha që kishin kaluar kufirin nga Libani.
Pavarësisht përparimit diplomatik, deklaratat kontradiktore nga përfaqësues të Hezbollahut tregojnë se zbatimi i marrëveshjes mund të përballet me sfida të mëdha në javët në vijim.