Leoni XIV në Argjentinë: «Ekonomia duhet të jetë në shërbim të njeriut dhe jo e kundërta»
Leoni XIV në Argjentinë: «Ekonomia duhet të jetë në shërbim të njeriut dhe jo e kundërta» 09.11.2026 | 03:26
Në Palacio Libertad, në Buenos Aires të Argjentinës, Papa u bën thirrje autoriteteve për përgjegjësi ndaj së mirës së përbashkët, drejtësisë shoqërore, mbrojtjes së jetës dhe dialogut. Një thirrje për të ndërtuar një atdhe të bashkuar, të aftë për të ruajtur trashëgiminë e tij, për t'u ofruar mundësi të rinjve dhe për të mos harruar më të brishtët, nën dritën e vlerave të Ungjillit.
 
Pas përfundimit të etapës uruguajane, me kremtimin e meshës shenjte në Florida, në solemnitetin e Zojës së Tridhjetë e Treve, Papa Leoni XIV mbërriti në Buenos Aires, etapë e dytë e udhëtimit të tij apostolik në Amerikën Latine. Në aeroportin Jorge Neëbery e priti presidenti i Republikës, Javier Milei, së bashku me autoritetet civile dhe fetare.
 
Papa bëri homazhe në Monumentin e gjeneralit José de San Martín dhe Ushtrive të Pavarësisë, ku u lut për një çast dhe vendosi një kurorë me lule. Më pas, në Casa Rosada, pati një vizitë kortezie te Kreu i Shtetit, përpara se të mbërrinte në Palacio Libertad, Qendra Kulturore Domingo Faustino Sarmiento, ku mbajti fjalimin e tij drejtuar sutoriteteve, shoqërisë civile dhe Trupit Diplomatik. Një kalim me rëndësi të veçantë në tokën e parardhësit të tij, Papës Françesku, i cili, për arsye të ndryshme, nuk mbërriti të kthehej në vendin ku u rrit e u bë ipeshkëv e kardinal.
 
Atdheu, një trashëgimi për t'u ruajtur
 
Leoni XIV shpjegoi se shkoi në Argjentinë jo vetëm si Pasardhës i Shën Pjetrit, por edhe si Bari, me dëshirën për të takuar Kishën dhe mbarë kombin. Ai kujtoi lidhjen e veçantë me Papën Françesku dhe historinë e një populli të ndërtuar ndër breza, përmes kulturave dhe prejardhjeve të ndryshme.
 
«Asnjë brez nuk e ndërton Atdheun duke nisur nga zero. Ai e merr atë të trashëguar. E merr përmes një gjuhe dhe lidhjesh, që e kanë paraprirë; përmes institucioneve të themeluara nga të tjerët dhe pasurive, që janë shtuar falë punës së shumë njerëzve».
 
Një trashëgimi, që përfshin edhe fenë e krishterë, rrënjosur thellë në kujtesën argjentinase dhe që edhe sot mbetet burim shprese, vëllazërimi dhe kuptimi në jetë.
 
Demokracia dhe autoriteti si shërbim
 
Një pjesë qendrore e fjalimit iu kushtua përgjegjësisë së institucioneve dhe të gjithë atyre, që ushtrojnë pushtetin. Papa kujtoi se demokracia nuk përfundon te votimi, por kërkon dëgjim, respekt për dallimet, dialog dhe besim.
 
«Demokracia forcohet edhe në mënyrën e përditshme të veprimit në jetën publike: në gatishmërinë për të dëgjuar, në vëmendjen ndaj fjalëve, në kërkimin e durueshëm të marrëveshjeve dhe në aftësinë për të njohur tek ai, që mendon ndryshe, një bashkëkombës me të cilin ndajmë të njëjtin fat».
 
Duke iu drejtuar drejtpërdrejt atyre, që mbajnë poste publike, Ati i Shenjtë shtoi:
 
«Autoriteti arrin kuptimin e tij më të lartë kur ushtrohet si shërbim, kur di të shohë përtej së menjëhershmes dhe kur i vë aftësitë e veta në shërbim të asaj, që u përket të gjithëve».
 
Ekonomia në shërbim të dinjitetit njerëzor
 
Papa tërhoqi vëmendjen ndaj familjeve, punëtorëve, të moshuarve dhe të gjithë atyre, që jetojnë në pasiguri ekonomike. Puna, nënvizoi ai, nuk është vetëm burim jetese, por edhe mënyrë për të marrë pjesë në ndërtimin e shoqërisë.
 
«Ekonomia duhet të jetë në shërbim të personit, dhe jo personi në shërbim të ekonomisë».
 
Ky parim duhet të udhëheqë vendimet politike, duke krijuar mundësi të reja dhe atë zhvillim ekonomik, që arrin edhe tek ata, të cilët përballen me vështirësi më të mëdha.
 
Të rinjtë, një e ardhme që nuk mund të ikë
 
Një tjetër temë me rëndësi të veçantë ishte ajo e brezave të rinj. Leoni XIV e ftoi Argjentinën të reflektojë mbi arsyet, që i detyrojnë shumë të rinj të largohen nga vendi për ta kërkuar diku tjetër mundësinë e realizimit të ëndrrave.
 
«Një komb duhet ta pyesë seriozisht veten se ku ka gabuar, kur të rinjtë e tij detyrohen të braktisin tokën e tyre për të realizuar ëndrrat».
 
Arsimi, universiteti, puna kërkimore-shkencore dhe formimi profesional duhet të bëhen mjete konkrete, që u mundësojnë të rinjve të shprehin talentet e tyre dhe t'i vënë ato në shërbim të së mirës së përbashkët.
 
Jeta, krijimi dhe përgjegjësitë e reja
 
Papa ripohoi vlerën e jetës njerëzore në çdo etapë të saj, që nga fillimi deri në fundin e saj të natyrshëm, duke kërkuar kujdes të veçantë për njerëzit e sëmurë, të brishtë dhe me aftësi të kufizuara. Ai bëri thirrje edhe për ta mbrojtur Krijimin e Zotit dhe për t'i përdorur me përgjegjësi burimet natyrore. Përparimi teknologjik, nënvizoi ai, veçanërisht inteligjenca artificiale, ka nevojë për një udhëheqje morale:
 
«Zhvillimi teknologjik kërkon një ndërgjegje etike në lartësinë e sfidave të tij».
 
Paqja dhe misioni i Kishës
 
Në fjalimin e tij, Leoni XIV denoncoi plagët, që shkaktohen nga krimi i organizuar, trafikimi i qenieve njerëzore, trafiku i armëve dhe i drogës, si edhe nga korrupsioni. Ai kërkoi bashkëpunim më të madh ndërmjet shteteve dhe një politikë të mbështetur në dialog dhe në respektimin e së drejtës.
 
Në këtë rrugëtim, edhe Kisha dëshiron të vazhdojë të jetë protagoniste përmes misionit të saj ungjillëzues dhe bamirës.
 
«Të gjithë janë të mirëpritur» dhe «Shkoni dhe shpallni»: dy shprehjet e motos së vizitës së Atit të Shenjtë në Argjentinë – siç e vuri në dukje ai vetë - përmbledhin mikpritjen universale të Ungjillit dhe përgjegjësinë për ta çuar Krishtin tek të tjerët.
 
Një Atdhe i bashkuar nën vështrimin e Marisë
 
Në përfundim, Papa Leoni XIV ia besoi të ardhmen e Argjentinës përgjegjësisë së brezave të sotëm, të thirrur për t'u lënë fëmijëve të tyre një komb më të drejtë dhe më të bashkuar. Mendimi i tij shkoi te Zoja e Lujánit, që ruan kujtesën dhe shpresat e popullit argjentinas. Duke përdorur fjalët e Papës Françesku, ai u lut:
 
«Zoti ju bëftë të rriteni si popull».
 
Një lutje që bëhet edhe urimi i Papës së ri: që Argjentina të dijë ta ruajë historinë e saj, të kapërcejë ndarjet dhe të ndërtojë një të ardhme ku dinjiteti i çdo njeriu, solidariteti dhe feja të vazhdojnë të jenë themeli i bashkëjetesës.
 
«Zoti e bekoftë Argjentinën dhe të gjithë banorët e saj»./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.